• |
ide | kryesore

Dosja e plotë/ Kush qëndron pas goditjes së Habilajve në Itali?

Arkiva, Kryesore, Lajme



  • “Roli i ish –shefit të antidrogës Zagani dhe çfarë rrezikon Saimir Tahiri”

Goditja e grupit të Habilajve në Itali ka kthyer fuqishëm në skenën politike akuzat për ish –ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Kryetari i PD, Lulzim Basha, kërkoi sot që herët në mëngjes arrestimin e tij.

Sot është dita që Saimir Tahiri të arrestohet dhe procesi gjyqësor ndaj tij të nisë pa vonesë”, deklaroi Basha nga selia e PD.

Ish –ministri i qe përgjigjur një ditë më parë lidhjes që Basha bëri mes tij dhe Moisi Habilajt, i vënë në pranga në Siçili si kreu i një grupi që dyshohet të ketë trafikuar 3.5 ton drogë me vlerë 20 milionë euro, armë dhe municione.

“Sa per keta qe i quan kusherinjte e mi, DREJTESI DERI NE FUND E DENIM MAKSIMAL”, shkruante Tahiri në facebookun e tij, në një reagim dëshpërues për të mohuar çdo lidhje me kushëririn e tij trafikant.

Në të vërtetë, cila është lidhja e Tahirit me Habilajt? A ka pasur ai dijeni se ata janë të përfshirë në trafikun e drogës? Dhe kush po i godet Habilajt tani që Tahiri nuk është më Ministër i Brendshëm?

Për herë të parë Habilajt u përmendën nga ish –shefi i antidrogës Dritan Zagani, një oficer i lartë policie në luftë të hapur tashmë me ish –ministrin e tij.

Foto: Moisi Habilaj

Zagani ka fituar azil politik në Zvicër, si pasojë e “përndjekjes” që iu bë nga shteti pas denoncimit të guximshëm me emra të këtij grupi trafikantësh dhe lidhjeve të tyre familjare e jo vetëm me ministrin më të fuqishëm të qeverisë “Rama I”.

Foto: Dritan Zagani

Në nëntor të vitit 2015 kur ishte në kërkim nga drejtësia shqiptare pasi u akuzua se “shiste informacione” te italianët, Zagani deklaron në një intervistë për gazetarin Basir Çollaku se Habilajt i kishte denoncuar me kohë tek eprorët e tij në polici. Dhe për këtë, dijeni kishte marrë edhe Saimir Tahiri (intervista nisi të transmetohej në News 24, por sipas burimeve të lapsi.al u ndërpre si pasojë e presioneve nga qeveria).

Por Saimir Tahiri mohonte në atë kohë që Habilajt të ishin trafikantë.

  • Çollaku: Një tjetër deklarim i ministrit Tahiri është se kushërinjtë sipas tij të largët, Habilajt, nuk janë kontigjent i trafiqeve. Sipas jush nga puna juaj, informacionet në sektorin e antidrogës, ju flasin për argument dhe fakte konkrete që implikojnë vëllezërit Habilaj në trafikun e drogës? Dhe cilat janë lidhjet e tyre, me A.D, që sipas dosjes së prokurorisë është Arben Dalipi?
  • Zagani: Këta shtetas, siç e kam deklaruar edhe më përpara, kanë qenë të njohur nga ana ime dhe e policisë së shtetit, kohë përpara, si element kontingjent të kësaj veprimtarie kriminale. Pavarësisht se sado që unë kam punuar dhe jam përpjekur, ata kanë pranuar edhe vetë në një intervistë, sado që unë kam punuar dhe i kam ndjekur në maksimum për të zbuluar dhe goditur veprimtarinë e tyre kriminale, nuk ka qenë e mundur, jo çdo gjë është e mundur edhe në policinë e shtetit.

Habilajt, sipas Dritan Zaganit ishin në përdorim të një skafi dhe një makine private të Saimir Tahirit; një audi me targë AA 003 GB, që kishte kryer disa udhëtime nga Shqipëria në Greqi. Sot mediat italiane shkruajtën se Audi i famshëm i ministrit kishte trafikuar drogë edhe në Siçili, nën drejtimin e Moisi Habilajt.

Foto: Audi i Saimir Tahirit

Saimir Tahiri u detyrua të pranonte se makina private e tij ishte përdorur prej Habilajve. Kur ata udhëtonin me të jashtë vendit ajo mbante emrin e Ministrit të Brendshëm si pronar dhe përdorej njëkohësisht edhe prej tij.

  • Tahiri: “Makinën e kisha shitur para se të bëhesha ministër tek kushërinjtë e mi të largët. Makina është në emrin tim si pjesë e asaj qeverisjeje. Jam dënuar në shkallë të parë dhe në Apel nga Gjin Gjoni me 40 milion lekë dhe në Apel me 20 milionë lekë. Vendimi parashikonte që për të paguar gjobën e kalamajve të pushtetit, duhet të lija të gjithë rrogën time. Më bllokuan llogaritë bankare, hipotekën e shtëpisë dhe mundësinë që targat e makinës të ndërroheshin. Ajo makinë është përdorur dy herë të tjera nga unë. Unë nuk kam marrë makinë me qira, por meqë ishte në emrin tim kam dalë me familjen”.

Denoncimi i Dritan Zaganit bëri jehonë në mediat italiane. Ai u intervistua nga gazetat më të njohura, të cilat publikuan kryeartikuj me akuzat e tij për Tahirin dhe trafikun e drogës shqiptare që kishte vërshuar në brigjet e Italisë, me skafe që niseshin lirshëm nga Shqipëria si në fund të viteve ’90.

Por a ishte vetëm denoncimi i tij publik ajo çfarë u pa me interes në Itali apo Zagani i kishte njoftuar edhe më parë italianët për drogën që shkonte drejt tyre?

Në intervistën e tij, Dritan Zagani pranon se kishte mbajtur kontakte të vazhdueshme me antidrogën italiane, me një koleg të tij që e identifikon si Giuliani.

  • “Vazhdimisht komunikoja me të në telefon, për mua Giuliani ka qenë dhe një shkollë profesionale. Në bisedat me të kam diskutuar edhe faktin se po më shiten informacionet dhe nuk dija si të bëja kisha ngelur mes katër rrugëve dhe i thashë jam bërë të lë punën nuk punohet më, pas ndërrimit të pushteteve janë fuqizuar disa kriminelë sa nuk po marr vesh se çfarë bëhet, nuk di kujt it dërgoj informacionin, që jo vetëm ma shesin por nuk caj dot përpara por po ngelem në vendnumëro. Keto kane qene biseda miqesore me nje koleg te besueshem. Dhe ne diskutim e siper si here te tjera kur unë kisha nevojë për ta sqaruar ndonjë informacion, Giuliani me ka dhënë ndonjë shpjegim se çfarë mund dihej nga pala italiane për këtë trafikant dhe i kam kërkuar ndihmë nëse mund ta quaj, që nëse unë arrij të marr informacionin që ai është në det me drogë, por që nuk po e kap dot, sepse nuk po më lënë, të të bie në qafë të ma arrestosh ti atje”.

Hetimet në Itali përkojnë me informacionet e Zaganit dhe me kohën e denoncimit të tij pranë mikut italian të antidrogës. Siç pohon Zagani, bashkëpunimi mes tyre kishte nisur para ardhjes së PS –së në pushtet.

Dhe siç shkruajnë sot mediat italiane (lexo më poshtë shkrimin në lapsi.al) mbikqyrja për rrjetin e Habilajve kishin nisur që në nëntor të vitit 2013, pak muaj pasi Tahiri ishte emëruar Ministër i Brendshëm.

Kohët nuk përkojnë vetëm me nisjen e hetimeve, por edhe me goditjen e grupit. Arrestimi i Habilajt vjen muaj pas shkarkimit të Tahirit nga detyra.

Trafiku i drogës përflitet si një ndër shkaqet që Edi Ramës iu kërkua nga partnerët ndërkombëtarë që ta largonte të besuarin e tij nga drejtimi i rendit dhe të emëronte Fatmir Xhafajn, një –ish hetues që, sapo u ngjit në detyrë nisi goditjen frontale të Tahirit si përgjegjës për drogën dhe spastrimin e policisë nga të “besuarit” e tij.

Saimir Tahiri ka një tjetër filozofi për largimin.

“Çdo fillim e ka edhe një fund” tha ai të djelën sapo hyri në skenën e Portokallisë, në të njëjtën kohë kur nga prokuroria e antimafias italiane doli udhëri për goditjen e grupit që drejtohej nga kushëriri i tij.

Një urdhër që në Tiranë po komentohet si fundi i një ish –ministri të dyshuar si i implikuar në trafikun e drogës, që në fillimet e tij. /Lapsi.al



1 Comment

  1. BURG KRYEKAPOS KRIMINEL GRAMOZ RUQI DHE KELYSHIT TE NEGJMIJES FATMIR XHAFA.BURG LEGENIT BOTROR QE BLEN E SHET GRAT E VETA EDVIN KOKAIN RAMES .po uk u zhduk qenefi i negjmijes pra ter shpurra komuniste staliniste nuk ka shqiperi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *