• |
ide | kryesore

Arratisja e 21-vjeçarit nga komisariati, të afërmit: Na kërkoi bukë e iku, policia na bën presion

I pakategorizuar
save.png



Tre ditë pas arratisjes së të riut Emirjon Nika nga Komisariati i Policisë së Pukës, të afërmit i bëjnë apel të dorëzohet.

Gjyshja dhe daja i tij janë ankuar edhe për presione të vazhdueshme nga ana e policisë, pavarësisht se bashkëpunimi i tyre ka qenë maksimal.

Gjyshja e 21-vjeçarit, Prenda Morina u shpreh se Emirjoni kishte shkuar tek ata pas arratisjes nga Komisariati dhe kishte kërkuar bukë e më pas ishte larguar.

“Emirjoni pas arratisjes erdhi e kërkoi bukë. I thashë shko dorëzohu, por ai iku në drejtim të varrezave”, tha gjyshja e tij.

Ndërsa daja, Vlash Morina foli për dhunë nga ana e policisë. Ai tha se është sharë nga një punonjës i policisë, i cili ka tentuar edhe ta qëllojë.

“Prej të premtes jemi nën presionin e Policisë. Edhe pse kemi bashkëpunuar po më bëjnë presion vazhdimisht. Sot në komisariat një punonjës më shau me familje, tentoi të më qëllonte”, tregon ai, raporton “Neës 24”.

Por të dy i bëjnë thirrje nipit të dorëzohet në polici. “Ne i bëjmë apel, dorëzohu sa nuk është vonë”, thonë ata.

Emirjon Nika, 21 vjeç u arratis nga dritarja e katit të dytë të komisariatit të Pukës ndërsa priste për t’u transferuar për në Shkodër.

Teksa përgatitej dokumentacioni për transferimin e tij në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Shkodër, i arrestuari, banues në lagjen “Don Bosko” në Tiranë, ka arritur të heqë me forcë hekurat nga dritarja dhe është hedhur.

Inspektorët e policisë po përgatisnin makinën me të cilën do të kryenin transferimin kur i riu u arratis. Në një kohë të shkurtër, Nika hoqi hekurat e dritares të komisariatit të vendosura për të parandaluar arratisjet. Më pas, ai ka arritur të dalë nga ambientet e komisariatit pa tërhequr vëmendjen e asnjë punonjësi policie.

Arrestimi i tij erdhi pasi më datë 24 gusht 2017 ka bërë kallëzim në polici shtetasi M. N., banues në Vaun e Dejës, por që prej vitesh jeton si emigrant jashtë vendit, i cili ka deklaruar se në Gomsiqe, Pukë, ndërsa ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij, ka ndaluar për të marrë një person që nuk e njihte për ta ndihmuar pasi po lëvizte në këmbë.

Por, gjatë rrugës i riu i ka marrë me forcë portofolin, në të cilin kishte dokumentet, rreth 250 euro dhe 1500 lekë.

Për kapjen e tij, u nisën në drejtim të Pukës 6 grupe të FNSH-së, si dhe forca të shumta nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër. Pavarësisht se u ngritën pika të shumta kontrolli dhe u njoftua Drejtoria Vendore e Policisë Kukës e Lezhë, si dhe Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër e Kukës, nuk është gjetur ende asnjë gjurmë e 21-vjeçarit në arrati.