• |
ide | kryesore

Shqiptarët, konsumatorë fast- food të ngjarjeve, që kërkojnë dozën e radhës

I pakategorizuar
consumerism-titlea_tumb_660.jpg

Ne shqiptarët jemi një popull që “vdesin” për lajme dhe sidomos për skandale. Na pëlqen të hidhemi në kritika e diskutime të zjarrta shpeshherë me njëri- tjetrin sa në rrjetet sociale, po aq në kafene e shtëpi. Sigurisht që disa nga ngjarjet më pikante të ditëve të fundit kanë qenë temë diskutimi tek shumë shqiptarë të zakonshëm.

Vrasja e gjykatëses Hafizi nga ish-bashkëshorti i saj ishte një temë e nxehtë, ku shumica dënuan dhunën ndaj grave, si dhe u ngritën në protestë për këtë fenomen. Arena e galdiatorëve, si çdo herë tashmë, ishin rrjetet sociale. Por pavarësisht zhurmnajës së madhe, fenomeni mbetet po aty dhe po ashtu fakti që një gjykatëse u vra në mes të Tiranës. Pak ditë më vonë ndodhi mbulimi i statujës së Skëndërbeut gjatë faljes së namazit nga besimtarët muslimanë. Debati u përhap fuqishëm në rrjetet sociale për të përfunduar në gazeta e televizione, aq sa po dyshohet për duart të fshehta që duan të destabilizojnë harmoninë fetare në vend.


Pasi këto ngjarje po konsumoheshin, dje, pas shumë lajmërimesh, u transmetua emisioni “Opinion” në përvjetorin e 20 të tij, në një maratonë që përfundoi pas mesnate. Qysh dje, temë diskutimi tashmë u bë ky event.

Ne shqiptarët jemi konsumues të mirë të lajmeve apo ndodhive dhe kurrë nuk i lënë “thatë” mediat, gazetat apo portalet. Jemi gjithmonë të gatshëm për të shkaktuar stuhi të forta debatesh, por vetëm kaq. Pasi e konsumojmë një ngjarje, kalojmë direkt tek tjetra. Nuk ndalemi të analizojmë shkaqet dhe mënyrat se si duhen zgjidhur, por mjaftohemi vetëm me komentimin e tyre. Dhuna në familje, rritjet e çmimeve, taksat e karburanteve, fenomenet sociale, vetëvrasjet, divorcet, arsimi, papunësia etj, etj., janë çështje që shpeshherë kërkojnë një thellim e refleksion nga shoqëria dhe në daljen e disa përfundimeve sepse përndryshe biem në një rreth vicioz përsëritës.

Ne kalojmë nga vrasja e një gjykatësje apo e një gruaje në çfarë kishte veshur dikush në dasmën e filan personi publik, nga fenomenet shqetësuese shoqërore, te foto nudo të ndonjë modeleje apo balerine. Siç duket, shoqëria jonë është futur në një fazë ku nuk do të reflektojë më pse ndodhin dhe pse i bën gjërat, por do vetëm t’i konsumojë ato dhe pas përdorimit t’i hedhë tutje.

Ndoshta kjo vjen për shkak të mungesës së një shtrese realisht intelektuale në vend, e cila i kalon në sitën e reflektimit këto fenomene. Në Shqipëri edhe ato pak grimca intelektuale që i kanë shpëtuar largimit nga vendi, ose janë të blerë ose thjeshtë japin mendime “bombastike” sa për të qëndruar në treg.

Në këtë pikë, shoqëria jonë është shndërruar në një fast- food gjigant konsumimi ndodhish, duke mos u marrë më me thelbin, por vetëm me atë çka bën sensacion apo “skandal”. Një metamorfozë që i përngjason një të droguari lajmesh e ngjarjesh, i cili nuk kënaqet më nga doza e mëparshme, por kërkon gjithmonë diçka më shumë, diçka të re./ Lapsi.al

Kthehu