• |
ide | kryesore

E PLOTË/ Ku gaboi Shqipëria në humbjen ndaj Italisë (FOTO+VIDEO)

Arkiva, F1, Sport



Shqipëria humbi minimalisht 1-0 përballë Italisë në Shkodër në ndeshjen e fundit për eliminatoret e botërorit të Rusisë që zhvillohet vitin e ardhshëm. Kuqezinjtë u treguan të guximshëm duke rrezikuar disa herë portën e Bufonit, por ndeshja u vendos nga një gol i Antonio Candreva në minutën e 73-të.

Pas kësaj humbje Shqipëria mbetet në vendin e tretë në Grupin G me 13 pikë, ndërsa Italia në vendin e dytë më 23 pikë.

Flet Panuçi gjen shkaqet e humbjes ndaj Italisë

Pas humbjes me Italinë ka folur për mediat dhe trajneri i Shqipërisë, Christian Panucci. Italiani tha se skuadra luajti me shumë guxim.

“Prodhojmë shumë, por brenda zonës ne kemi pak uri. Të tjerët prodhojnë pak, por i shfrytëzojnë rastet. Skuadra duhet të jetë më e vendosur para portës, pasi krijon shumë raste, por nuk arrin të shënojë. Luajtëm me guxim, bëmë një ndeshje shumë të mirë, patëm 3 raste të pastra, por nuk arritëm. Skuadra e sotme do të jetë baza e ekipit për eliminatoret e ardhshme. Duhet të jemi më të këqij në aspektin e shënimit të golit, pasi ne patëm më shumë raste se Italia, por nuk fituam, nuk duhet të falim para portës. Buffon priti disa raste që ne patëm, edhe ky është një faktor që ndikoi” – tha trajneri.

Analiza e Astrit Hafizit

“Kjo ka lidhje me mesin e fushës. Duhen lojtarë që kanë fantazi dhe e marrin mesin e fushës. Tregon një dobësi në fazën sulmuese te skuadrës sonë. Shikoni sot të gjitha ndeshjet e grupit. Ne kemi fituar 4 ndeshje dhe kemi humbur të tjerat. Kemi shënuar shumë pak. Na duhet të punojmë me fazën sulmuese për të shfrytëzuar rastet që na jepen” – tha ish-trajneri i kombetares Astrit Hafizi per Supersport.

Mediat italiane për Shqipërinë

“Corriere dello Sport” ka bërë një analizë të shkurtër për ndeshjen e Italisë me Shqipërinë. Ndërsa nuk i kursen kritikat ndaj “axurrëve” lojën e të cilëve e quan të shëmtuar, gazeta akuzon arbitrin se u mohoi një penallti në prekjen me dorë të Veselit brenda zonës.

“Pas gabimeve të vazhdueshme të të dyja skuadrave që luanin në kundërsulm erdhi goli i Candreva në minutën e 73-të. Spinazzola krosoi dhe e gjithë mbrojtja e Shqipërisë doli blof duke lënë të zbuluar Candreva që nuk i mbeti veçse ta çojë topin pas krahëve të Berishës që ndodhej pak hapa larg. Por Shqipëria nuk u dorëzua. Por problemi për kombëtaren e Panucci mbetet i njëjti duke mos pasur një “snajperist” brenda në zonën e kundërshtarëve duke tentuar të zvarritet pas golit të “axurrëve”. Të zotëve të shtëpisë nuk u mjaftoi as ndërrimi i modulit në fund të ndeshjes duke kaluar me 2 pyka në sulm. Sot Buffon mund të flejë i qetë” – e mbyll Corriere Dello Sport. /lapsi.al/



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *