• |
ide | kryesore

Historike! Skënderbeu për herë të dytë në grupet e Europa League

Arkiva, Sport
asasassssss.jpg



Historike! Skënderbeu bëhet klubi i parë shqiptar që kalon 4 ture në Europa League dhe shkon në grupet e këtij kompeticioni. Skënderbeu luajti në “Elbasan Arena” ndeshjen e kthimit të “Play-off”-it të Europa League me Dinamon e Zagrebit. Klubi korçar përfiton tashmë 3.3 milionë euro nga UEFA ndrysa lojtarët do të marrin 200 mijë euro shpërblim. Pasi barazoi javën e parë 1-1 në “Maksimir”, edhe në shtëpi skuadra korçare barazon 0-0, dhe me gol në fushën kundërshtare kualifikohet në fazën e grupeve të Europa League.

Ndeshja

Të besuarit e Ilir Dajës tregohen të rrezikshëm në minutën e 6-të me Liridon Latifin, duke drithëruar kroatët. Ylli i korçarëve synon me një gjuajtje të fortë nga jashtë zonës, por portieri i Dinamos devijon me vështirësi. Më pas vendësit vazhdojnë të luajnë mirë, duke mos u vënë në asnjë moment në rrezik nga kundërshtari. Me pjesën e parë të mbyllur 0-0 Skënderbeu e sheh veten në fazën e grupeve. Në pjesën e dytë në të 52’ Shehi shpëton korçarët, duke pritur gjuajtjen e Olmo. Për Skënderbeun, Soue ka rastin më të mirë të shënojë, por i vetëm përballë portierit kroat nuk gjuan si duhet. Në të 78’ çdo gjë ndërlikohet për bardhekuqtë, pasi mbeten me dhjetë lojtarë. Nimanga ndëshkohet me karton të kuq. Por me Shehin në krye bardhekuqtë tregohen heroik, duke mos pësuar gol dhe arrijnë për të dytën herë në grupe. 

Festa

Pas përfundimit të ndeshjes, në stadiumin “Elbasan Arena” ka filluar festa e merituar e korçarëve, të cilët janë përshëndetur me të gjithë tifozët e pranishëm duke bërë xhiron e nderit në stadium. Ndërsa futbollistët shqiptarëve gëzoheshin, për ata të Dinamos së Zagrebit ka filluar “gjyqi’, nga tifozët e pranishëm kroatë të cilët kanë pasur kontestime të shumta ndaj lojtarëve.