• |
ide | kryesore

Zbardhet prapaskena e negociatave të FSHF me Inzaghin

Arkiva, Sport
izaaaa.jpg



Filippo Inzaghi është pista kryesore që Federata Shqiptare e Futbollit po ndjek në këto ditë të nxehta qershori për të mbushur vendin e lënë bosh nga largimi i menjëhershëm i Gianni de Biasit. Ish-sulmuesi i Milan dhe Juventus ka edhe një vit kontratë si trajner me Venezian në Serie B të cilën sapo e ngjiti nga Lega Pro duke mbyllur një vit të suksesshëm. Mediat italiane kanë zbardhur një pjesë të negociatave të Federatës Shqiptare të Futbollit me Super-Pippon.

Lapsi.al shkruan se negociatat janë zhvilluar nga përfaqësues të FSHF-së dhe agjentit të trajnerit italian. Mes tyre ka pasur një takim të konfirmuar ndërsa besohet se nuk kanë munguar edhe bisedimet në distancë.

Ajo që është mësuar fillimisht është se Inzaghin nuk e ka tërhequr oferta ekonomike që i është bërë nga ana e FSHF-së. Ndonëse Venezia nuk është një klub që i ofron një superpagë, ish-sulmuesi i Milanit pret që në stolin e një përfaqësueseje të ketë kushte financiare më të rëndësishme sesa ato që i ka ofruar Duka.

Pika e dytë që palët nuk po gjejnë dakordësinë është stafi. Italiani kërkon një staf më të madh se ai që mund të ofrojë FSHF-ja. Ky është një kusht që duket se ka vënë SuperPippo. Nëse do të largohet nga Venezia ai kërkon të marrë me vete të gjithë stafin e bashkëpunëtorëve që ka atje, 8 të tillë. Bëhet fjalë për asistentë trajnerë, përgatitës portierësh, përgatitës atletikë apo edhe analizues kundërshtarësh, të gjithë personazhe me eksperienca të rëndësishme pune në klubet më të njohura italiane si Juventus, Inter, PSG e Milan para se të bëheshin pjesë e stafit të Inzagit.

Ndonëse paga mund të mos jetë e ulët dhe oferta e Shqipërisë mund të ketë mangësi ajo prapë duket tunduese për Pippon. Nuk është një gjë e vogël të marrësh drejtimin e një kombëtareje ku shumë shpejt mund të testosh forcat e tua ndaj kundërshtarëve si Spanja dhe Italia. Për këtë arsye, ai ende nuk ka dhënë një përgjigje të prerë. Sipas mediave italiane Inzaghi ka kërkuar disa ditë kohë për reflektim ndërsa ndodhet në Formentera me pushime bashkë me vëllain e tij, Simone.

Mediat italiane kanë pyetur edhe presidentin e Venezias për një largim të trajnerit. Joe Tacopina është shprehur se ka lexuar në portale interesimin e Shqipërisë për trajnerin e skuadrës së tij, por ende nuk ka një çështje zyrtare. Ai tha se Inzaghi nuk ka shprehur asnjë kërkesë për largim. “Nëse do të ketë një kërkesë, do të ulemi në tryezë dhe do ta shqyrtoojmë” – është shprehur presidenti i klubit Venezia./lapsi.al/