• |
ide | kryesore

Shkrirja e policisë së Elbasanit, tentativë për të zhurmuar skandalin Polici- Habilaj – Tahiri?

Arkiva, Lajme, Të fundit



Një muaj më parë, të gjitha mediat që transmetuan ngjarjen skandaloze me një makinë të blinduar që goditi makinën e zv.drejtorit të policisë së Elbasanit, e shoqëruan lajmin me nota kritike mbi policinë.

Plot 12 policë të armatosur, mes tyre edhe drejtues të saj, nuk bënë asnjë lëvizje për ta ndaluar autoveturën Audi ngjyrë të zezë ku besohet se gjendej një prej personave më të rrezikshëm të Elbasanit, Suel Çela.

Pamjet filmike të transmetuara më vonë (shih më poshtë videon në lapsi.al) e kishin të tepërt çdo koment për policët që rrinin të ngrirë e të çoroditur përpara makinës së zezë që i sfidoi hapur, i shpërfilli dhe i zhgradoi që në atë moment.

Për javë me radhë, në opinionin publik, kjo çarmatosje e policisë përpara një grupi kriminal u komentua si prova më e qartë, me figurë, e degradimit të policisë, të kësaj policie që Saimir Tahiri dhe Edi Rama e ndërtuan sipas vizionit propagandistik “policia që duam” dhe që në të paktën 3 vitet e fundit është në qendër të akuzave për lidhje me krimin, për përfshirje në kultivimin dhe trafikun e kanabisit, për favorizim të grupeve më të rrezikshme kriminale dhe për krijim të infrastrukturës për trafiqet e gjithëllojshme të krimit të organizuar.

Në çdo rast të ngjashëm, në çdo vend tjetër të botës, masat për policët që ngelën si hunj përballë Audit të zi, do të ishin të menjëhershme.

Policia pranoi vetëm pas presionit të medias se po hetonte edhe veprimet e punonjësve të saj. Drejtues të lartë dolën edhe publikisht për t’i përgëzuar kolegët që nuk u përfshinë në një konflikt që mund të kishte lënë edhe viktima.

“Rrezikon jetën punonjësi i policisë aty. Duhet të gjykojë ai se kur ndërhyn. Sepse nuk e di me çfarë do të përballet, si mund të jetë reagimi. Çfarë pasojash do të na jepte ne po ta rrethojmë dhe të ndërhymë më vonë. Po të rrezikohej jeta e punonjësit të policisë qysh do gjykoheshe ai që drejton operacionin dhe kushdo”.

Kjo e mësipërmja është deklarata e Drejtorit të Përgjithshëm të Rendit, Altin Qato, që sot Haki Çako e emëroi drejtor të Elbasanit.

Në logjikën e këtij qëndrimi të zyrtarit të lartë, pritshmëritë për një reagim të fortë të policisë përballë 12 efektivëve të saj që u zbythën përballë një personi që i mori përpara me makinë, ishin të pakta.

Por sot, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, doli vetë për të lajmëruar shkarkimin e 11 policëve, përfshirë drejtorin e Policisë së Elbasanit dhe zv.drejtorin që ishte në operacion.

Dalja e Çakos në këtë moment kur policia është përfshirë në skandalin e përgjimeve të Habilajt, ngre disa pikëpyetje:

Ai u mor sot vendimi për t’i ndëshkuar policët që u stepën përballë një grupi kriminal që i sulmoi hapur? A nuk duhej marrë ajo që në momentin që u shfaqën pamjet filmike në të gjithë mediat?

Përse u prit pikërisht dita e sotme të bëheshin publike këto vendime, kur policia gjendet në syrin e një cikloni të ardhur nga Italia me përgjime të një grupi të fuqishëm të trafikut të drogës që përmend ish -ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe oficerë të policisë si bashkëpunëtorë në trafikimin e tonelatave me kanabis drejt Italisë?

Sot më shumë se kurrë, Haki Çako dhe çdo zyrtar tjetër i lartë i policisë apo Ministrisë së Rendit duhet të flisnin për policët që dalin në përgjimet e Habiljave, për policët e Vlorës që ruanin me furgonë me shenja dalluese të shtetit peshkarexhën më drogë të Habilajve në Porto Palermo, për oficerët që Habilajt kishin nëpër qendrat e radarëve, për drejtuesit e policisë kufitare të fotografuar duke drekuar me Habilajt apo duke bërë xhiro me skaf në det.

Sot drejtuesit e policisë duhet të ishin distancuar nga lidhjet mafioze Polici – Habilaj – Tahiri dhe akti më i besueshëm se ata nuk janë pjesë e këtij rrjeti do të ishte largimi i vullnetshëm nga detyra dhe jo sjellja sikur të mos ketë ndodhur asgjë.

Injorimi i këtij skandali dhe rënia e borive pikërisht në këtë moment për masat e ashpra për policinë e dështuar të Elbasanit, (për një skandal që opinioni publik priste reagime që në momentin kur u publikuan pamjet filmike), duken më shumë si zhurmë për të shurdhuar shpërthimet e bombave që dalin nga dosja që po fakton lidhjet Polici – Habilaj – Tahiri, sesa si provë se policia është në detyrë dhe e aftë për ta kryer atë, edhe duke u vetëkorrigjuar. /Lapsi.al

https://www.youtube.com/watch?v=aep8L3PXkm0



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *