• |
ide | kryesore

Zbulohet skema që do të aplikojë Panuçi në ndeshjen e parë me Shqipërinë

Arkiva, Sport
formacioni-658x349.jpg



Lihtenshtejni do të jetë prova e parë e Kristian Panuçit si trajner, që padyshim ka filluar të krijojë një ide mbi atë që mund të jetë formacioni i tij në këtë debutim. Sigurisht që trajneri do të provojë të sjellë një frymë të re në skuadër dhe Liehtenshtejni mund të jetë rasti i duhur për ta bërë diçka të tillë pse jo duke provuar si titullar dhe emra të rinj, që deri në këto momente e kishin pasur pak mundësinë për të qenë që nga minuta e parë në fushë.

Në seancat e para stërvitore nga rreshtimet e tij Sport News ka mundur të zbulojë mënyrën sesi trajneri po mendoj të luajë në ndeshjen e 2 shtatorit, ku skema e përzgjedhur dhe për shkak të emrit të kundërshtarit është sulmuese me rreshtimin 4-3-3.

Sigurisht që disa emra titullarësh, Panuçi i ka të qartë duke nisur nga porta ku do të rikthehet titullar Berisha, ndërsa Mavraj në qendër e Hysaj në të djathtë janë të padiskutueshëm. Dilema mbetet aktivizimi i Agollit nga minuta e parë apo Memollën, për të provuar dhe cilësitë e këtij të fundit, ose prania përkrah Mavrajt në mbrojtje e Ajetit apo Djimshitit, me të parin që ishte ndër më të mirët në ndeshjen e fundit për Crotonen.

Në mesfushë, Basha dhe Lila duket të palëvizshëm, ndërsa Kukeli dhe Memushaj janë në balotazh me njëri-tjetrin, ku prania e futbollistit të Sionit do të bënte që skuadra të ishte paksa më e tërhequr ndërsa me Memushajn do të kishte më tepër fantazi. Në sulm, në krahun e majtë Hyka dhe Grezda janë mëdyshjet e Panuçit për krahun e majtë, ndërsa Roshi dhe Ahmedi në krahun e djathtë.

Nuk është përcaktuar ende se kush do të luaj në qendër të sulmit me Latifin e Llullakun që janë në garë për një vend, ku futbollisti i Akademisë Pushkash duket paksa më i favorizuar, gjithmonë duke marrë në konsideratë dhe faktin që Sadiku për momentin është i mbërthyer nga gjendja gripale, sepse riaftësimi i tij mund të ndryshojë dhe idetë e Panuçit.

Në bazë të emrave që trajneri do të hedhë në fushë këtë të shtunë do të përcaktohet më pas dhe dëshira e tij për të provuar emra të rinj në sfidën me Lichtensteinin apo për t’i besuar dhe atyre që kanë më shumë përvojë në kombëtare, dhe pse emri i kundërshtarit, pa e nënvlerësuar mund të lejojë më tepër eksperimente se zakonisht.