• |
ide | kryesore

Bilanci i tërmetit në Meksikë: 237 të vdekur dhe 1900 të plagosur

Arkiva, Planet
mxtermeti .jpeg



237 të vdekur dhe 1900 persona të plagosur është bilanci i tërmetit 7.1 ballë që goditi Mexico City-n dy ditë më parë.

Ka një sërë godinash në kryeqytet të dëmtuara aq keq, sa rrezikojnë shembjen e po mbahen nën vëzhgim. Dëme strukturore mësohet të kenë pësuar më shumë ndërtesat ekzistuese përpara tërmetit shkatërrimtar të vitit 1985, pas të cilit u vendosën rregulla më të ashpra në sektorin e ndërtimit.

Punonjësit e shpëtimit janë në garë me kohën për nxjerrjen e të mbijetuarve nga gërmadhat. Një rast që ka marrë gjithë vëmendjen e publikut në kryeqytetin e Meksikës është bllokimi i një 13-vjeçareje në një shkollë. Me atë po komunikohet vazhdimisht. Mendohet se e mitura ka gjetur mbrojtje nën një tyrezë.

Prioriteti në Meksikën e goditur të martën nga tërmeti tani është shpëtimi i jetëve.

Presidenti Enrique Pena Nieto u zotua për fokusim maksimal të vëmendjes në këtë drejtim, ndërsa sqaroi se ka pranuar ndihmën e disa vendeve të huaja, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara, Spanjën dhe Japoninë, përkrah shteteve të tjera të Amerikës Latine, të mësuara tashmë me fatkeqësi të tilla natyrore.

“Qeveria dhe e gjithë shoqëria jonë është përballur brenda më pak se dy ditësh me një interes dhe solidaritet masiv, pasojë e tërmetit që goditi pjesën qendrore dhe jugore të vendit. Përparësia jonë vazhdon të jetë shpëtimi i njerëzve dhe vëmendja mjekësore për ata që kanë nevojë. Deri tani, më shumë se 50 vetë janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat e ndërtesave të shembura në Mexico City. Ekipet e emergjencës po punojnë për gjetjen dhe shpëtimin e personave që ende rezultojnë të zhdukur në kryeqytet dhe në Puebla”, tha Presidenti i vendit. /LAPSI.AL/