• |
ide | kryesore

FOTO/ Dalin SMS-të që nxjerrin blof Enis Bardhin që tha se donte të luante për Shqipërinë

Arkiva, Sport
97c609731aaa576ca0007f97c089a179.jpeg



Mesfushori shqiptar që luan me Maqedoninë Enis Bardhi është konsideruar një talent për shkak të paraqitjeve të tija La Liga me Levanten dhe kombëtaren. Këto u vunë re edhe në ndeshjen e zhvilluar në Strumicë ku dy kombëtaret arritën një barazim 1-1. Në atë ndeshje tregoi cilësi të jashtëzakonshme ndërsa së fundmi ka shkëlqyer në La Liga me një super-gol nga goditja e lirë ndaj Valencias. Në një intervistë për emisionin “Zona Gol” në Supersport ai ka deklaruar së fundmi se ka qenë gati që të luajë për kombëtaren shqiptare por nuk ka pasur asnjë ftesë.

“Gjithmonë kam tentuar të jem pjesë e Shqipërisë, prej moshës 16-17 vjeç kur kam qenë gati, por asnjë ofertë s’ka ardhur. Kam biseduar njëherë me një person që ishte nga Kosova, nga Gjilani. Ai më ka shkruar në Facebook në rrjetet sociale, por kurrë s’ka pasur diçka serioze. Ky njeri më tha që Redi Jupi nuk më njeh dhe nuk e di se kush jam. Isha pjesë e Ujpeshtit dhe isha në hapat e mi të parë dhe shihej që shënoja gola dhe bëja paraqitje të mira, por nuk ka pasur diçka serioze. Ai djali më tha që duhet të vish këtu dhe të të shohë Redi Jupi në prova, ndoshta një javë. Në ato ditë prisja të debutoja me Maqedoninë dhe kërkoja seriozitet dhe jo kështu, në provë. Menaxheri im i ka shkruar Jupit në e-mail dhe Facebook, por asnjë përgjigje”, – deklaroi Enis Bardhi.

Por deklaratat e Enis Bardhit se ëndrra e tij ka qenë që të aktivizohej me Kombëtaren e Shqipërisë dhe se ka kërkuar që në moshë të re që të luajë me Shqipërinë, duket se nuk janë të vërteta. Sipas përfaqësuesit të Federatës Shqiptare, Jetmir Salihu në një prononcim ekskluziv për Gazetaolle.com thotë se e vërtetën rreth Enis Bardhit është ndryshe. Sipas tij ai është kontaktuar që në vitin 2011 dhe nuk është ftuar për prova, por direkt në ndeshje miqësore me Kombëtaren U-21.

“Ai nuk na ka dhënë as numrin e telefonit. Nuk ishte i interesuar të vinte në Kombëtare. Për herë të parë është tentuar të kontaktohet në vitin 2011 në prova te Kombëtarja U-17. Pastaj e kam kontaktuar zyrtarisht në vitin 2014 direkt në ndeshje me Kombëtaren U-21, ndeshje miqësore. Nuk më ka dhënë as numër telefoni. I kam dhënë numrin tim të telefonit, por thjesht nuk ka pasur interes. Thjesht, jemi në kontakt”, – deklaroi Salihu për ‘Olle’ duke bërë edhe një koment lidhur me çështjen në fjalë.

“Që nga viti 2010 e deri më sot kam qindra raste të tilla, futbollistë që e kanë refuzuar ekipin Kombëtar dhe në fund kanë dal me deklarata të tilla sepse thjesht duan t’ia hedhin fajin FSHF-së dhe duan ta fitojnë simpatinë e shqiptarëve që kurrë nuk i përfaqësuan. Ndoshta e kanë shfrytëzuar faktin që nuk kam dal në media, por unë kurrë nuk i kam paragjykuar të gjithë ata që kanë zgjedhur shtete të tjera, por disa herë jam indinjuar me faktin se kanë trilluar histori të ndryshme, më kërkuan lekë, nuk më ftuan, ëndrra ime është Shqipëria etj etj… Gjithashtu, as Enis Bardhin nuk do ta kisha komentuar nëse ai nuk do t’i hidhte zjarrit benzinë. Jam gëzuar kur është transferuar në Spanjë për golat e tij, por këto deklarata janë të pavërteta. Kam vetëm një fjali për të: “Pretendove të dalësh hero kombëtar, por dole palaço. Gjithsesi lojtarit të Maqedonisë i dëshiroj suksese. Gjithë të mirat Enis, emri im është Jetmir, meqë nuk tu kujtua te intervista. Tani do ta mbash mend gjithë jetën”, – tha Jetmir Salihu.

Salihu ka dërguar në moshat e reja të Kombëtares me dhjetëra lojtarë në koordinim me Redi Jupin. Vlen të përmenden emra si Liridon Latifi, Enis Gavazaj apo Milot Rashica. Më poshtë mund ta lexoni bisedën që e ka bërë Salihu me Bardhin.

(kontakti i parë në vitin 2011)

Salihu: Enis a mund të flasim pak

Bardhi: Jetmir une momentalisht nuk dua të beje lëvizje mirëpo faleminderit per interesimin por ne te ardhmen sigurisht se do te ndegjihemi prape.

(biseda vazhdon në vitin 2014)

Salihu: Unë bisedova sot me stafin ekipit kombëtar ne lidhje me ty dhe Valmir Nafiun, dhe pas ofrimit te Isnik Alimit ne Kombetare duam te ju ftojme edhe ju. Andaj ne mund te ju ftojme ne ndeshje miqesore dhe pastaj te vendoset ne lidhje me ju, sikurse qe keni me bo me Isnik Alimin qe tani jemi tu ja rregullu pasaporten shqiptare dhe do ta bejme ather kur te jete e përshtatshme si per ju ashtu edhe per ne. Une do te vazhdoje ti përcjelli me shume vëmendje ndeshje tua dhe ne tashme kemi kontakt….ky eshte numri im personal.

Bardhi: Ok faleminderit shume do te jemi ne konakt naten e mire.

Salihu: Ne rregull. Eshte vendim qe duhet ta presim nga ti kurdo qe ke gadishmeri per kete. Ndegjohemi prape.

Bardhi: Ok.