• |
ide | kryesore

Sulmi terrorist në Champs Elysees, ndihmë për Le Pen

Arkiva, Planet
Champs-Elysee-Terror-Attack.jpg



Kur kanë mbetur vetëm tre ditë nga raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale franceze, teksa sulmi i djeshëm në Paris u konsiderua terrorist, debati i mbrëmshëm i 11 kandidatëve zyrtarë në televizor tregoi qartazi se ekstremistët po përpiqeshin të influenconin tonin e debatit dhe ndoshta edhe përfundimin e tij.

Nëse ky ishte qëllimi, atëherë ishte sukses, pasi dy kandidatët, Marie Le Pen, liderja e Frontit Nacional dhe konservatori Francoi Fillon anuluan takimet e të premtes, ditës së fundit të fushatës.

Kur u lajmëruan për sulmin, ata ishin live në televizor, dhe të gjithë kandidatët menjëherë i përshtatën konkluzionet e tyre me zotime për të mbrojtur Francën. “Mjaft me kujdes të tepruar, mjaft me naivitet”- tha Le Pen. “Lufta kundër terrorizmit duhet të jetë një prioritet absolut për Presidentin e ardhshëm francez”- tha Fillon, i cili propozoi arrestimin e të gjithë të dyshuarve që ishin në listë vrojtimi, sikurse autori i sulmit terrorist të djeshëm. 

 (Një nga plumbat ka shpuar xhamin)  

Teksa sondazhet tregojnë se gara është shumë e ngushtë mes katër kandidatëve kryesorë, shumë analistë paralajmëruan se edhe diçka e minutës së fundit mund të ndikojë në rezultatin final të zgjedhjeve. 

Edhe pse sondazhet parashikojnë se ajo është në rrugën e duhur për të arritur një nga dy vendet e para së bashku me kandidatin tjetër Emmanuel Macron, analistët politikë thonë se Le Pen ka humbur potencialin ditët e fundit dhe se fushata e saj nuk po arrin të përfitojë nga situata.

Qartazi, ajo shpreson të marrë sërish mbështetje pas sulmit të djeshëm duke deklaruar se Franca kërkon një regjim më autoritar. Ajo tani ka mbështetjen e Policisë Franceze, e cila humbi një oficer të enjten në mbrëmje. 

       (Një polic i forcave speciale qëndron roje pak minuta pas sulmit në Champs Elysse) 

Por teksa disa parashikojnë se sulmi i mbrëmshëm në Champs Elysees mund të rrisë pozitën e saj, sulmet e mëparshme terroriste nuk kanë sjellë përfitime të qëndrueshme për ekstremin e djathtë.

Në 2015-tën, Fronti Nacional arriti majat në raundin e parë të zgjedhjeve rajonale, vetëm tre javë pas sulmeve në Paris. Rezultati i saj ishte gati tre përqind më i lartë se zgjedhjet e mëparshme kombëtare. Por, nuk arriti të fitonte asnjë rajon në raundin e dytë.

Mbetet për t’u parë nëse sulmi i djeshëm do të jetë i dëmshëm politikisht për Macron, ish-ministrit të paeksperiencë të ekonomisë, pika e dobët e të cilit konsiderohet të jetë siguria. Kritikët kanë nxituar ta portretizojnë si një person të butë.

Emmanuel Macron ishte nga të parët kandidatë që reaguan për sulmin gjatë emisionit televiziv në mbrëmje. Ai shprehu ngushëllimet për familjen e policit të vrarë dhe paralajmëroi se Franca do të jetojë me kërcënimin terrorist edhe për “vitet që vijnë”.

The Telegraph, përshtatur nga Lapsi.al