• |
ide | kryesore

Analiza/ Erdogan fitoi, çfarë e pret tani Turqinë?

Arkiva, Planet
1.JPG



Çfarë u vendos në referendum?

Rezultati ishte i ngushtë në favor të ndryshimeve rrënjësore të kushtetutës. Deri tani, Presidenti i Turqisë është një pozicion kryesisht ceremonial, por pas ndryshimeve do të bëhet shumë i fuqishëm, pasi do të jetë njëkohësisht edhe kreu i qeverisë, edhe kreu i shtetit. Presidenti do të ketë kompetenca të thella në emërimet e gjyqtarëve, shpërndarjen e parlamentit, deklarimin e gjëndjes së jashtëzakonshme dhe do të mund të bëjë disa ligje me dekret. 

Çfarë do të thotë kjo për Turqinë?

Mbështetësit e këtyre ndryshimeve thonë që do t’i mundësohet një qeveri e fortë dhe e qëndrueshme Turqisë, për t’u përballur me terrorizmin, kaosin që vjen nga Siria fqinje dhe kërcënimet e brendshme. Kundërshtarët e këtyre ndryshimeve besojnë se ky mund të jetë fundi i demokracisë në Turqi, pasi tani e tutje do të ketë kontrolle të pamjaftueshme mbi fuqinë e Presidentit. Të dyja palët janë dakord se këto ndryshime kushtetuese do të zhvendosin pushtetin larg Parlamentit dhe do t’a përqendrojnë atë në duart e Presidentit.

Kur do të hyjnë në fuqi këto ndryshime?

Shumica e këtyre ndryshimeve do të marrin fuqi në vitin 2019, kur të fillojë mandati tjetër i Presidentit. Ndryshimet e tjera do të nisin kurdo që të jenë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat me shumë mundësi do të jenë poashtu në vitin 2019. Erdogan duket tejet favorit për të fituar zgjedhjet e vitit 2019 dhe teorikisht mund të qëndrojë në zyrën e Presidentit deri në vitin 2029. 

 (Presidenti Erdogan duke vizituar mausoleumin e Yavuz Sultan Selim pasi fitoi zgjedhjet).

A mundet opozita të hedhë poshtë rezultatet e referendumit?

Me shumë mundësi jo. Komisioni zgjedhor ka çertifikuar kampin “Pro” të Erdoganit si fitues dhe nuk po tregon shenja tërheqjeje nga vendimi që ka marrë. Nëse njerëzit do të dilnin në masë në rrugë atëherë do të mund t’i jepej një pauzë qeverisë, por opozita tani është më e kujdesshme për organizimin e protestave masive pas goditjes që Erdogani i bëri disidentëve.  

Çfarë do të thotë kjo për relatat e Turqisë me Bashkimin Europian?

Erdogan ka akuzuar liderët europianë për sjellje “naziste” teksa po përpiqej të nxiste votuesit nacionalistë gjatë fushatës për këtë referendum. Liderët europianë folën haptazi rreth shqetësimeve që kishim mbi ndryshimet kushtetuese në Turqi. Por Turqia po i jep sinjale pajtimi BE-së që nga votimi i së dielës dhe shumë analistë presin që të dyja palët të përpiqen të zbusin dallimet mes tyre tani që referendumi ka mbaruar. 

          (Një grua tregon dorën e saj, ku shkruhet “Tayyip Erdogan”, teksa pret ardhjen e Presidentit Erdogan në aeroportin Esenboga në Ankara).

Po në lidhje me pozitën e Turqisë në NATO?

Fushata e këtij referendumi i “nxehu” lidhjet e Turqisë me aleatët e NATO-s në Europë, por marrëdhëniet më të rëndësishme të këtij vendi brenda kësaj aleance janë me SHBA-në. Donald Trump ka nevojë për bashkëpunimin e Turqisë në luftën kundër Shtetit Islamik (ISIS), por është i kujdesshëm me armiqësitë që ka Turqia me aleatët kurdë të SHBA-së. Erdogan mund të ndjehet i inkurajuar për të vepruar më me guxim në Siri dhe Irak pas referendumit, por me rezultate të paparashikueshme për NATO-n.

 

The Telegraph, përkthyer nga Lapsi.al