• |
ide | kryesore

Gazeta arabe heq shkruesin nga puna, hidhëroi mbretin me lëvdatat e tepërta

Arkiva, Planet
salman-bin-abdulaziz-al-saud-exlarge-169-655x356.jpg



Në të gjitha vendet e botës, publicistët, opinionistët apo analistët ndahen përgjithësisht në dy qëndrime, ato që janë pro dhe ato kundër pushtetit. Në njërën anë janë ato që i mbrojnë dhe i lëvdojnë politikanët dhe në anën tjetër ato që kritikojnë dhe nuk bëjnë kompromis, përherë të gatshëm të denoncojnë abuzimet. Por sado të shpifur që duken shkruesit pro pushtetit, as ato nuk e kanë të lehtë. Në Shqipëri, për shembull servilizmi i gazetarëve është kthyer në një mjeshtëri, që pak njerëz e kanë. Herë dalin hapur në mbështetje të pushtetit, e herë kamuflohen bukur, sërish duke u përdorur nga njëra palë apo tjetra.

Nuk ka qenë ky rasti i një shkruesi në Arabinë Saudite, që me lëvdatat e tij ka shqetësuar edhe vetë mbretin, Salman bin Abdulaziz Al Saud. Në artikujt e shkruar për gazetën “Al Jazirah”, shkrimtari Ramadan al-Anzi e quante mbretin 81 vjeçar si “Haleem” dhe “Shadeed al-Eqab”, cilësi që i janë dhënë Allahut në librin e shenjtë të myslimanëve, Kuran.

Si rezultat, mbreti Salman u hidhërua nga vlerësimet e larta. Monarku i pasur me naftë, i cili ka një vlerë neto në rajon prej 1.3 miliard dollarë, i shkroi një letër Ministrisë së Kulturës dhe Informacionit për t’u ankuar për kolonën në gazetë.

“Një çështje e tillë na ka shqetësuar dhe ne nuk mund ta pranojmë apo ta tolerojmë atë. Ne jemi të vetëdijshëm për seriozitetin dhe rrezikun e të qenit të butë ndaj tij”, tha ai.

“Të gjitha gazetat dhe mediat duhet të jenë plotësisht të vetëdijshëm se çështjet e tilla nuk duhet të publikohen dhe se të gjithë ata që nuk respektojnë do të mbajnë përgjegjësi”, thuhet më tej.

Si rezultat, Al-Anzi duket se është larguar nga puna dhe gazeta ka lëshuar një apologji.