• |
ide | kryesore

Kush është bosi i Shijakut që i shpëtoi plumbave me makinën e blinduar

I pakategorizuar
96aeeff4-b282-4a19-a783-4cc428b54246.jpg



Plumbat që ranë sot në Shijak mbi makinën e Dashamir Gjokës rrezikuan direkt familjen e tij. Një prej njerëzve më të pasur të Shijakut nuk lëviz rastësisht me makinë të blinduar. Ai është përballur me drejtësinë prej vitesh si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali, atje ku është dënuar për shfrytëzim prostitucioni.


Pasuria në pronësi të Dashamir Gjokës, dyshohet se është vendosur nga aktivitet i paligjshëm jashtë vendit, pasi ai rezulton i dënuar nga gjykata italiane me 7.5 vite burg, si drejtues i një organizate kriminale që shfrytëzonte femra për prostitucion. Dënimi i vitit 2009 nga drejtësia italiane i ka kushtuar sekuestrimin e të gjitha pronave shtetasit shqiptar Dashamir Gjoka, pronar i kompleksit “Gjoka” në Shijak.
Edhe pse i dyshuari është i lirë, pasi gjykata refuzoi ekstradimin e tij drejt Italisë, në kuadër të ligjit Antimafia, prokuroria dhe gjykata dyshojnë se pasuritë e tij janë krijuar me burime jo të ligjshme.

Image result for dashamir gjoka shijak

Për herë të parë, problemet e Dashamir Gjokës me drejtësinë kanë nisur në vitin 2013, kur ai është arrestuar në Shqipëri për llogari të drejtësisë italiane, por të tria gjykatat kanë refuzuar kërkesën për ekstradim.
Gjithsesi në sekuestro janë pasuri të shumta të Dash Gjokës. Sipas prokurorisë bëhet fjalë për sekuestrimin e kompleksit “Gjoka”, i cili ndodhet në Shijak dhe që është ndërtuar mbi një sipërfaqe prej 6949 m2. Në përbërje të tij ka njësi shërbimi të tilla si bar, restorant, supermarket, motel, terrene sportive, pishinë, si dhe një magazinë. Ende nuk dihet vlera reale e këtij kompleksi, pasi ai ka qenë në proces legalizmi dhe pronari i tij, shtetasi Dashamir Gjoka e ka vetëdeklaruar vlerën në shumën e 1 miliard e 700 milionë lekëve të vjetra.
Por prokuroria dyshon se vlera e tij është shumë herë më e lartë dhe i dyshuari nuk ka mundur të provojë burimin e ligjshëm të parave. Po ashtu, në listën e pronave të sekuestruara janë një ndërtesë dhe truall me sipërfaqe 1247 m2, si dhe pasuria me sipërfaqe 928 m2, brenda të cilit ka një objekt të ndërtuar. Ndërsa pjesa tjetër e pasurisë janë të paktën shtatë toka arë dhe ullishte me sipërfaqe 15 mijë metër katror.
Në një njoftim për mediat prokuroria sqaron se pronat e regjistruara në emër të shtetasit Dashamir Gjoka, nga Shijaku, Durrës, dyshohet se janë vënë nga veprimtari kriminale që ai ka kryer jashtë vendit.
“Në aktet e administruara në Prokurorinë e Përgjithshme, të mbërritura nga autoritetet italiane, rezulton se shtetasi Dashamir Gjoka është dënuar nga Gjykata e Apelit e Milanos më datë 29.11.2007, vendim që është bërë përfundimtar më datë 07.10.2009, me 7 vjet e 6 muaj burgim për veprat penale të organizatës kriminale që synon shfrytëzimin e prostitucionit dhe të tjerë”, thotë prokuroria.
Sipas akuzës, episodet për të cilat është deklaruar fajtor dhe dënuar shtetasi Dashamir Gjoka, kanë ndodhur në periudhën 1999 deri në vitin 2003.
“Në këto episode, shtetasi Dashamir Gjoka del si drejtues i organizatës që vepronte në Milano e Puglia dhe që merrej që me futjen në mënyrë klandestine në territorin e shtetasit italian të grave me origjinë nga Europa Lindore, me qëllim prostituimi në formën e detyrimit, favorizimit dhe shfrytëzimit të prostitucionit”, thotë prokuroria.
Sipas informacionit të autoriteteve italiane, shtetasi Dashamir Gjoka rezulton si drejtues i organizatës në fjalë dhe të hollat e siguruara nga ky aktivitet kriminal merreshin dhe i dërgoheshin atij në Shqipëri. Sipas provave në gjykim, me të ardhurat e marra ai kishte blerë disa prona në Shqipëri.
“Paralelisht me shqyrtimin gjyqësor për ekstradimin e tij në Itali, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”, për të verifikuar burimin e pasurive të tij, për të cilat kishte dyshime se ishin krijuar nga aktiviteti i paligjshëm në Itali. Fillimisht, me kërkesë të prokurorisë, në datë 17.03.2015, Gjykata e Durrësit ka vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive të tij. Por më pas, po kjo gjykatë, në datën 30.06.2015, ka urdhëruar heqjen e sekuestros preventive për pasuritë e shtetasit Dashamir Gjoka”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Në listën e pasurive që i përkasin Dashamir Gjokës, të cilat janë sekuestruar me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda është edhe kompania “Gjoka” sh.p.k.

Kjo kompani është krijuar në vitin 2012 dhe rezulton se e ka selinë qendrore në një prej pronave të tjera të Gjokës, që gjithashtu është sekuestruar me vendim gjykate. Kjo kompani ka një kapital prej 17 milionë e 800 mijë lekësh të reja dhe ka aktivitet në tregtinë me shumicë dhe pakicë, import-eksportin e artikujve të ndryshëm, hoteleri-turizëm, transport mallrash, si dhe pikë servisi.

Pjesë e aktivitetit të kompanisë së sekuestruar është edhe tregtia e karburanteve me pakicë, vajra lubrifikante dhe të gjitha nënproduktet e tyre.

Kjo kompani rezulton me bilance të rregullta, të depozituara në QKR dhe prej shumë vitesh është drejtuar nga vetë Dashamir Gjoka. Ky i fundit është edhe ortaku i vetëm i kompanisë që prej krijimit të saj në vitin 2002 dhe regjistrimin në gjykatë 1 vit më pas.

Related image

Të sekuestruara:

1.“Kompleks Shërbimesh “Gjoka”, me sipërfaqe ndërtimore prej 6949 m2.

a) Objekt i ndarë në 3 kate me emërtim “Supermarket, Bar Restorant, Motel”;
b) Objekt dy kate me emërtim “Disko Bar, Palestër, sallë lojërash”;
c) Objekt një kat me emërtim “Bar Kafe”; pishinë;
d) Objekt qendër sportive (Motel 2 dhoma);
e) Objekt Qendra Sportive, Kalҫeto;
f) Objekt magazinë një kat.
Pemishte+truall+ndërtesë me sipërfaqe 1800 m2, e ndodhur në Sallmone, Xhafzotaj.
Tokë arë me sipërfaqe 5090 m2, e ndodhur në Sallmone, Shijak.
Tokë arë me sipërfaqe 5520 m2 e ndodhur në Sallmone, Shijak.
Tokë arë e ndodhur në Qerret Katund i Ri me sipërfaqe 1546 m2.
Ndërtesë +truall me sipërfaqe 1247 m2 truall e ndërtesë 230 m2, e ndodhur në Sallmone, Shijak, (në të cilën është ngritur një godinë shërbimi dy kate+bodrum, sipërfaqe bodrumi 147 m2, sipërfaqe kati 710 m2).
Tokë arë me sipërfaqe 3110 m2, e ndodhur ne Sallmone, Shijak.
Pasuria me sipërfaqe 928 m2, (brenda të cilës ndodhet një ndërtim 160 m2, dhe truall 400m2).
Tokë arë me sipërfaqe 3700 m2, me adresë Sallmone-Xhafzotaj.
Tokë arë me sipërfaqe 1980 m2, me adresë Sallmone-Xhafzotaj.
Shoqëria “Gjoka” sh.p.k., së bashku me të gjitha asetet e saj.

Të gjitha akuzat e drejtësisë italiane për Dashamir Gjokën

Në vitin 2007, Gjykata e Apelit në Milano ka dënuar shtetasin shqiptar Dashamir Gjoka me 7 vjet e gjysmë burg për akuzat e trafikimit të femrave për shfrytëzim prostitucioni. Ky vendim ka marrë formë të prerë më 7 tetor të vitit 2009 dhe që prej asaj kohe, i dyshuari është shpallur në kërkim ndërkombëtar për këto akuza. Gjyqi ndaj tij është zhvilluar në mungesë dhe kjo ka qenë një nga arsyet përse gjykatat shqiptare refuzuan kërkesën e autoriteteve italiane për ekstradimin e tij. Në vendimin e Gjykatës së Milanos renditen edhe faktet kriminale, që dyshohet se ka kryer shtetasi Dashamir Gjoka, të cilat sipas autoriteteve italiane tashmë janë të provuara.
Ka bashkëpunuar me disa persona, me qëllim kryerjen e një shumice krimesh relative me futjen në mënyrë klandestine në territorin e shtetit italian të grave me origjinë nga Europa Lindore me qëllim që t’i prostituonin. Gjoka ishte me detyrën e organizuesit dhe drejtuesit të grupit, i cili vepronte në Milano dhe Puglia që prej vitit 1999.

Në bashkëpunim me persona të tjerë, ka organizuar dhe drejtuar aktivitetin që favorizonte hyrjen klandestine në Itali të 2 vajzave me origjinë moldave, me qëllim prostituimi. Krim ky i kryer në Puglia, në periudhën përpara datës 08.01.2000.

Ka vepruar në bashkëpunim për të futur, favorizuar dhe shfrytëzuar prostituimin e 2 grave që flitet në pikën e mësipërme, fakt i vërtetuar në Milano në periudhën përpara datës 08.01.2000.

Ka vepruar në bashkëpunim me disa persona për të organizuar dhe drejtuar aktivitetin e futjes në mënyrë klandestine në Itali të 3 vajzave me origjine moldave, me qëllim që t’i shfrytëzonin si prostituta. Fakt i vërtetuar në Bari ndërmjet datave 8 dhe 9 janar 2000.

Në bashkëpunim, ka organizuar dhe drejtuar aktivitet që të favorizonte hyrjen klandestine në Itali të 3 vajzave me origjinë moldave, me qëllim prostituimi. Krim ky i kryer në Milano në periudhën janar 2000 deri më 06.11.2000 (koha kur pala e dëmtuar ka depozituar kallëzimin).

Në bashkëpunim, ka organizuar dhe drejtuar aktivitet që të favorizonte hyrjen klandestine në Itali të 4 vajzave me origjine të huaj (njëra rumune) me qëllim prostituimi. Krim ky i kryer në Itali më 15.12.2000.

Ka vepruar në bashkëpunim për të futur, favorizuar dhe shfrytëzuar prostituimin e 4 grave që flitet në pikën e mësipërme, fakt i vërtetuar në Milano më 15.12.2000.

Në bashkëpunim me disa persona, ka organizuar dhe drejtuar aktivitet që të favorizonte hyrjen klandestine në Itali të vajzave me origjinë rumune, me qëllim prostituimin. Krim i kryer në Puglia më 12.01.2001.
Kishte detyruar, favorizuar dhe shfrytëzuar prostituimin e shtetases V. A, fakt i vërtetuar në Milano nga datat 13.01. 2001 e më pas.