• |
ide | kryesore

Për kë po vijnë agjentët amerikanë?

Arkiva, Kryesore



U duk sikur Edi Rama e nxorri rastësisht informacionin se agjentë amerikanë do të vijnë në Tiranë në nëntor. Ishte në foltoren e parlamentit ditën e enjte, duke i folur me përçmim opozitës siç ndodh rëndom, dhe meqë e akuzonin si koka e krimit, e lëshoi deklaratën në debat e sipër.
Por ditën e dielë, e përsëriti edhe njëherë tjetër. Në video-selfien nga Vlora e paralajmëroi si një arritje personale ardhjen e agjentëve amerikanë, që do të punojnë bashkë me policinë, shërbimin informativ dhe agjensitë ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar.
Që amerikanët i dalin për zot luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri, nuk është ndonjë ngjarje për të cilën mund të mburret Edi Rama.
Përkundrazi, është prova më e qartë se shteti ka dështuar përballë krimit. I pari që duhej të ndjehej i turpëruar nga disfata, është vetë kryeministri i Shqipërisë.
Megjithatë kryeministri duket të jetë mikpritësi më i dashur i agjentëve të huaj.

 

MARREVESHJA NE ZYRAT E FBI

Në prill të vitit 2015, Edi Ramës iu dha shansi ta takojë presidentin amerikan, Barak Obama në Shtëpinë e Bardhë. Pa dyshim ishte një nga momentet kulmore të karrierës së tij politike.
Por sapo dolën nga zyra e Obamës, Edi Ramën, Saimir Tahirin dhe Ditmir Bushatin i futën në zyrat e FBI-së. Firmën për marrëveshjen që lejon stacionimin e agjentëve amerikanë në Tiranë ia lanë ta hidhte Saimir Tahiri. Me këtë marrëveshje, amerikanët morën nën kontroll Byronë Kombëtare të Hetimit.
“Drejtori i FBI u angazhua të ndihmojë për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, strukturën, burimet njerëzore dhe kapacitetet hetimore të saj, si Njësi shumë e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar” thuhej në njoftimin për shtyp që publikoi Ministria e Brendshme.

PARALAJMËRIMET E DONALD LU

Ambasadori amerikan është shqipfolësi më optimist për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërsa dhjetëra mijëra shqiptarë braktisin vendin, ai vazhdon të thotë se situata do të ndryshojë.

Në një komunikim në rrjetet sociale vitin e kaluar, ambasadori iu përgjigj në këtë mënyrë cinizmit të një prej komentuesve për situatën e korrupsionit.

Pyetje: Pyetje per korrupsion ?? ahhahhahahhahahah ,ne sa me te korruptuar te jene ,me shume i ngreme ne detyre .Qeverisemi nga blloku dhe nga baba Taku …

Doland Lu: është e vërtetë që shumë vende përballen me korrupsionin e lartë, por gjithashtu shumë vende edhe e kanë luftuar korrupsionin në nivele të larta. Zyrtarët e lartë duhet të kenë frikën se mund të përfundojnë në burg. Sot, në Shqipëri, ata nuk kanë frikë se do të hetohen, por nëse reforma në drejtësi do të zbatohet, ata do të kenë frikë.

Zbatimi i reformës në drejtësi sapo ka nisur dhe Donald Lu njoftoi disa ditë më parë se kishte kërkuar zgjatjen e mandatit të tij deri në verën e 2018.

“E kemi shijuar aq shumë mikpritjen shqiptare sa kam kërkuar të qëndroj edhe më gjatë në këtë vend të bukur. Kam në plan të largohem nga Shqipëria në verën e vitit 2018. Deri atëherë, kemi shumë më tepër për të bërë së bashku.”

BYROJA KOMBËTARE E HETIMIT

Agjentët amerikanë që do të punojnë në Shqipëri do të kenë në fokus të punës së tyre Byronë Kombëtare të Hetimit. Sapo të nisë puna për ngritjen e saj, SHBA kishte njoftuar se do të vinin në Tiranë 3 përfaqësues të saj. Një do jetë agjent i FBI, një do jetë atashe dhe një tjetër do jetë përfaqësues i ICITAP.
Ndërkohë edhe Bashkimi Europian do të angazhojë dy prokurorë. Praktikisht një komision me 5 persona do të marrë në dorë të gjithë Byronë Kombëtare të Hetimit.
Të gjithë personat që do futen aty, nga drejtori dhe agjentët do përzgjidhen nga amerikanët. 

Ligji i SPAK, pika 9, neni 57

Një komision i përbërë nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e

Bashkimit Evropian dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, do të japë udhëzime dhe këshilla për themelimin dhe zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një periudhë 2-vjeçare, duke nisur nga momenti i themelimit të kësaj Byroje. Komisioni i Pavarur i Rishikimit vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe miraton materialet e trajnimit të hetuesve dhe Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

PER KE VIJNE AMERIKANET?

Në përshkrimin që i bën Donald Lu situatës kriminale në Shqipëri, panorama ngjan e zezë si kurrë ndonjëherë. Në njërën anë, bandat dhe krimi i lidhur me pushtetin. Në anën tjetër korrupsioni deri në nivelet më të larta të gjyqësorit dhe qeverisë.

Krimi 

Nëse agjentët amerikanë, që Rama i pret me gëzim vijnë të asistojnë për luftën kundër krimit të organizuar, dihet që fijet e hetimit të çojnë lart në kupolën drejtuese të shtetit.
Vendi sundohet nga 4 klane dhe 20 familje kriminale, ka thënë ambasadori.
Mjafton t’i hedhësh një sy emrave që përmend Donald Lu, për të kuptuar se ku do t’i çojnë hetimet të huajt.
Që nga Emiljano Shullazi, i përfolur për lidhjet me ish Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, Lul Berisha që u lirua nga burgu me garancinë e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dakos, Klemend Balili një trafikant droge i emëruar drejtor në Ministrinë e Transporteve të kontrolluar nga LSI apo Arben Frroku, vrasësi që e kishte të vëllanë në mbledhjet e grupit parlamentar të PS-së.

Korrupsioni 

Nëse agjentët amerikanë, që Edi Rama pret me gëzim vijnë për të asistuar Byronë Kombëtare të Hetimit në luftën kundër korrupsionit, sërish goditja do të bjerë tek njerëzit e pushtetit. Neni 135 pika 2 e Kushtetutës hap telashe vetëm për zyrtarët e lartë. Me Prokurorinë Speciale apo Strukturën e Posaçme Antikorrupsion do të kenë punë zyrtarët e shtetit si më poshtë:

Presidenti i Republikës,
Kryetari i Kuvendit,
Kryeministri,
Anëtari i Këshillit të Ministrave,
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese dhe i Gjykatës së Lartë
Prokurori i Përgjithshëm,
Inspektori i Lartë i Drejtësisë,
Kryetari i Bashkisë,
Deputeti
Zëvendësministri,
Anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë
Drejtuesit e institucioneve qëndrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj
(dhe ish-funksionarët e sipërpërmendur)

Mënyra si e imagjinon ambasadori amerikan Byronë e Hetimit u përshkrua nga ai përmes personazheve të filmit “Të paprekshmit”.

“Kur ishim në universitet, Hollywood nxorri filmin e titulluar “The untouchables” ose në gjuhën shqipe “Të paprekshmit”. Aktori i famshëm shqiptaro- amerikan Robert De Niro luante rolin e gangsterit Al Capone. Historia zhvillohej mbi njësinë elitare hetimore të quajtur “Të paprekshmit”. Ata nuk ishin quajtur të tillë për shkak se qenë mbi ligjin por sepse ishin të imunizuar prej korrupsionit dhe frikësimit në një kohë kur Chicago ishte e mirënjohur për korrupsionin në nivele të larta dhe kontrollin e mafias të ngulitur thellë kjo njësi e pakorruptueshme e pavarur që ishte në gjendje të arrestonte Al Capone-n e famshme. Kjo është ajo që ne shpresojmë se do të krijohet në Shqipëri, një njësi e pavarur hetimore për të luftuar korrupsionin dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë”.

Pas 27 vitesh të zhytur në korrupsion, optimizmi i Donald Lu ngjan si donkishotizëm. Por nëse këto që thotë ai bëhen realitet, kuptohet pse Edi Rama ka disa ditë që flet nëpër dhëmbë për agjentë amerikanë që do të vijnë në Tiranë. Me gjithë këtë padurim që po tregon, nuk është çudi t’i presë në Rinas dhe t’i ftojë të shohin pikturat e zyrës së tij në kryeministri./Lapsi.al



3 Comments

  1. FBI vjen ne Shqiperi per Efrim Devirolin i cili mori kontrate 300 milion dollare nga shteti Amerikan per te blere arme,kur ai shiste vetem bicikleta(eshte dhe film ky dreq),.Gerdeci eshte aty ,askush nuk u denua biles u mohua gjithcka.Ke do fusin ne burg Al Caponen .edhe kete e denuan per mos pagim taksash,jo per kriminel.Fazllici aty eshte ,ne shtepine e bardhe,te gjithe hajdutet politikane shqiptare i kane cuar parate ne Amerike dhe na mbajne dhe fjalime qe andej.Bir Selman i nenes ke te qaje me pare.Ah po do te denojne ndonjerin qe Ska paguar energjine elektrike per nje muaj.Nuk ka Atibiotik qe e sheron kete qeveri,ndoshta e lyejne me mjalte mutin qe ka zene shtrese.

  2. I dashur gazetar! Mos u beni hipokrite. Te ashtuquajturit agjente amerikane, FBI, kane shkuar e ardhur e do shkojne e vijne. Ca muaj me pare ishin gjermane, BKA. Keto lloj lajmesh jane propogande per te deshmuar se qeveria eshte ‘fort’ e angazhuar dhe se ‘amerikani’ apo ‘gjermani’ e mbeshtet dhe do sjelle dhe ‘agjente’ (Kupto ne shqip hetues ose polici gjyqesore). Keshtu qe mos genjeni veten apo publikun.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *