• |
ide | kryesore

Si dështoi ‘Rama dixhital’

I pakategorizuar



Refreni i fushatës dhe i pas 25 qershorit për Edi Ramën, i pagëzuar me emrin ‘platforma e bashkëqeverisjes me qytetarët’, nuk është gjë tjetër veçse një portal më shumë në listën e atyre që qeveria ‘Rama’ hapi gjatë mandatit të parë, gjoja në emër të transparencës me publikun dhe mirëqeverisjes.

Me pompozitet, ashtu siç Rama bën shpesh në raste të tilla, Kryeministri e prezantoi sot këtë portal përballë ministrave, deputetëve dhe kryebashkiakëve të socialistë, të cilët e dëgjonin me po aq skepticizëm si kushdo që beson se qeverisja e mirë, transparenca, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk kalon përmes një portali më shumë.

Kryeministri u kujdes që në fillim të prezantimit të theksonte se ky nuk është një mekanizëm si të tjerët deri më sot, duke qenë koshient për disa platforma të tilla që janë prezantuar më parë por nuk kanë dhënë asnjë rezultat.

“Dua ta them qysh në fillim që nuk është një portal më shumë në internet, larg qoftë. Është një mekanizëm i ri, për t’i dhënë mundësi të gjithë atyre që duan të marrin pjesë në bashkëqeverisje”, tha Rama.

Një shembull të dështimit me platforma të tilla e dha vetë kryeministri gjatë fjalës së tij.

‘Një rezervë që vjen nga tradita është se sa do funksionojë ky mekanizëm. Ka pas shumë portale në internet. Ka pasur nisma qëllimmira. Për shembull  ne vetë kemi nisur më parë një faqe që quhej ‘Stop Korrupsionit’ dhe për hir të së vërtëtës nuk ka funksionuar siç ne do donim. Kësaj pyetje unë nuk ia di përgjigjen sot”, u shpreh Kryeministri.

Por përveç kësaj platforme ka edhe të tjera që kanë dështuar me sukses. Kutjoni portalin qeveritar Transparenca.al, i cili u prezantua me zell nga drejtori i Komunikimit në Kryeministri, Endri Fuga. Sot kjo faqe nuk është aktive dhe qeveria as që denjon më t’u përgjigjet akuzave të opozitës apo mediave për çështje të ndryshme.

Shembuj të tjerë janë portali ‘e-Albania’ apo aplikacioni ‘Komisariati Dixhital’. Megjithë këto portale apo platforma që proklamohen si mekanizma për përmirësimin e qeverisjës, situata është kritike dhe mosbesimi në radhët e njerëzve i madh.

Në mënyrë paradoksale, Rama fton qytetarët të bëhen pjesë e kësaj platforme për të bashkëqeverisur, ndërkohë si ‘timonier’ i vetëm i kësaj mazhorance ai vazhdon të ndajë konçesione, tendera apo leje ndërtimi në rrethin e klientëve të pushtetit të vet.

Portali Stopkorruspionit.al nuk ka arritur të frenojë aferat korruptive të zyrtarëve të lartë të shtetit, nuk ka arritur të ndalojë konçensionet në shëndetësi apo projektet e tjera korruptive.

‘Komisariati dixhital’ nuk i ka ndalur dot kriminelët të bëjnë ligjin në Shqipëri, për shembull si rasti që pamë në Elbasan. Nuk i ka frenuar dot bandat e drogës apo zyrtarët e policisë të lidhura me to.

Për aq kohë sa këtu peshku është qelbur nga koka, nuk ka asnjë garanci se një portal më shumë do të përmirësojë qeverisjen. Madje për këtë, skepticizmin nuk e fshehu as Kryeminstri gjatë prezantimit të sotëm.

“Do funksionojë apo nuk do funksionojë, këtë unë nuk e them dot sot. Por ju siguroj se është një rrugë me qëllim shumë të mirë dhe është një rrugë me të gjitha mundësitë për të na nxjerrë përfundimisht aty ku duam”, u shpreh Rama.

Debati nëse kjo platformë është anashkalim i mekanizmave kushtetues apo institucional, ndoshta është pa rëndësi në këtë moment për aq kohë sa edhe vetë Rama e di se portali ShqipëriaqëDuam.al është thjesht sa për t’i hedhur hi syve njerëzve, për t’i thënë se gjoja ata janë pjesë e koalicionit qeverisës. Ndërkohë nga ana tjetër Rama vazhdon ndan konçesionet me klientelën e vet.

Gjatë prezantimit Kryeministri u kujdes të theksonte se këtej e tutje nuk ka nevojë për mik lart në qeveri, pasi sot e tutje ‘rruga është më e thjeshtë përmes këtij mekanizmi inovativ’. Por pavarësisht fjalëve të zgjedhura me kujdes në prezantimin e ‘plaftmormës për bashkëqeverisje me njerëzit’, gjithçka ishte një event i radhës propagandistik i paralajmëruar më herët nga Rama.

Përvoja me dështime të njëpasnjëshme të këtyre portaleve gjatë katër viteve të para të Ramës, nuk le më asnjë hapësirë për të besuar se ShqipëriaqëDuam.al do të jetë një mekanizëm i suksesshëm.

/LAPSI.AL/