• |
ide | kryesore

ITALIANI NË PROKURORI: FOLA ME EDI RAMËN PËR TENDERIN E TAP!

Arkiva, Kryesore



Me ose pa dijeninë e tij, Edi Rama është përfshirë në skandalin e mashtrimit të një shtetasi italian nga Eduart Ndocaj, ish deputeti socialist i Lezhës.
Burime nga policia e Lezhës thanë se biznesmeni italian e ka takuar Eduart Ndocajn në Milano, gjatë kohës që ky ishte deputet. Në bisedën që kanë bërë në Milano, “kaubojsi” i premton italianit se do ta ndihmonte, që ai të fitojë tenderin për shtrimin e tubave të gazsjellësit TAP. Por për këtë “nder”, Ndocaj kërkoi 50 mijë euro. Italiani tregon se ka paguar dy herë nga 25 mijë euro, por një tender i tillë nuk u zhvillua kurrë. Pasi priti t’i kthehen parate, bëri kallëzim në prokurori për Eduart Ndocajn.
Burime nga policia e Lezhës thanë për Lapsi.al se Ndocaj ka arritur t’i sigurojë biznesmenit italian edhe një takim me kryeministrin, Edi Ramën. Nuk dihet kur dhe ku është zhvilluar takimi, por italiani e ka hapur bisedën e tenderit të tubave të TAP edhe me Edi Ramën.
Duke qenë se kishte paguar paratë tek Eduart Ndocaj, italiani nuk ka pasur komplekse të flasë për një aferë korruptive edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën.
Nuk dihet nëse Rama është habitur nga biseda apo nëse kishte dijeni paraprakisht për premtimet e Eduart Ndocajt, por sipas deklarimit të biznesmenit në prokurori, Edi Rama i ka thënë që për këtë çështje të takohet me Ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri.
Eduart Ndocaj u bë deputet i Partisë Socialiste pasi shpenzoi gati 500 mijë euro në fushatë. Këtë e ka pranuar vetë në një intervistë në televizion. 500 mijë eurot që investoi për Rilindjen e Lezhës, në një formë ose tjetër, biznesmeni Eduart Ndocaj duhej t’i rifitonte.
A e dinte kryeministri përse po e takonte biznesmenin italian? Apo Ndocaj e mashtroi edhe shefin, njësoj si italianin? 
Afera sapo ka shpërthyer dhe ngre shumë pikëpyetje. I takon kryeministrit, Edi Ramës të sqarojë çështjen dhe nëse mundet, të dalë nga kazani, ku e ka futur “Kaubojsi”./Lapsi.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *