• |
ide | kryesore

Si mund të mbijetojnë PD dhe LSI

Arkiva, Ide
lubonja foto.jpg

Dy shkrimet e fundit ia kam dedikuar analizës së të kaluarës dhe të ardhmes së dy partive opozitare më të votuara në vend: PD-së dhe LSI-së. Në këto shkrime, më të rëndësishme se analizat e të shkuarës, konsideroj propozimet që bëj për transformimet e tyre të mundshme me synim daljen nga sistemi i grabitjes së shqiptarëve dhe kundërvënien ndaj tij. Në këtë kontekst, për sa i përket PD-së, meqenëse ka njëzet e pesë vjet që deklarohet parti e djathtë, propozoj kthimin e saj nga një parti e sistemit të grabitjes, që ideologjikisht predikon të djathtën liberale, në parti të djathtë sociale. Për LSI-në propozoj kthimin e saj nga parti “pragmatiste”, në fakt parti e sistemit, në parti vërtet socialiste,- ndryshe mund të përdor termin e majtë sociale si kundërvënie ndaj të majtës liberale siç vetëkonsiderohet PS-ja.


Qoftë nëpërmjet kontaktesh direkt, qoftë nëpër rrugë mediatike më kanë ardhur disa vërejtje e komente të rëndësishme, përgjigjja ndaj të cilave më ndihmon të shtjelloj më mirë se çfarë kam pasur parasysh.


A nuk do të ishte më mirë që PD të luftonte për t’u bërë një parti e vërtetë liberale, pra e qendrës së djathtë, dhe jo e djathtë sociale që, veç të tjerash, evokon partitë fashiste- më shkruan dikush– sepse edhe vetë PS-ja nuk është parti liberale në kuptimin e vërtetë të fjalës, që t’i ketë uzurpuar PD-së vendin në spektrin politik.

Në kushtet aktuale këtë sugjerim e shoh të pamundur të realizohet. Le të shpjegohem. Ajo çka vihet re prej kohësh në Shqipëri është fakti se individualizmi, si shprehje e ideologjive liberale apo neoliberale (që fillimisht i kemi përqafuar të gjithë si reaksion ndaj komunizmit) ka marrë përmasa të frikshme. Për njeriun shqiptar çdo gjë publike: zyra në administratë, spitalet apo shkollat publike, politika, vetë shteti janë bërë mjete për t’u përdorur për përfitime personale; për t’i grabitur tjetrit mundësisht edhe hisen e ajrit, diellit, tokës apo detit. Për këtë ka ndikuar jo vetëm regjimi komunist, që, duke imponuar një kolektivizim të detyruar dhe absurd, e bëri njeriun shqiptar antisocial, por ka ndikuar edhe përqafimi nga politika i ideve neoliberiste që triumfuan në fillim të viteve ’90, të sintetizuara në thënie e Thatcherit: “Nuk ka shoqëri, ka vetëm individë”. (Më poshtë do të përdor termin “liberiste” dhe jo “liberale” duke bërë dallimin që bëjnë italianët midis dy termave që me “liberale” kuptojnë liri shumë më të gjëra sesa liria ekonomike, kurse me “liberiste” kuptojnë vetëm lirinë ekonomike, që merr konotacion negativ për pasojat që sjell edhe për liritë e tjera).

Problemi është rënduar sepse të gjitha partitë e krijuara (si PD e LSI) apo transformuara (si PS) përqafuan neoliberizmin si ideologji, duke e keqpërdorur atë për të justifikuar përdorimin e shtetit si instrument individësh grabitqarë. Sot mund të thuhet se energjia që çliroi njeriu i promovuar prej këtyre politikave rezultoi shkatërrimtare për shoqërinë, kombin- nëse me këto do të kuptojmë bashkësi individësh që s’kanë vetëm të sotme, por edhe një të kaluar dhe një të ardhme. Sot Shqipëria banohet nga një masë kaotike individësh që vështirë se mund ta quash shoqëri apo komb, sepse po hanë njëri- tjetrin, aq sa po diskutohet mbyllja e dyerve të Europës për shqiptarët pse po eksportojnë atje krimin. Pra, ashtu sikurse dje u bëmë rasti më i shëmtuar i totalitarizmit komunist, sot jemi bërë shembulli ekstrem i neoliberizmit të praktikuar me frymë totalitare.

Gjykoj se në këto kushte kërkesa për një parti “liberale të vërtetë” për opozitën e djathtë, siç vetëquhet PD-ja, nuk do të ishte gjë tjetër veçse ruajtje e statukuosë. Sepse nuk ka një liberalizëm të vërtetë. Individualizmi i ka në AND-në e vet shumë nga të këqijat nga të cilat vuan sot edhe bota perëndimore ku ka parti vërtet liberale. Por ndërsa atje këto të këqija i zbut shteti i së drejtës, si dhe kundërpeshat institucionale bazuar në faktin se njeriu nuk është vetëm qenie individuale, por edhe qenie sociale, siç janë p.sh., komunitetet fetare, organizatat fetare, filantropike apo edhe partitë e djathta e të majta sociale, në Shqipëri ato janë ulëritëse, sepse këto mungojnë tërësisht ose janë pa ndikim.

Normalisht të gjitha partive u duhet kërkuar zhvendosje drejt sociales. Por mundësia që këtë ta bëjnë partitë opozitare është më e madhe. Sepse rreth PS-së së Edi Ramës sot janë grumbulluar të tërë ata që po e aplikojnë individualizmin në formën më agresive, shpesh kriminale, me në krye kryeministrin, i cili ka arritur deri aty sa ka zhdukur çdo dallim midis Kryeministrisë si institucion publik dhe si pronë private, prandaj më duket e vështirë të vijë ndryshimi prej saj, përkundrazi ajo është objektivi që duhet goditur.

Në këtë kontekst, nuk e kam përdorur termin “e djathta sociale” duke pasur parasysh partinë fashiste të Musolinit, aq më pak një parti me frymë totalitare, të dhunës dhe nacionalizmit si urrejtje ndaj të tjerëve. Kam pasur parasysh faktin se sot në botë ekzistojnë të djathta edhe të majta që kanë zhvilluar një mendim politik alternativ ndaj neoliberizmit dominant.

Me të djathtë sociale kuptoj një të djathtë që i kundërvihet individualizmit liberist (ndryshe këtij kapitalizmi të egër) duke predikuar shpirtin e komunitetit (komunitarizëm), që e sheh njeriun pra jo thjesht si individ, por si pjesë e një komuniteti qoftë ky fetar, etnik apo nacional, që i mëshojnë idesë se nëse me individualizmin njeriu vdes me njeriun, në komunitarizëm ai vazhdon të jetojë pasi shihet si pjesë e një komuniteti. Dhe prandaj komunitarizmi kërkon t’i ruajë dhe mbrojë traditat e të drejtat e këtyre komuniteteve nga agresioni i individualizmit që kërkon t’i copëzojë ato.

Ky është një propozim që e bëj për PD-në që nuk do të ishte gjithsesi, si e tillë, partia ime. Personalisht do të votoja për një të majtë që i rikthehet sociales, që i propozoj LSI-së. Me të kam parasysh një të majtë që i mëshon sociales, mbështetur mbi idealet e barazisë kundër polarizimit, të solidaritetit kundër egoizmit, që i kundërvihet alienacionit të njeriut të reduktuar në “homo economicus”, kombinuar me gjithë ato tipare të reja që ka përqafuar e majta sot si p.sh., idetë e ruajtjes së natyrës nga degradimi që po i bën etja për pasurim e një grushti njerëzish, kritikat kundër “zhvillimit” i kuptuar si rritje e GDPsë- më së shumti nëpërmjet rrënimit të ambientit- në emër të “progresit” i kuptuar si rritje e cilësisë së jetës në harmoni me natyrën, si humanizim i shoqërisë etj. Nuk është vështirë t’i gjesh idetë nëse i kërkon; problemi është se partitë tona janë të izoluara nga këto ide dhe e kanë mbajtur edhe shoqërinë të izoluar, sepse u ka interesuar që njeriu të ndihet thjesht e vetëm si individ i braktisur në fatin e tij dhe jo si pjesë e një komuniteti që mendon jo vetëm për sot, por edhe për të ardhmen e tij e që vepron i bashkuar kundër rreziqeve që i kanosen.

Sistemi i grabitjes arrin të mbajë sot për sot shumicën e popullit nga vetja jo vetëm pasi oligarkët kanë para për t’u siguruar mbijetesën sot për sot, por edhe nëpërmjet mbajtjes së njerëzve në analfabetizëm funksional, që të mos dinë/duan të lexojnë as të artikulojnë mendime të tilla, deri as të njohin kuptimin e fjalëve të tilla të rëndësishme si e djathta sociale apo e majta, liberizmi, neoliberizmi, komunitarizmi etj. Deri më sot PD si parti e sistemit është mjaftuar t’u thotë të vetëve, me gjuhën primitive të një komunisti të konvertuar në antikomunist, se të jesh i djathtë do të thotë të jesh kundër komunistëve të djeshëm që ju kanë persekutuar dhe bijve të tyre, të jesh me Amerikën, të jesh nacionalist e fraza të tilla, kurse një parti si PS-ja apo edhe LSI-ja u thanë të vetëve se ata (të majtët pra) janë më të mirë, madje më antikomunistë, se komunisti i konvertuar në antikomunist Sali Berisha. Ndërkaq, të gjitha akuzojnë njëra- tjetrën për korrupsion dhe të gjitha u propozojnë shqiptarëve Europën e modelit liberist, paçka se në realitetin Europë ka aq shumë diferenca dhe aq shumë debat mbi të ardhmen e saj nga këndvështrime të ndryshme.

PD dhe LSI duhet të shkëputen nga ky thjeshtëzim banal nëse duan të mbijetojnë.

Një pyetje e dytë është: Por, duke propozuar këtë dalje në ekstreme të dy partive, si mund të mendohet një koalicion midis tyre që të mund të heqë qafe këtë parti oligarkësh që duke pas pushtuar ideologjikisht qendrën kërkon të mbulojë të gjithë spektrin siç është ajo e Edi Ramës.

Përgjigjja ime është kjo:

Në thelbin e shkrimit tim është nevoja për të përfaqësuar të papërfaqësuarit qoftë si shtresë ekonomiko- sociale e papërfaqësuar, qoftë edhe si dimension social i njeriut, i pakultivuar. Kjo punë duhet të fillojë pavarësisht a merret apo nuk merret pushteti nesër. E sigurt është se ndërgjegjësimi i të papërfaqësuarve nëpërmjet kësaj pune herët ose vonë do t’i merrte elektoratin maxhorancës neoliberiste të oligarkëve- duke imponuar edhe ridimensionimin e saj- si dhe për të ngritur shtetin ligjor që sot për sot nëpërkëmbet edhe pse dy partitë në fjalë, duke qenë pjesë e sistemit të grabitjes, nuk u ka interesuar drejtësia dhe shteti ligjor. Pra, nëse Edi Rama sot predikon se përfaqëson të gjithë popullin, duke punuar për një grusht njerëzish kundër popullit, ajo që propozoj në thelb është që partitë opozitare të transformohen ashtu që t’i marrin PS-së popullin dhe t’i lënë oligarkët dhe kriminelët. Edhe për koalicion gjykoj se ka vend nëse të dyja takohen e bien dakord të konvergojnë tek socialja.

Dakord me këtë analizë e këto kërkesa, por a mund të transformohen këto parti të korruptuara fund e majë me sistemin apo duhen lëvizje të reja, siç ka folur edhe vetë?- më thotë dikush tjetër.

Kush i ka lexuar me vëmendje dy shkrimet e mia të fundit nuk është se shfaq ndonjë optimizëm për të ardhmen e këtyre partive. Përkundrazi, duke iu referuar një thënieje të famshme të Romain Rolandit “pesimizmi i intelektit, optimizmi i vullnetit”, them se gjasat që të ndodhë ajo që kërkoj janë minimale për të mos thënë zero, por me “optimizmin e vullnetit” nuk mund të mos e kërkosh këtë nga këto parti. Historia tregon se kanë qenë shpeshherë nevojat ulëritëse të kohës që i kanë detyruar shumë parti historike të transformohen për të mbijetuar. Mjaft të kemi parasysh partitë ish- komuniste si në Lindje edhe në Perëndim. E vërteta është se ato u transformuan kur ra sistemi, por unë gjykoj se shenjat e rënies së këtij sistemi janë shfaqur dukshëm tashmë. Personalisht jam i bindur se thirrja për socialen për mbrojtjen e publikes për uljen e polarizimit herët ose vonë do t’i imponohet edhe partisë sistem siç është sot PS-ja.

Lindja e forcave të reja mbi këto ide do ta nxiste përshpejtimin e këtij fenomeni. Kam parasysh se disa nga propozimet kryesore të “Lëvizjes Pesë Yjet” në Itali, siç është caktimi i një të ardhure mujore për çdo shtetas italian që është i papunë, tashmë janë bërë pjesë edhe e programeve të partive tradicionale. Por ajo që vë re me keqardhje është se edhe parti të reja si ajo e Blushit dhe e Bojaxhiut që konsiderohen antisistem tentojnë të rrinë në qendër, si parti liberale.

Një pyetje tjetër që mund të lindë në këtë diskurs është: Po a mund të lindin parti komunitariste atje ku, siç e thua edhe vetë, nuk ka komunitete? Vërtet kështu është, por shpirti komunitar edhe mund të zhvillohet, pasi bën pjesë në potencialitetet njerëzore. Dhe në këtë aspekt mendoj se e djathta mund t’u drejtohet vlerave të komuniteteve fetare që ekzistojnë në vend, atyre rajonale, pa harruar edhe ndjenjat e vërteta patriotike me të cilat deri më sot kanë abuzuar të gjitha. E majta, nëse do të jetë e majtë, e ka më të vështirë për të kërkuar komunitarizmin dhe solidaritetin në drejtim të traditës, por e ka edhe më të lehtë nëse do të punojë për të zgjuar të gjithë atë pjesë të popullsisë shqiptare që është viktimë e vendimmarrjeve oligarkike që kanë pasuruar një grusht njerëzish në kurriz të pasurisë publike dhe djersës së shumicës. /panorama/

Kthehu