• |
ide | kryesore

10 arsye për të bërë rafting në Vjosë

Arkiva, Blog
bl.jpg



Nga Blerina Ago

1) Stërvitja

Shumica e njerëzve nuk rreshtin së stërvituri për të mbajtur trupin dhe mendjen në formë. Ku ka më bukur sesa të stërvitesh dhe të argëtohesh në të njëjtën kohë?! Gjatë rafting ka çaste kur duhet të rremosh fort që të marrësh rrjedhën e duhur dhe të shmangësh ndonjë pengesë. Pa përmendur faktin që në gomone duhet të mbash ekuilibrin gjithë kohës. Këto janë pak arsye se pse pas një dite rafting ndiheni fizikisht të ezauruar.

 

2) Natyra

Së bashku me stërvitjen, dalja në natyrë është diçka që shumica e njerëzve nuk janë në gjendje të bëjnë mjaft shpesh. Por, për pjesën më të madhe të atyre që e provojnë, ata e shijojnë krejtësisht. Stërkalat e ujit të ftohtë ndërsa ju jeni ulur nën një diell plot shkëlqim, ndjesia e flladit që të përkedhel trupin duke të tharë. Aromat e egra përgjatë udhëtimit … të gjitha këto e bëjnë shpirtin tënd të bjerë në qetësi. Ka shumë pak gjëra që mund të krahasohen me të.

3) Adrenalina

Sigurisht që mes gjithë këtyre gjërave rrahjet e zemrës dhe adrenalina nuk ka si të përjashtohet. Emocioni kur përplasesh me rrëmbesat, duke fluturuar në ajër dhe duke u bërë njësh me ujin të bëjnë të ndihesh gjallë. Lëvizja është jetë, prandaj mos ndalni!

4) Kohë me të dashurit e zemrës

Është e vështirë në kohët e sotme të gjesh kohë për të shpenzuar me njerëzit e tu më të dashur… por seriozisht që ky nuk është më një problem kur je i futur në mes të një gomone. Këto udhëtime mund t’i bëni edhe me fëmijët tuaj mbi 5 vjeç. Të jeni të sigurt që po i dhuroni një eksperiencë që do e mbajnë mend gjatë.

5) Eksperiencë unike

Në jetë ka shumë gjëra për t’u provuar. Rafting është emocionues, argëtues dhe ia vlen çdo sekondë shpenzuar për të. Ju vini si turistë dhe largoheni si miq duke kontribuar në ekonominë lokale përgjatë gjithë zinxhirit të bizneseve që lidh rafting, nisur me hotelet dhe bujtinat, restorantet e zonës, shërbimet e transportit, artizanatin dhe sigurisht punësimin e të rinjve pranë famijes dhe vendlindjes së tyre.

 

6) Egërsia

Lumi Vjosa është një nga lumenjtë e fundit “të egër” të Evropës. Në rrugën e saj mbi 270 km, Vjosa e kristaltë rrjedh e pandikuar në mënyrë të natyrshme, e karakterizuar nga kanione të bukur, rrjedha të rrëmbyeshme, ishuj dhe kthesa që krijojnë gjarpërime të mrekullueshme. Ky ekosistem unikal në kontinent, edhe pse i panjohur, përfaqëson një trashëgimi të vërtetë natyrore Europiane dhe ju e keni vetëm pak kilometra larg.

7) Vegjetacioni

Lugina e Vjosës shquhet për vegjetacionin e saj karakteristik, duke filluar nga drurët gjithmonë gjethe gjelbër, dominuar nga prralli me brezat e shkozës, dushqeve gjetherrënës dhe pak ah dhe duke përfunduar më në lartësi me haloret e dominuar nga pisha e zezë, rrobulli, bredhi dhe lisi. Asnjë rrugë apo urë nuk e pengon apo ndërpret pamjen piktoreske përgjatë gjithë shtrirjes së saj. Kodra, male të thepisuara dhe natyra e paprekur do ju befasojnë përgjatë gjithë experiencës.

8) Guidat

Ka gjithmonë përfitime shtesë kur bën ndonjë diçka të këndshme dhe të organizuar mirë, Kur zgjedh rafting vetë guidat janë një vlerë e shtuar. Vajza dhe djem të zonës që kanë njohuri për gjthçka ndodh përreth dhe janë stërvitur papushim për të bërë të pamundurën që ju të kaloni një kohë fantastike dhe të shpenzoni një udhëtim ku siguria është mbi të gjitha. Gjatë zbritjes në lumë nuk mungojnë batutat dhe të qeshurat pafund.

 

9) Të mësuarit

Konsideroni të gjithë elementët që janë të përfshirë në çdo udhëtim rafting: një mjedis që është shumë piktoresk dhe i sigurt, emocionues dhe larg nga vendi normal i jetës së përditshme. Skuadrat e vogla të gomoneve, suksesi i të cilave bazohet në parimet themelore të bashkëpunimit, punës në grup dhe varësisë ndaj njëri-tjetrit janë gjithmonë nën udhëheqjen e një guide profesionale. Zbritja e rafting ka një orientim të fortë mjedisor, edukues dhe njohës i natyrës së Shqipërisë. Guidat dinë legjendat dhe historitë lokale. Ata e njohin shumë mirë zonën që do eksploroni dhe në mënyrë të natyrshme ju mësoni teknika apo detaje të caktuara të cilat as i kishit menduar ndonjëherë më parë.

 

 

10) Argëtimi

Pas gjithë këtyre arsyeve në fund të ditës rafting është thjesht argëtim në të gjitha kuptimet. Prandaj njerëzit që e kanë provuar njëherë rikthehen vazhdimisht. Një eksperiencë e vërtetë që ju mbush plot me emocione. Nëse po kërkoni një udhëtim argëtues, për qejfin tuaj, organizohuni dhe kërceni në gomone!



2 Comments

  1. Rafting eshte nje sport, nje

    Rafting eshte nje sport, nje avnture qe te ben te harrosh cdo gje qe te rrethon!

    Rafting eshte nje sport qe e ben stresin te nderroje drejtim e te shoje larg teje!

    Ketu merr kuptim fjala "Te marrte lumi te keqijat"!

    Bravo Blerina, Bravo ARG!!! heartheartyesyes

  2. Ku eshte Blerina eshte adrenalina

    Bravo vajzes. Kam vite qe e ndjek dhe nuk pushon se promovuari bukurite shqiptare.