• |
ide | kryesore

Basha udhëzime strukturave të PD-së: Përgatituni për një aksion të gjithanshëm

I pakategorizuar



Ndërkohë që PS zhvilloi Asamblenë Kombëtare, PD nga ana tjetër po përgatitet për aksionin opozitar. Kreu i PD-së Lulzim Basha, përmes një udhëzimi për strukturat demokrate, bën me dije se brenda partisë më të madhe opozitare do të nisë një proces konsultimesh 8-javore me anëtarësinë për rrugët e modernizimit, ndryshimit dhe ristrukturimit të PD si dhe aksionit të saj politik.

Në udhëzim shkruhet se “Partia Demokratike po përgatitet të ndërmarrë një aksion të gjithanshëm politik e legjislativ për ndryshimin e sistemit zgjedhor, për të forcuar funksionimin demokratik të politikës dhe për të ulur mundësitë për ndikimin e padrejtë të zgjedhjeve përmes shitblerjes së votës, kërcënimit dhe dhunimit të vullnetit të votuesit” – shkruhet në dokumentin e siguruar nga “BalkanWeb”.

Kjo reformë do jetë një kontribut i jashtëzakonshëm, por ajo nuk do të mjaftojë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, nëse ne nuk angazhohemi në aktivitete konkrete në mbrojtje të votës së lirë. Ne do të hartojmë dhe vëmë në zbatim një strategji të brendshme kundër shitblerjes, vjedhjes dhe ndikimit të votës, e cila duhet të përmbajë një plan konkret veprimesh për të parandaluar dhe shmangur tjetërsimin e votës” – shkruhet më tej në dokument.

PJESË NGA UDHËZIMI I LULZIM BASHËS DREJTUAR DEGËVE TË PD
Mbështetur në Nenin 38 të Statutit të Partisë Demokratike dhe në Vendimin e Mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, datë 21 shtator 2017, ku u vendos unanimisht
fillimi i procesit të konsultimeve dhe analizës me strukturat dhe anëtarësinë e Partisë Demokratike, dhe me qëllim:
– Nisjen e procesit të konsultimeve dhe analizës me strukturën dhe anëtarësinë e Partisë
Demokratike;
– Identifikimin e problematikave të brendshme të shfaqura në zgjedhjet e përgjithshme 2017, si dhe të hapave konkretë për t`i korrigjuar ato;
– Identifikimin e instrumentave dhe personave përgjegjës të presionit politik, ekonomik, administrativ dhe korruptiv, të blerjes dhe manipulimit të votës, të përdorura gjerësisht nga kundërshtari ynë politik;
– Ngritjen në shkallën më të lartë të aksionit politik opozitar si dhe rritjen e besimit dhe të angazhimit qytetar në kauzat opozitare,

UDHËZOJ:
1. Nisjen e procesit të konsultimit dhe analizës me strukturën e Partisë Demokratike. Ky proces do të zgjasë 8 javë dhe do të konsultojë gjerësisht të gjithë strukturën dhe anëtarësinë e Partisë Demokratike;
2. Në çdo Degë të Partisë Demokratike caktohet një Grup Pune përbërja e të cilit komunikohet nga Sekretariati për Organizimin.
3. Grupi i punës identifikon, sipas nevojës, edhe persona të tjerë të cilët do ta ndihmojnë atë në plotësimin e kërkesave të këtij Udhëzimi;
4. Grupi i Punës në Degë do të mbikqyrë procesin e konsultimit dhe analizës sipas metodologjisë së shtojcës nr 1, deri në hartimin e Raportit përfundimtar;
5. Ky Udhëzim hyn në fuqi menjëherë.