• |
ide | kryesore

Historia e plotë e Audit që zbuloi lidhjen e Tahirit me Habilajt

Arkiva, Kryesore



5 nëntor 2013. Dy muaj pasi ishte bërë ministër i Brendshëm, Saimir Tahiri vendos të shesë makinën e tij.

Ishte një Audi A8, me xhama të zinj, që e kishte blerë vetëm 9 muaj më parë për 21 mijë euro nga shtetasi Naim Loci nga Fushë Kruja.

Targa AA 003 GB.

S’dihet arsyeja e vërtetë përse vendosi të heqë dorë nga makina luksoze, por edhe pse e largoi ajo do ta ndjekë gjatë nga pas për t’i dhënë së fundi një goditje të fortë karrierës së tij politike.

Blerës është Artan Habilaj, anëtar i një familje mafioze, e përfshirë në trafikun e drogës dhe armëve, në Itali e Greqi, vëllai i Moisi Habilajt.

Ai e përfiton atë, sipas dokumentave, për vetëm 7 mijë euro.

Vlera dyshohet se është deklaruar e ulët për të shmangur taksat dhe deklarimin e këtyre të ardhurave në regjistrin e pasurisë.

Ministri i Brendshëm nuk e deklaron shitjen. Blerësi nuk ia ndryshon pronësinë.

Për dy vjet me radhë grupi mafioz i Habilajve e përdor atë i pashqetësuar.

Asnjë efektiv policie nuk kishte guxuar ta ndalonte makinën që në pronësi figuronte në emër të Ministrit të Brendshëm. Të gjithë shefat e policisë e njihnin atë targë.

Për dy vjet me radhë askush nuk flet për këtë skandal. Derisa Dritan Zagani, ish –shefi i antidrogës së Fierit dhe ish –shef i kufirit në Vlorë, e denoncon publikisht.

4 shtator 2015. Dritan Zagani flet nga arratia. Ai kërkohej nga policia shqiptare se i kishte dhënë informacione sekrete një drejtuesi të Guardia di Financa, të quajtur Giuliani.

Thotë se makinën e përdornin trafikantë të njohur në Vlorë.

Dritan Zagani: “Në një moment desha të verifikoja me kë do takohej A.D. (trafikant i dyshuar droge) në Vlorë. Aty pashë një Audi A8 me xhama të zi me targë “AA 003 GB”. A.D. zbriti nga makina e tij dhe u fut te Audi. U mundova ta ndjek, isha vënë re nga ata dhe në vend që t’i ndiqja ata më ndiqnin ata mua dhe e lash fare. Shënova targën e Audit. Nesër në zyrë futem në sistemin TIMS dhe kërkoj targën e Audit. Del emri i Saimir Tahirit. Ishte prill i vitit 2014, para se të më arrestonin.  Makinën e ministrit e përdornin këta tre persona trafikantë në Vlorë. Se kisha marrë vesh ça po bëhej. Doja të verifikoja me kë u takua A.D.

Thirra direkt Skënderin, shefin e sektorit. Shikoje ça ka ktu i thash. Nuk e di ti tha? Këtë e mbajnë kushërinjtë e ministrit në Vlorë, vëllezërit Habilaj. Është makina e ministrit, e mbajnë ata.”

Denoncimi publik e vë para një skandali Ministrin e Brendshëm.

Ai nis menjëherë mbrojtjen, duke vënë në jetë një plan që do ta mbyllte ngjarjen jo vetëm para opinionit publik, por edhe para organeve të rendit.

Në krah i del fuqishëm Edi Rama. Të dy e sulmojnë Zaganin për ta bërë dëshminë e tij të pabesueshme.

Janë ata që dyshohet ndërprenë në mes publikimin e intervistës në Neës 24.

Edi Rama zgjedh një fjalim para qindra policëve, në një aktivitet të quajtur “Antidroga, një histori suksesi”, një nga ato takimet e shoqëruar me video me bazë muzikore, që tregonte “sukseset” e qeverisë.

Ja çfarë deklaronte ai pak ditë pas denoncimit të Zaganit.

Edi Rama: “Një kriminel, një nga ata të cilët policia e shtetit, policia e rilindur e shtetit ka pasur kurajon t’i identifikojë në radhët e veta dhe t’i pastrojë nga radhët e veta; një bashkëpunëtor i trafikantëve të drogës që dekonspironte opreacionet e policisë, është bërë sot heroi i opozitës, i mediave, madje edhe i kreut të shtetit së fundi. Heroi! Heroi që na kërkoka përgjigje, ndërkohë që ai është në kërkim. Heroi që nuk paraqitet në prokurori dhe të përgjigjet njëherë për akuzat e ngritura mbi të. Por është paraqitur për azil politik, në një shtet tjetër, pasi ka thyer vendimin e gjykatës të detyrimit të paraqitjes. Kaq mjafton për të kuptuar se sa poshtë ka rënë ky pazar. Kaq mjafton për të kuptuar se sa e ulët është bërë kjo lojë. Kaq mjafton për ta kuptuar se sa e dëshpëruar është në fakt industria e baltës.” (shih videon në fund të lajmit në faqen e lapsi.al)

Edhe pse kërkohej në Shqipëri, edhe pse kryeministri i vendit e quan kriminel, Dritan Zagani e përfiton azilin politik, një akt ky i shtetit të Zvicrës që i bën akoma më të besueshme akuzat e tij ndaj Saimir Tahirit dhe lidhjes së tij me Habilajt që trafikonin drogë me makinën e Ministrit të Brendshëm.

Në Shqipëri, në vend që akuzat të verifikoheshin dhe Habilajt të viheshin nën hetim, vijonte plani për t’i zhvlerësuar ato.

Saimir Tahiri zgjedh të bëjë të paditurin deri në naivitet për Habilajt edhe pse ishte Ministër i Brendshëm, në krye të dikasterit që ka të dhëna për të gjitha grupet kriminale apo individët e përfshirë në aktivitete të paligjshme. Ai jep këtë version për makinën.

Saimir Tahiri: “Çështja e makinës sime, shkurt dhe pastër është kjo: makinën e kam shitur në 6 nëntor 2013, dy muaj pasi u bëra ministër. U akam shitur kushërinjve të mi mjaft të largët dhe, në dijeninë time si ministër i Brendshëm, zotërinjtë që akuzohen nga opozita si kryetrafikantët e drogës, nuk kanë qenë kurrë të proceduar, nën hetim, të arrestuar apo të gjykuar për trafik droge. Më bllokuan llogaritë bankare, hipotekën e shtëpisë dhe mundësinë e ndërrimit të targave të makinës edhe pse u bëra ministër më duhej të paguaja gjobat pas vendimit të gjykatës dhe për këtë aplikova për të marrë një kredi, që të shlyeja koston time të të bërit opozitë. Deri në miratimi e kredisë unë e shita makinën dhe është barrë ligjore e blerësit që të ndërrojë pronësinë. Ata nuk kanë mundur, sepse makinës nuk i ndërrohet pronësia për këtë shkak, ndaj dhe makina figuron ende në emrin tim. Gjatë kësaj kohe ajo është përdorur edhe dy herë të tjera prej meje. Edhe këtu dua të theksoj dëshminë e të qeverisurit tonë dhe qeverisjes së atyre. Nëse do të veproja si ministrat e qeverisë së mëparshme do të merrja makinat e qeverisë dhe do të lëvizja nga të doja, por zgjodha të huazoja sërish këtë makinë për të shkuar me pushime me familjen time. E mora ndaj kushërinjve të mi të largët dhe mendoni se kam bërë trafik droge me familjen time?” 

 Pyetja që lind vetiu është se për çfarë arsye do t’ua rimerrte makinën disa kushërinjve kaq të largët? Dhe po ashtu, përse do t’ua linte në pronësi kur as i njihte e as kishte lidhje me ata?

Por ajo çfarë e kompromenton më shumë pozicionin e tij në lënien në përdorim të makinës një grupi trafikantësh ndërkombëtarë të lëndëve narkotike është fakti se Tahiri jo vetëm e ka përdorur Audin pasi e ka shitur, por Habilajt ia kanë dorëzuar atij çelësat në dorë sa herë e ka dashur.

Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë se Tahiri e ka përdorur 4 herë makinën pasi e ka shitur dhe në njërin prej këtyre rasteve është Artan Habilaj personi që e nxjerr makinën nga Shqipëria në Greqi dhe është Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri që e fut nga Greqia për në Shqipëri.

Mediat greke shkruajnë se Audi ka trafikuar drogë edhe në Greqi.

“Hetimet nga vendi fqinjë kanë prova të forta se droga është transportuar nga Shqipëria në Itali nëpërmjet kufirit grek, shpesh me një nga makinat shtetërore të ish-ministrit”.

Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaron më tej se ka prova që Tahiri dhe Habilajt kanë udhëtuar të njëjtën makinë.

Prokuroria: “Me datë 16.08.2014, 30.08.2014, 29.08.2014, 08.08.2014, personi në hetim Saimir Tahiri udhëton dhe përdor mjetin me targa AA003GB, i cili sipas aktit të shitjes rezulton të jetë shitur me datë 05.11.2013. Në këto udhëtime rezulton që personi në hetim Saimir Tahiri ka qënë i shoqëruar nga subjektet e tjera të dyshuara Artan Habilaj, etj.”

Moisi Habilaj rezulton që ta ketë përdorur makinën e Ministrit të Brendshëm edhe në Itali.

Ai lëvizte me një prokurë të posaçme, të firmosur nga Saimir Tahiri, si pronar i ligjshëm i makinës.

Ministri kishte rënë dakord që Habilajt, këta kushërinj të largët, ta përdornin Audin pa i ndërruar pronësinë e të lëviznin lirshëm sa nëpër Shqipëri apo vende të tjera.

Por a dinte ai se çfarë aktiviteti kishin këta persona? Si i kishin venë pasuritë? Për çfarë e përdonin makinën? A ishte në dijeni të faktit se edhe gjobat që mund të merrte Audi do t’i shkonin atij në shtëpi? A e dinte se për çdo shkelje që mund të bënin “kushërinjtë e largët” policëve që do ta nsalonin Audin do t’u rezultonte se ajo ishte në pronësi të Ministrit të Brendshëm?

Kush tjetër në Shqipëri ua ka lënë makinën në përdorim personave të panjohur apo pak të njohur dhe ua marrë sërish?

A ishte ky një farë “imuniteti” që ai u jepte “kushërinjve të 7 apo të 10” përballë policisë, duke i bërë të paprekshëm?

Saimir Tahiri nuk iu përgjigjet as pyetjeve të opozitës në Këshillin e Imunitetit se përse në kohën kur Audi AA 003 GB denoncohej nga Dritan Zagani si mjeti me të cilin trafikohej drogë nuk urdhëroi policinë të kryente hetime mbi Habilajt?

Mosveprimi i tij është çelësi i dyshimeve. Audi A8 me targa AA 003 GB është prova e lidhjes së tij me familjen mafioze Habilaj.

“Për 4 vjet me radhë derisa Saimir Tahiri ishte në krye të Ministrisë së Brendshme Habilajt janë lënë të qetë të trafikojnë tonelata me drogë dhe armë në drejtim të Italisë dhe Greqisë”, thotë Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Antimafia e Katanias i ka përgjuar prej vitit 2013. Guardia di Finanza ishte vënë në ndjekje të Habilajve që kur agjentët e saj në Itali e Tiranë ranë në gjurmët e Habilajve, si persona që, pa u trazuar, dërgonin tonelata me drogë drejt klaneve mafioze siçiliane, me gomone, skaf, peshkarexha e makina.

Në përgjimet e italianëve Moisi Habilaj konstatohet shpesh të flasë për kushëririn e tij të largët, ministrin e Brendshëm.

U ka blerë dhurata nënës dhe bashkëshortes së tij, kërkon 30 mjë euro cash për t’ia dërguar, thotë se përfiton 5 milionë euro në muaj, se nuk i dalin as 20 milionë për fushatë elektorale.

I gjendur përballë këtyre fakteve Saimir Tahiri provoi të gjente mirëkuptim duke pranuar vetëm një faj, atë se “nuk kishte kontrolluar kujt ia kishte shitur makinën”.

Gjithçka tjetër është gjyq politik, shprehet ai.

Prokuroria ka gjetur një dëshmitare. Edhe ajo ka fakte për përdorimin e Audit nga “kushërinjtë e largët” trafikantë dhe mbrojtjen që u jepte atyre Tahiri.

Gjithçka vërtitet rreth Audit AA 003 GB, makinës që zbuloi lidhjet Tahiri – Habilaj, në drejtimin e të cilit janë ulur në mënyrë të alternuar herë anëtarët e një organizate mafioze, herë Ministri i Brendshëm.

Në çdo rast, kjo autoveturë ka qenë një leje kalimi për Habilajt, e firmosur nga Saimir Tahiri, një firmë e hedhur në prokurën që autorizonte ata si përdorues të mjetit. /Lapsi.al

http://www.dailymotion.com/video/x659aib#tab_embed



7 Comments

  1. Nga e gjitha kjo histori e Audit nje gjeje pse i anashkalohet me ligj kur ben kontrate shitje te noteri te kerkon RBS (regjistri barres sigurimit) dhe kur pronari eshte debitor si rasti i Sajmirit nuk e merr dot si e ka bere noteri kontraten e shitjes pa RBS atehere ai noter nqs e ka bere ka abuzuar ose eshte fallco a eshte verifikuar ky fakt

  2. Kontrata noteriale eshte bere shkel e shko kur i doli tymi muhabetit. Nese fakti i dhenies se Audit nuk mjafton per lidhjen e tij me Habilajt, mos prisni t’i hyje gjemb ne kembe ketij njeriu. Por nje gje eshte e qarte se po te ishte per Saimirin e kishin futur menjehere, por gjithe problemi eshte se renia e tij merr me vete Ramen dhe problemi ketu nderlikohet se ka dhjetra mijra qorra qe akoma e mbeshtesin dhe mundet te cenohet stabiliteti i vendit. Prandaj nderkombetaret po tregohen te matur se ata vete e kane te qarte situaten.

  3. Cili njeri nuk I njeh kushërinjtë e nuk e di me çfarë merren sidomos kur I jep makinën dhe e merr kur të duhet nga ata. Kta e mendojnë veten të paprekshëm prandaj dhe bëjnë çfarë të duan. Shqipëria ka ik për lesh

  4. Hello there,

    My name is Aly and I would like to know if you would have any interest to have your website here at lapsi.al promoted as a resource on our blog alychidesign.com ?

    We are in the midst of updating our broken link resources to include current and up to date resources for our readers. Our resource links are manually approved allowing us to mark a link as a do-follow link as well
    .
    If you may be interested please in being included as a resource on our blog, please let me know.

    Thanks,
    Aly

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *