• |
ide | kryesore

“Po ça burri je, o plak? O dak! O njish! O trap!”

Arkiva, Blog
neda-balluku-karafili.jpg



Nga Neda Balluku

Si t’ja dalim ne nënat t’u mësojmë bijve tanë që në këtë vend të mallkuar nuk ka rëndësi sedra, por fjala? Që burrnia nuk është dhuna, por mençuria për të shuar koniktin? Që nuk ka rëndësi ç’të dikton shoqëria, por familja?

Si t’ja dalim ne nënat të rrisim bij të denjë dhe jo pjella fotokopje të kapadaillëkut mashkullor shqiptar? Si t’i mësojmë djemtë që kur hasen me djem të tjerë të etur për përplasje të mësojnë të tërhiqen e ndërrojnë rrugë, dhe jo të bëhen viktima të ngacmimit “hajde sqarohemi jashtë!”?

Po ça burrnie është t’i marrësh jetën një burri tjetër? Po ça burri do bëhesh ti një ditë, o djalë? Po çfarë burri do e mësosh tët bir të bëhet mor djale, kur të bëhesh vetë burrë?

Po ça burrash mban ky dheu ynë, qe nuk duan gratë e tyre që i besojnë inferiore, gratë e tyre që i shpullosin ‘se dajaku ka dalë prej xheneti’, vajzat e tyre që i lënë pa shkollë, e i martojnë që 15 vjeç, që motrat e tyre i ruajnë si xhandarë e me motrat e të tjerëve tallin menderen për t’i çuar një herë në krevat, e nëse, larg qoftë! nuk ja dalin s’lënë vend pa trumbetuar “kurvllëkun” e tyre të pafajshëm?

Po ça burrash mban ky dheu ynë që mirë që nuk duan grate, po që s’duan as burrat? Që burri me burrin ka armiqësi e jo vllazëri? Që burri me burrin ka sedër e jo miqësi? Që burri me burrin nxjerr thikën e jo shtrëngimet e duarve?

Po ça burri je o plak! O dak! O shok! O Njish! O Trap! O trap kaluar trapi! Që lë lesht në lloto, në bixhoz, në cigare! Që ju punojnë gratë me turne, që lajnë pjata, bythë plakash, rrugë me pështymet që ju nxirrni nga goja juaj që ça nuk nxjerr, kur ecni rrugëve e kruani hallatet për qejf të hallateve, edhe para vajzave e grave, vetem sepse mundeni, sepse jeni burra.

Po ça burri je ti që rreh vetëm sepse mundesh?! Po ça burri je ti që vret vetëm sepse mundesh?! Po kush trapin je ti, o burrë, që bën si Zot e si shkop e i merr jetën tjetrit? Po pse, meshkujt në Shqipëri janë aq mutërisht të pasigurt te vetja, saqë nga mëngjesi në darkë duhet të japin prova burrnie?

Te shpejtësia e makinës, te cigarja pa heq akoma cicën e mamit, te seksi pa bërë as dashuri, te leku pa i thënë punës një herë mirëmëngjes, te vrasja pa thënë një herë ‘më fal’!

Po ça problemi ke me veten o plak, o dak, o trap?.



7 Comments

  1. Bukur Neda, po vetem mos ia

    Bukur Neda, po vetem mos ia hidh te gjitha fajet meshkujve, se jane edhe femrat shqiptare po aq pergjegjese. 

  2. kush te ka share ty mi yll se

    kush te ka share ty mi yll se do i them me fal padashje 

  3. Bravo

    Bravo Neda,ky eshte realiteti dhe aktualiteti i hidhur i palo burrave qe mban ky vend!Burra qe turperojne kete vend dhe burra qe e kane lene kete vend 100 vite mbrapa bote!Duhet shume pune nga ne grate qe tu mesojme femijeve tane te devijojne nga ky stereotip i deshtuar i mashkullit shqiptar!

     

  4. Burra te pjelle dhe edukuar

    Burra te pjelle dhe edukuar nga grate…

  5. Ne kete vend jo vetem “burrat

    Ne kete vend jo vetem "burrat", po edhe grate kane qene e jane te tille "burrnesha". Mos harrojme qe nena dhe mesuesi kane nje rol shume te rendesishem. Ne jemi deshmitare dhe jo vetem sot por prej se paku nje shekull se si femijet dhunohen ne shkolle nga mesuesit (madje edhe ne kopesht e cerdhe), ne shtepi nga e ema dhe i jati, pastaj sigurisht edhe nga ambienti tejet i vrazhde, tejet injorant, pothuajse shtazarak, e vetmja gje qe mesojne qe ne vogeli eshte dhuna. Dhune pjell dhune.

  6. Neda, hera e pare qe lexoje

    Neda, hera e pare qe lexoje dhe nuk te njof fare megjithese mbiemrin ta njof shume mire. Nejse pak rendesi ka; nuk mund ta hedhesh fajin vetem te burrat. Ata rriten kryesisht nga grate. Meshkujt shqiptare jane emocionale si grate, sepse rriten nga grate ne shumicen e kohes. Baballaret jane rralle ne qarkullim, mund te jene emigrante jashte vendit, po dhe kur jane ne Shqiperi jane spektatore ne rastin me te mire dhe hic prezent (ler kalamonin ne gjume e gjeje ne gjume) ne rastin me te keq. Keto vrasje me thike per nje fjale goje, apo shperthime te tilla emocionale me shume u shkojne per shtat grave se burrave, sepse pikerisht keta burra po rriten nga gra qe jo rrallehere jane baxhella dhe te poshtra. Ne pergjithesi shoqeria shqiptare eshte e pamoralshme ku idhujtohet vjedhja imoraliteti etj dhe grate shqiptare jane shpesh here protagoniste te kesaj. Hiqe gjuhen e urrejtjes ndaj burrave shqiptare e qeteso shpirtin tend e mos bej shume thirrje te ngrihen grate e ta marrin situaten ne dore se te gjithe e dime me mire se te gjithe se cfare u ndodh shoqerive qe i marrin grate ne dore. Hajt Ballukizem te mbare

  7. Bukur vërtetë

    Problemi qëndron ke filmat dhe muzika që u serviret dhe më pas përtypin çdo ditë. Sidrit Bejleri me 2 gusht ka publikuar një status kuptimplotë në FB. Kryesisht sjellja është çështje genesh, buron nga edukata familjare. Me disa jeta është treguar bujare nga ana ekonomike dhe për këtë arësye nuk e durojnë dot supermacinë e tjetrit, sidomos të atyre që janë në një situatë ekonomike jo të barabartë me të tyren. Fiksohen. "Nuk ka më keq se injoranca e shoqëruar me mendjemadhësi". Problemi i injorancës shoqëruar me mendjemadhësi qëndron edhe ke gratë. Ajo kunata i bëri video nuses vëllait ja publikoi, kalamajtë në video. Ça fitoi ?! Sa degjeneroi babain e fëmijëve dhe fëmijët që tashmë do quhen fëmijët e …. buri i …. Nuk e kuptoj si shikohen në pasyrë njerëz të tillë.