• |
ide | kryesore

Politikanët e lojërave të poshtra

Arkiva, Blog
arben idrizi.jpg



Nga Arben Idrizi/                                        

Për fatkeqësinë tonë, asgjë, ama bash asgjë nuk na siguron se, në rast se shkojmë në zgjedhje të parakohshme, apo edhe kur të vijnë zgjedhjet në kohën e tyre, asgjë pra nuk na siguron se gjërat do të përmirësohen, do të ketë zgjedhje të lehta, rezultatet do të pranohen, nuk do të ketë bllokime dhe lojëra të poshtra. Asgjë nuk na siguron se një qeveri e re politikanësh të njëjtë – aktorë lojërash të poshtra – do të ketë sukses aty ku nuk pati sukses kjo qeveri e tashme

Nuk është se pozitë opozitë kanë ndonjë dallim në vetvete, në vendin tonë dhe në disa prej vendeve përreth.

Sindroma e vendeve me zhvillim të ulët, demokraci të brishtë dhe të ardhme të zymtë, përcakton se subjektet në opozitë nuk duan ta bëjnë, nga inatet, papërgjegjësia dhe hakmarrja, atë që kërkohet në parim dhe që kërkohet po ashtu nga pushteti. Edhe subjektet në tash pozitë, po të ishin në vendin e tyre, për të njëjtat arsye, nuk do të bënin atë që do të kërkohej.

Tash, përtej kësaj, bllokimi i jetës institucionale dhe mos ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi (realizimi i të cilit, besohet dhe na thuhet nga të gjithë, do të sillte më në fund liberalizimin e vizave), janë dy momente kyçe të papërgjegjësisë dhe, dua të shkoj tutje, poshtërsisë së opozitës. Për arsye krejt banale, me motive shpesh nacionaliste dhe fashiste, opozita ka bërë çmos – dhe ia ka arritur – ta paralizojë jetën institucionale në vend. Kjo, pak a shumë qe parashikuar qe në zanafillë, kur pas zgjedhjeve, qemë zhytur në një periudhë disamujore ngërçi në pamundësi – lojëra perfide – të krijimit të qeverisë së re. Pjesë e asaj opozite ngërçi – bile ngërçi të poshtër – atëherë ishte edhe LDK, sot bartëse e Qeverisë, dhe rrjedhimisht pësuese e bllokadës.

Tash, kështu si kanë rrjedhur gjërat, pozita është e kënaqur. E kënaqur në gjendjen e bllokadës dhe mjerimit. E kënaqur sepse, asgjë nuk humb vetë në të vërtetë, përkundrazi vetëm mundohet ta kapitalizojë këtë, duke u viktimizuar dhe duke e hedhur fajin për gjithçka dhe ekskluzivisht te pala tjetër, opozita. Mund të duket e pakuptimtë, mirëpo nga ajo që shihet, pozita i dëshiron dhe kërkon veprimet bllokuese të opozitës. Edhe pse, në të vërtetë, do të përfitonte më shumë me funksionimin normal institucional; do të mund t’i lëvizte gjërat përpara; do të mund të krijonte kushte për sjelljen e investitorëve të huaj (të cilët në këto kushte hezitojnë të vijnë); do të sigurohej liberalizimi i vizave.

Mendoj se pozita ka për detyrë, me mjetet politike që ka, të gjejë mundësinë t’i imponojë vendimet që shkojnë në të mirë të vendit. Problemet duhet zgjidhur. Edhe kur opozita vë ndërkëmbëza. Sepse ky është obligimi i saj: është zgjedhur të zgjidhë. Më konkretisht, pozita duhet ta bindë Kuvendin ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi. Punë e saj si do ta arrijë brenda këtij mandati. Me këtë pastaj jo që do të bënte ndonjë gjë kushedi se çka, thjesht do ta përmbushte një detyrim të rëndomtë. Sepse nuk ka ndonjë gjë më të rëndomtë. Pasta, nëse nuk arrijnë ta zgjidhin një “problem” me një vend fqinj miqësor, çfarë do të bëjnë me problemet e ngjashme me fqinjin më pak miqësor? 

Në këtë mënyrë, do të shpërblehej nga votuesi i vet dhe votuesi i mëdyshur. Ky do të ishte një përfitim i madh jo vetëm për ta, por edhe për opozitën dhe vendin në përgjithësi; një përfitim më i madh se ai i arritur për nevoja personale, partiake, duke u viktimizuar dhe duke luajtur lojëra të poshtra.

Mandati në të cilin ndodhemi tani është mandati i poshtërsisë më të madhe politike që kemi përjetuar pas lufte.

Dhe, për fatkeqësinë tonë, asgjë, ama bash asgjë nuk na siguron se, në rast se shkojmë në zgjedhje të parakohshme, apo edhe kur të vijnë zgjedhjet në kohën e tyre, asgjë pra nuk na siguron se gjërat do të përmirësohen, do të ketë zgjedhje të lehta, rezultatet do të pranohen, nuk do të ketë bllokime dhe lojëra të poshtra. Asgjë nuk na siguron se një qeveri e re politikanësh të njëjtë – aktorë lojërash të poshtra – do të ketë sukses aty ku nuk pati sukses kjo qeveri e tashme.

Për të njëjtat arsye, ose për arsye të tjera po aq banale dhe të dëmshme, siç po bëhet traditë, edhe mandati i ardhshëm mund të jetë një mandat poshtërsie. Si ky i tanishmi.

Pra, çfarë janë personat, liderët që prodhojnë poshtërsi? Pra, çfarë janë Isa Mustafa, Kadri Veseli, Visar Ymeri, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj? A nuk janë të poshtër?