• |
ide | kryesore

“Të fortët” e futbollit/ Si u vra presidenti i Beratit Ardian Çobo pas ndeshjes me Partizanin

Arkiva, Sport
besnik-kaimi-ardian-cobo-Untitled-470x216.jpg



Ndikimi i “të fortëve” të viteve ‘90 në futbollin shqiptar ka qenë i përmasave jo të vogla, ku raste të shpeshta dhune evidentoheshin në stadiumet tona. Njerëz me precedentë penalë ose që dyshoheshin për aktivitete të jashtëligjshme si dhe për lidhje kriminale kishin ndikim edhe në sferën e futbollit. Ardian Çobo ishte një 26-vjeçar nga Berati, presidenti i klubit të “Tomorit” dhe pronari i lokalit më luksoz në këtë qytet në vitin 1999, i cili mbante emrin “Shtëpia e Bardhë”. Në atë kohë, ai njihej si presidenti më i suksesshëm i “Tomorit” të Beratit, por që dyshohej edhe për implikimin e tij në afera të ndryshme. Dyshimet për këtë aktivitet i përforcoi një shkrim i botuar në një media angleze “The Telegraph”.

Çobo ishte një djalë i ri beratas shumë i apasionuar ndaj futbollit dhe i pari që e afroi aq shumë ekipin e “Tomorit” në fitimin e titullit kampion. Kjo skuadër ishte gati duke e prekur kupën e kampionatit, kur presidentit të tij iu bë një atentat, në të cilën gjeti vdekjen.

Vrasja e Ardian Çobos

Ishte ditë e shtunë, 13 maj viti 2000. Pak çaste pasi kishte përfunduar ndeshja Partizani–Tomori, në mëngjesoren “Shelgu”, afër stadiumit “Selman Stërmasi” përballë hyrjes “A” të tribunës ndodheshin së bashku arbitrit, presidenti Ardian Çobo, gazetari sportiv Shakohoxha dhe shoferi i njohur i FSHF-së, Agim Veshi. Rreth orës 17:30 u dëgjuan disa të shtëna arme. Në atë kohë, policia tha se A. G. qëlloi me breshëri kallashnikovi në drejtim të presidentit. Plumbat prekën disa persona, por fatkeqësisht më fatale ishin ato ndaj presidentit të Tomorit, Ardian Çobos dhe arbitrit Luan Zylfo. Si pasojë e plumbave, të dy këta persona gjetën vdekjen e menjëhershme, ndërsa dy gjyqtarë të tjerë u plagosën.

Pista e hetimit

Pas gjendjes së vendit në vitin 1997, dhuna në stadiume ka qenë e shpeshtë në Shqipëri, por rasti i Çobos shënohet si vrasja e parë e zyrtarëve të klubeve në botën e futbollit. Pas vrasjes, policia nisi menjëherë hetimet, ku pista kryesore dyshohej të ishte ajo e hakmarrjes.

Prononcimi i arbitrit Besnik Kaimi

Kështu, të ndikuar nga kjo histori, “Gazeta Shqiptare” arriti të sigurojë prononcimin ekskluziv të arbitrit Besnik Kaimi, i cili ka qenë vëzhgues në njërën prej ndeshjeve ku ka luajtur ekipi i Beratit me president Ardian Çobon. Ai rrëfen për gazetën ndikim e “të fortit” të Beratit në fushën e futbollit si dhe përballjen e Çobos me arbitrit në dhomën e zhveshjes.

“Episodi më kryesor që mbaj mënd pasi e kalova vetë mbi kurriz ishte kur ish-presidenti i Beratit, Ardian Çobo donte të hynte në dhomën e arbitrave pas përfundimit të ndeshjes dhe duke qenë se në ato kohë unë kisha rolin e vëzhguesit dhe të delegatit ai më kërkonte me ngulm të takonte arbitrat, por unë vazhdoja t’ia theksoja se rregullorja nuk ia lejonte këtë gjë. Shefi i policisë më jepte shenja nga larg të mos e lejoja “Zhakun” të futej në dhomën e arbitrave, ndonëse vetë nuk afrohej. Ndërkohë, rastësisht shoh dy a tre persona që poshtë xhaketave dallohej që ishin të pajisur me armë.

Si vepruat më tej?

U detyrova ta lejoja të futej në dhomë me kusht që të mos prekte asnjë nga arbitrat fizikisht. I thashë: “Do të të lejoj të futesh, vetëm nëse ti më premton burrash që nuk do i prekësh arbitrat”. Pasi hyri brenda, Çobo u tha arbitrave: “Këtu në Berat nuk ka zot t’ju ngasë njeri me dorë, unë kam për detyrë t’ju nxjerr nga Berati të sigurt dhe do vij do ju gjej ku keni shtëpinë. Këtu s’ju prek njeri me dorë”. Pas kësaj, makinat e policisë u futën në fushë dhe arritën të na shoqëronin duke na larguar nga dera e pasme e stadiumit. /gsh/