• |
ide | kryesore

Mbyllet mbledhja e qeverisë në Llogara, plas festa në Korçë

Arkiva, Pikante
download.jpg



Mbledhja 2-ditore e ministrave të vjetër në qeverinë e re, në një nga resortet e Parkut Kombëtar të Llogarasë u mbyll me një vendim surprizë. Burime të rezervuara i thanë lapsi.al se pas 48-orësh diskutimesh kreu i qeverisë Edi Rama ka kërkuar nga ministrat të japin një ide mbi vendimin e parë që do të marrë kabineti ditën e parë kur do të hyjë në zyrë.

“Përpara 4 vitesh morëm atë vendimin kundër importit të plehrave, por që e ndryshuam më vonë. Tani na duhet diçka që të rezistojë pak në kohë” – mësohet të ketë thënë pak a shumë Rama.

“Të bëjmë ndonjë amnisti të vogël me taksat” – tha me gjysmë zëri Ahmetaj, por nuk vazhdoi më tej kur pa vështrimin e shefit.

“Ndonjë investim në rrugë?” – pyeti Gjiknuri, por fytyra e Ramës nuk ndryshoi.

Zv.kryeministrja Senida Mesi që duket se ende nuk i di huqet e Ramës tha e bindur: “Të rrisim rrogat dhe pensionet?”

Rama as nuk e ktheu kokën. Këtu ra heshtja.

Ndërsa të gjithë mendoheshin me kokën ulur ishte vetë kreu qeverisë që theu akullin.

Pasi kruajti zërin dhe mori një pamje serioze Rama u tha të tijve: “2018-ën do ta shpallin vitin e Skënderbeut” dhe pa nga Mirela Kumbaro që ishte strukur në fund të tavolinës.

Të gjithë shtangën ndërsa ministri i bujqësisë Niko Peleshi duartrokiti.

“E meriton! Kaloi 4 skuadra dhe u fut për herë të dytë në grupet e Europa Ligës. Shumë mirë e gjete” – tha ish-zv.kryeministri.

Ndërsa të gjithë shikonin njëri-tjetrin Rama mbylli mbledhjen. Duke dalë shkroi në Twitter: “Mbyllëm diskutimin maratonë me skuadrën e re qeverisëse. Vendimi i parë i qeverisë do të jetë shpallja e vitit 2018 VITI I SKENDERBEUT”.

Kaq është dashur edhe në Korçë ka shpërthyer festa. Sapo televizionet informative transmetuan me titra vendimin e qeverisë në të gjithë lokalet e “qytetit të serenatave” filloi ngritja e dollive: “Për Skënderbeun! Për Nikon!”. Festa pritet të zgjasë derisa Niko Peleshi t’ua shpjegojë se bëhet fjale për 550 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar.  /lapsi.al/