• |
ide | kryesore

New York Times: Të tjera fakte për lidhjet e Trump me Vladimit Putin

Arkiva, Planet
tp.jpg



Të tjera fakte kanë dalë në dritë për lidhjet e presidentit Trump me Moskën përpara zgjedhjes së tij në krye të Shtëpisë së Bardhë. New York Times raporton mbi një seri email-esh të shkëmbyera mes një ortaku në biznes të presidentit dhe avokatit të tij. Email-et datojnë në vitin 2015 dhe dëshmojnë për ambiciet e larta politike të Trumpit.

Felix Sater, ortak biznesi i presidentit, i premtoi avokatit të Trump në vitin 2015 se do të realizonte një marrëveshje mbi zgjerimin e biznesit të pasurive të patundshme të familjes Trump në Rusi. Sipas email-eve, Sater merrte përsipër ndërtimin e një kulle Trump në Moskë, për të cilën garantonte ndihmën e presidentit rus, Vladimir Putin.

Suksesi në këtë iniciativë do ti jepte Trumpit më shumë kredo politike e me shume gjasë do të ndihmonte në fitoren e presidencës.

Parashikimet e Sater u shkruan në një seri email-esh, që ortaku i Trump shkëmbeu me Michael Cohen, avokatin e presidentit.

“Djali ynë mund të bëhet president i Shteteve te Bashkuara dhe ne mund ta realizojmë këtë. Unë do të marr të gjithë ekipin e Putinit për ta realizuar këtë”, shkroi Sater në një email.

Emailet tregojnë se që nga muajt e hershëm të fushatës së miliarderit Trump, disa nga bashkëpunetorët e tij kishin lidhje të ngushta me Moskën dhe këto shiheshin si një avantazh politik. Të gjitha këto lidhje, aktualisht janë nën hetimin e departamentit të drejtësisë amerikane dhe kongresit.

Megjithatë NYT shkruan se një email sugjeron që Sater ekzagjeronte lidhjet e tij me Rusinë. Projekti në fjalë nuk mori kurrë lejen e qeverisë ruse apo financim.