• |
ide | kryesore

Çfarë fsheh Erion Velija pas ndërtimit të Kullës 250 milon dollarë

Arkiva, Blog
veliaj kulla.jpg



Mbledhja e fundit e komisionit parlamentar të veprimtarive prodhuese u komunikoi shqiptarëve dhe taksapaguesve shumë lajme, mes të cilave ishte edhe një risi: “Kulla Ikonike”, një investim prej rreth 250 milionë dollarë.

Prezantimi i këtij investimi e meriton plotësisht të quhet “risi”, sepse paketa e koncesionimeve që e shoqëronte këtë lloj sipërmarrjeje, si nga forma ashtu edhe nga përmbajtja, është shumë unike nga impakti dhe precedenti që krijon.

Padyshim që ekonomia shqiptare ka shumë nevojë për investime të huaja direkte (FDI, foreign direct investments), prandaj çdo investim duhet mirëpritur dhe promovuar. Por në formë sa më ligjore dhe sa më të drejtë, pa shkelur asnjë parim të barazisë.

Por çfarë parashikon kjo paketë koncesionesh për këtë investim dhe si u bë prezantimi i saj.

Së pari, sepse analiza të drejton ndryshe nga çka jemi mësuar të shohim dhe dëgjojmë rëndom, ku kompani të huaja gjysëm fantazma nga parajsa fiskale vijnë me tam- tame të shfrytëzojnë për një kothere bukë pasuritë e burimeve natyrore të parinovueshme.

Konkretisht, kemi një investitor me një CV shumë të pasur. Por pyetja lind: Kur do të kemi investitorë nga vendet tek të cilat aspirojmë perj një çerek- shekulli? Kur do të dynden gjermanët, francezët, hollandezët, nordikët, amerikanët?

Së dyti, ndodh që ky investim prezantohet nga ministria e Ekonomisë në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese.

Lind pyetja, a është ky investim një veprimtari prodhuese? Jo, nuk është. Është një version i “tulla- llaç- beton”, të cilat Tirana edhe pa këtë kullë, i ka me bollëk. Pa gjykuar aspak aspektin arkitektonik të kullës. Me pak fjalë, edhe qasja për prezantim duket se çalon.

Së treti, paketa e koncesioneve që shoqërojnë këtë lloj investimi. Për këtë në prezantim thuhet:

“Kompania vjen me një investim i cili shkon në 250 milionë dollarë. Është një kullë ikonike e cila ngrihet në Tiranë në një lartësi rreth 350 metra dhe ka një sipërfaqe që ndahet midis tre objekteve kryesore, rezidenca banimi, hotelerie dhe shërbimesh administrative. Ajo do të jetë e aftë të punësojë gjatë ndërtimit 6 mijë persona dhe pas ndërtimit, 3 mijë persona. Në kërkesën e interesit nga ana e kësaj kompanie është kërkuar transferimi pa kosto dhe në pronësi i një sipërfaqeje prej 25 mijë m2, në këmbim të një sipërfaqeje ambientesh në favor të Bashkisë Tiranë, përjashtimin nga taksat doganore, TVSH­, tatimi mbi fitimin apo çdo lloj takse tjetër mbi kapitalin për 15 vjet nga fillimi i veprimeve tregtare”.

Shifrat e parashikuara të punësimit gjatë dhe pas ndërtimit nuk janë domosdoshmërisht domethënëse. Çfarëdolloj investimi tjetër, në fusha më strategjike se kjo kullë, patjetër që do të shoqërohet me ndërtues dhe operues.

Së katërti, në cilin vend të botës ky investitor ka magjepsur leje- shpërndarësit për paketa të ngjashme lehtësirash? Po në vetë vendin e origjinës, Dubai, sa shembuj të tillë lehtësirash ka ky investitor, apo të tjerë më të mëdhenj se ky?

Me interes është analiza e asaj çfarë lëvrohet në fund të këtij investimi.

Shqiptarët e kryeqytetit do të kenë më shumë rezidenca banimi; do të kemi disa dhoma hoteli dhe krevatë më shumë për turizmin; si dhe disa hapësira administrative më shumë. Pra të lëvrueshmet nuk kanë asnjë risi, madje mund të thuhet se Tirana ka me bollëk dhe është e tejngopur.

Risia qëndron tek cedimi që me ligj vetë shteti pranon të bëjë, duke ofruar të pamendueshmen për një investim që s’është as strategjik, as i domosdoshëm. Buja dhe pompoziteti i shifrave të investimit vijnë me disa lehtësira të paimagjinueshme për secilin investitor apo sipërmarrës vendas, pavarësisht llojit të investimit apo stërmundimeve për të shndritur sadopak në klimën e mjegullt të biznesit shqiptar.

Lehtësirat fiskale dhe doganore që e shoqërojnë këtë investim janë shumë pranë të paimagjinueshmes.

Sa kushtetuese është kjo? Përse e paligjshmja duhet me patjetër të mvishet me petkun ligjor, kur nuk ka thes që e mban një hosten të tillë?

Nga ana tjetër, kjo qasje plot temenara alla- lindore nga Qeveria Shqiptare, shoqërohet me një impakt të pamenduar ndaj vetë investitorëve dhe sipërmarrësve vendas, të cilët fare mirë e shohin si diskriminuese dhe të paprecedentë. (A është ky një indikator i krizës për investime të huaja, apo është thjeshtë pjesë e entuziazmit paraelektoral, apo kombinim i të dyjave?)

Kjo sepse të tilla koncesione në lehtësira doganore dhe fiskale mund të merreshin në konsideratë mbase për investime në këto përmasa për sektorë strategjikë, si për reformimin e bujqësisë vendase, apo modernizimin e turizmit, apo të

ndërtimit të një vepre unike me rëndësi strategjike vendase dhe rajonale. Por kurrësesi për ca apartamente, dhoma hoteli dhe zyra më shumë.

Së pesti, vetë lloji i investimit është ndër më të përfolurit për tregun e favoreve, sidomos dhe veçanërisht në lejet e ndërtimeve. Kjo vetëm sa i përket lejes së ndërtimit dhe atij 3 mijë metërshit të dhuruar ndaj Bashkisë Tiranë. Sepse për vetëm 3 mijë metra ndërtim “të dhuruar”, po hiqet dorë nga 25 mijë metra njollë, publike qoftë apo private, të cilat do t’i shërbenin zhvillimit urban dhe social të qëndrueshëm të Tiranës, duke filluar nga kopshtet, shkollat, qendrat e shërbimit dhe përkujdesjes social- shëndetësore, ambjentet e argëtimit dhe sipërfaqet e gjelbra. Vlen të kujtohet edhe premtimi i para dy viteve i ish kandidatit për kryebashkiak për një kopësht zoologjik modern dhe liman argëtimi, por që u fanit nga pushteti i lejeve të ndërtimit.

Një pyetje naive mund t’i lindë kujtdo që ka jetuar sadopak në Tiranën e ndërtimeve: “Përse nuk aplikohet një përqindje nga sipërfaqja e ndërtimit si e drejtë e pronarëve, kushdo qofshin ata, shtet apo privat?”

Përqindjet takuese të pronarit të truallit, në qasje konservatore dhe favorizuese, mund të luhaten mes 30% – 40% të totalit të sipërfaqes së ndërtimit. Pra ai 3 mijë metërshi i trumpetuar kundrejt totalit të ndërtimit, përfaqëson në vetvete as 1% të totalit. Dhe kjo lloj aritmetike bie shumë erë.

Cili është roli i kryebashkiakut në këtë meselenë e kullës, e cila çalon që tek formati i prezantimit? Si ka mundësi që një iniciativë e tillë, e cila luhatet mes antikushtetueses dhe korruptives, të pretendohet se do të rrëshqasë pa u ndjerë në opinion publik dhe sferat mediatike? Sepse, përveç rreth 100 milionë euro të arkëtueshme nga cedimi i detyrimeve fiskale dhe doganore, tashmë të dhuruara me një të rënë të lapsit, kemi edhe një kolaps të paprecedent ndaj investitorëve vendas.

Natyrisht që shumica e mediave audiovizive dhe portaleve, tashmë e kanë provuar dashamirësinë ndaj kryebashkiakut. Por duke qenë se vetë pronarët e këtyre mediave, direkt apo indirekt kanë interesa të ngushta me industrinë e ndërtimit dhe investimet, padyshim që këto interesa janë jo vetëm nëpërkëmbur por edhe dhunuar. Rrjedhimisht, është rasti dhe rrethanat flagrante që imponojnë reagim publik dhe mediatik.

Në këto rrethana, nuk mbetet gjë tjetër por vetëm kërkimi dhe gjetja e menjëhershme e rrugëve të duhura ligjore për ta bllokuar këtë nismë të çmendur dhe të dëshpëruar për një grusht investitorësh që “hedhin 5 lek, marrin 25 dhe ikin nga sytë këmbët”. /T.Çela/



1 Comment

  1. Edhe Kim Jongu i Korese se

    Edhe Kim Jongu i Korese se veriut ka ndertuar te tilla kulla , por a mos e kane permiresuar nivelin e jeteses se koreanoverioreve keto kulla ? Ne permiresimin e jeteses se qytetareve te Tiranes, do te ndihmonte qe sa me shpejte, nje investitor i fuqishem, te ndertonte dy-tre linja tramvai, se kryeqyteti shqiptar eshte i vetmi ne Europe qe nuk e ka nje sistem te tille te qarkullimit urban.. Rama me Veliajn, e penguan Bashen qe te realizonte kete projekt, ndonese projketi kishte perfunduar, e  kishte siguruar vete edhe parate e investimit per ndertimin. Nese Basha nuk do ishte penguar nga Rama per kete projekt e projekte te tjera, sot Tirana do te kishte edhe linjat e tramvajit, edhe bulevardin e ri te perfunduar..