• |
ide | kryesore

Jepini Ramës një kapak kavanozi

Arkiva, Ide
ANDI_BUSHATI_PORTRET_112.jpg



Kush ka jetuar në vitet ‘80 në Tiranën e re, aty në zonën pranë Librit Universitar e ka të fiksuar në memorie, si një nga gjërat që nuk shlyen kollaj, një djalë të ri marrok që i ishte mbushur mendja se ishte shofer. Në delirin fatkeq të sëmundjes mendore, ai dilte rrugëve të lagjes me një kapak të stërmadh kavanozi në dorë dhe herë bënte sikur i binte burisë, herë sikur mbante frena dhe herë të tjera sikur rrezikonte të shtypte grupet e fëmijëve që shkonin për në shkollë. Ashtu në pafajësinë e vet ai qe shndërruar njëkohësisht në tmerrin dhe gëzimin e tyre.

Dalëngadalë ai u bë një simbol i asaj pjese të Tiranës.

Në motoninë gri që të impononte diktatura, ku dy divanët e kuzhinës, tavolina me çentro në mes dhe bufeja e Misto Mames ishin gati një obligim, ku rrallë kush mund t’i shmangej kostumeve të teritalit dhe flokëve të prera me saktësinë e frikshme të të njëjtit model, endja marroke e timonierit me kapak kavanozi në dorë e bënte atë një pesonazhzh shumë atipik. Në një qytet ku askush nuk ëndërronte të ngiste një veturë private ai e kishte shpikur botën e tij të lumturisë. Në ato vite duhej të mos ishe normal për ta pasur këtë fat.

Vetëm deliri mund të të shpëtonte nga rutina e së përditshmes.

Pikërisht fabula e këtij personazhi që si shumë të tjerë u zhduk së bashku me rënien e regjimit, me triumfin e pushtetit të parasë dhe me stërmbushjen e rrugëve me makina, mu kujtua kur dëgjova kryeministrin në këtë fushatë t’u kërkonte shqiptarëve një timon imagjinar për të na vozitur drejt një Shqipërie ideale. Në një farë mënyre edhe Edi Rama po kërkon të rishpikë një realitet për t’ia kundërvënë këtij ekzistuesit. Ai do timonin për vete pasi thotë se nuk e duron më tepsinë. Ai do drejtimin pasi pretendon të bëjë një shtet më të mirë. Ai do t’i hedhë konkurentët nga makina, pasi kështu premton se mund t’i çojë në destinacionin e ëndërruar pasagjerët e vet.

Por, fabula e kërkimit të timonit si kundërvënie ndaj tepsisë, kazanit dhe kusisë, sado e gjetur të duket në pamje të parë, është në thelb një fabul mashtuese.

Jo vetëm për arsyet që shumë kolegë dhe kundërshtarë i kanë renditur Edi Ramës deri më tani. Jo vetëm se edhe pak javë më parë ai i përgjërohej atyre që sot i quan allishverishë të tepsisë të ribënin aleancë me të.  Jo vetëm se ai nuk u kujtua kurrë më parë, këto katë vite, ta denonconte ndarjen e shtetit në llokma. Jo vetëm sepse për gjatë të gjithë mandatit ai foli për një administratë meritokratike, ku njerëzit zgjidheshin me konkurse dhe jo sipas përkatësisë politike.

Të gjitha këto fakte tashmë janë bërë të njohura për publikun.

Por, ajo që nuk është nënvizuar sa duhet dhe nuk është thënë me forcë është e vërteta e madhe se, Edi Rama, nuk është viktima e “shtetit- tepsi” por një nga ideatorët dhe krijuesit e tij.

A nuk i ndau ai lejet e ndërtimit në Tiranë sipas parimit të “shtetit- tepsi”?

A nuk u përpoq ai t’i pasurojë pronarët e mediave sipas të njëtit model?

A nuk punësoi ai në Bashkinë e Tiranës familjarët e gazetarëve që përgatisnin kronikat e lajmeve për të (madje është e stërnjohur historia e grave që këmbenin vendin e drejtoreshave në bashki, pasi bashkëshortët kishin bërë rokadë në dretimin e televizinit)?

A nuk firmosi ai pallate shumëkatshe për drejtuesit e emisioneve investigative që e shantazhonin duke i nxjerrë skandalet?

A nuk e ngriti ai grupin palamentar të PS-së vetëm me klientë biznesi i të cilëve varej nga nënshkrimi i tij (shprehja e famshme e Metës, një pallat një votë)?

A nuk po e zbaton ai Rilindjen urbane me arkitektë të akuzuar në vendet e tyre si të korruptuar dhe që janë të lidhur me të përmes fijesh okulte?

A nuk po i jep ai koncesionet miliardëshe me gara fallco për oligarkëtt që e fianancojnë atë drejtëpërdrejt?

Mjafton kjo kronologji për të kuptuar se Edi Rama nuk ka vuajtur asnjë ditë nga koncepti i “shtetit- tepsi”. Ai është nga shfrytëzuesit e tij më të mëdhenj. Ai është ngjitur gjithmonë në karrierë duke masakruar shtetin, duke ia shpërndarë llokmat për hir të pushtetit.

Prandaj fabula e kërkimit të timonit për të luftuar me këtë të keqe është një fabul hipokrite.

Natyrisht, atij i duhet kjo fabul për të justifikuar të gjitha dështimet e këtij katër vjeçari, prandaj po mundohet të vizatojë një botë imagjinare, njësoj si ai personazhi me kapak kavanozi në dorë që sfidonte Tiranën komuniste të viteve ’80.

Edhe Edi Rama po kërkon dëshpërimisht t’a mbajë i vetëm timonin. Po ashtu si shoferi marrok, që nuk shlyhet nga kujtesa e banorëve të vjetër të qytetit edhe ai të shurdhon me buri, kërcënon se disa do t’i shtypë dhe premton që të tjerët do të udhëtojnë me të drejt një të ardhmeje më të mirë.

Por, sado që të ngjajë, në sipërfaqe, me timonierin e dikurshëm të një Tirane pa vetura, ai që kërkon sot i vetëm drejtimin e makinës, është thelbësisht i ndryshëm nga i pari.

Shoferit të mbetur në memorien e adoleshentëve të berzit tim, fati i kishte lujtur një trill, i kishte dhuruar delirin dhe marrëzinë për të përballuar një kohë të çmendur. Me kapakun e vet të kavanozit ai mund të endej rrugëve i lirë duke i shpërfillur zakonet dhe ligjet e kohës.

Ndërsa në këtë pikë Edi Rama është i ndryshëm. Ai po kërkon me insistim një timon, ai po propozon me këmbëngulje një udhëtim imagjinar, për të na larguar qoftë edhe me mendje nga mjedisi i çmendur që ka krijuar vetë.

Ai nuk e do timonin për të na shpëtuar, ai e do timonin për të mashtruar. (Lapsi.al)