• |
ide | kryesore

Pyetjet që Rama la pa përgjigje në takimin me krerët e policisë

Arkiva, Kryesore



Edi Rama vendosi të flasë pas skandalit që sheh të përfshirë ministrin e tij të Brendshëm me një familje mafioze në fushën e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Dosja Habilaj – Tahiri ia ka rrëzuar të gjithë propadandën për “policinë që duam”.

Pa e përmendur skandalin që rrezikon ta çojë pas hekurave “ministrin më të suksesshëm” të qeverisë së tij, Edi Rama sulmoi mediat dhe atë pjesë të politikës (opozitën) që për 4 vjet me radhë denoncuan futjen në radhët e policisë të personave të lidhur me grupet kriminale, që i lejuan këto banda të zhvillojnë aktivitetin e tyre të patrazuar nga policia.

Kryeminitri sulmoi mediat dhe atë pjesë të politikës që kanë denoncuar kanabizimin e vendit dhe heshtjen e policisë, mosveprimin e saj përballë këtij fenomeni. Kanabisi i arriti deri në studiot televizive, por kryeministri e pa të udhës të sulmonte gazetarët që e çuan atje dhe jo policët që e lejuan mbjelljen.

Kryeministri sulmoi edhe gjykatat, në përpjekje për të fshehur dorëzimin e policisë përballë krimit, siç ndodhi në Elbasan disa javë më parë.

Por kjo mënyrë mbrojtje, e njohur tashmë, çalon në shumë aspekte.

Le t’i marrim me radhë.

Ai e nisi kështu fjalën e tij:

Rama: “S’është hera e parë që vij tek ju kur furtuna e kazanit të politikës dhe medias ngrihet mbi kokat e punonjësv e të policisë….

Çfarë ka ndodhur? Përse çdo policia e shtetit është vënë në një shenjestër të pandashme dhe është baltosur, akuzuar, sakatuar me fjalë papushim.

Kanë ndodhur shumë gjëra. Por po ju them vetëm një. Deri tani, pa mbaruar muaji tetor i këtij, viti policia ka sekuestuar nga duart e rrjeteve kriminale 35 milionë euro, të cilat deri në fundin e vitit të shkuar ishin plot 47 milionë euro para të sekuestruara nga krimi. Ndërkohë që në vitin 2013 nuk bëheshin as 1 milionë euro. Atëherë, a ka nevojë për koment?”

 Koment ndoshta jo, por të dhënat e bëjnë të çalë arsyetimin e kreut të qeverisë.

Sipas raportit të zyrës së OKB –së për drogën në vitin 2014 të adhurat nga aktiviteti kriminal i kultivimit dhe trafikut të kanabisit ishin afro 2 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sot, sipas një përllogaritje të publikuar në revistën monitor kjo përqindje ka arritur në 10, pra është 5 –fishuar. Plot 1.2 miliardë euro kanë qarkulluar në 2016 nga kanabisi, një shumë që e bën të papërfillshëm 45 milionëshin e sekuestruar. Ku janë këto para?

Po çfarë ka ndodhur? Përse, sipas kryeministrit, ka një furtunë mediatike dhe politike ndaj policisë? A është vërtet që policia ka dështuar në luftën me krimin?

Rama: “Çfarë ka ndodhur? Le të çohet një drejtues policie i këtyre 4 viteve dhe të thotë një dëshmi të vetme, që nuk ka mundur dot të ndalojë një ministër, një deputet, një zyrtar të lartë, një biznesmen apo njeri me influencë nga ata që deri para 4 vitesh pështynin në tokë pasi mbyllej xhami dhe iknin pasi i ndalonte polici rrugor. Nuk ka”.

 Nuk ka?! Një raport i policisë, i publikuar nga lapsi.al dy vjet më parë, tregon se si efektivët e antidrogës, në një operacion të gjerë ku ishte përfshirë Guardia di Finanza dhe policia e Malit të Zi, nuk u lejua të ndalonte kreun e një grupi të narkotrafikut. Një deputet i grupit të tij parlamentar, Mark Frroku, e kishte në makinë. Autovetura e tij u ndalua nga agjentët, por Mark Frroku nuk e dorëzoi Bardhok Pllanën, që rrinte i qetë në sediljen e pasme të Audit të deputetit. Agjentët e antidrogës njoftuan shefat. Udhëri që u erdhi nga lart ishte i prerë: makina e deputetit nuk duhej të kontrollohej, edhe pse aty ishte një trafikant droge.

Çfarë ka ndodhur më tej?

Makina Audi A8 me targa AA 003 GB e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri rezulton se është përdorur nga një familje mafioze dhe një grup i strukturuar kriminal në trafikun e drogës, Habilajt e Vlorës. Asnjë polic nuk ka mundur ta ndalojë. Ajo nuk është ndaluar as kur ish –shefi i antidrogës, Dritan Zagani e denoncoi publikisht. Në vend që të goditeshin trafikantët, u godit Zagani. Edi Rama e sulmoi edhe publikisht denoncuesin e trafikantëve përpara qindra policëve që, njësoj si sot, i kishte mbledhur për t’u folur për suksesin e luftës kundër drogës. Ishte viti 2015. Një vit më pas, e gjithë Shqipëria u mboll me kanabis.

Për kanabisin kryeministri ka një tjetër histori. Lexojeni:

Rama: “Padyshim kanë ndodhur edhe gjëra negative, por ama le të marrim kanabisin.

T’u referohemi fakteve, shifrave, provave, jo propagandës, perceptimit dhe baltës. Po të hyjmë në krahasimin midis shifrave të këtyre viteve dhe shifrave të vitit 2013, e di përgjigjen: ‘ishte vetëm Lazarati dhe u hap në të gjithë Shqipërinë’.

Kjo është një e vërtetë e ngritur mbi një gjysmë të vërtete. Një e vërtetë publike mbi një gjysmë të vërtetë për arsyen e thjeshtë se vetëm në Lazarat, sipas raporteve të policisë italiane në vitin 2013, u kultivua një sipërfaqe prej 300 hektarësh dhe u prodhuan 900 ton kanabis.

 Tani, këta 900 ton kanabis, ku shkuan? Pse nuk i pamë kurrë në televizor? Pse nuk i lexuam kurrë në gazetë? Pse nuk i dëgjuam kurrë nga goja e atyre që në atë kohë drejtonin Ministrinë e Brendshme? Sepse ato ikën të gjitha, të patrazuara, të shoqëruara, u shitën matanë detit dhe paratë u ndanë andej dhe këtej detit, poshtë dhe lart.”

Është e vërtetë që Lazarati ishte një histori suksesi e qeverisë “Rama I”. Por çfarë thonë shifrat që kryeministri ka aq për zemër që t’ia tregojë publikut, më shumë për ta ngatërruar sesa për ta sqaruar?

Sa tonelata drogë janë kapur përtej detit në kohën e Lazaratit?

Çfarë thonë shifrat?

Prokurori i Antimafias Italiane, Franko Roberti deklaroi në Tiranë se sasia e drogës që nisej nga Shqipëria për në Itali ishte 3-fishuar.

30 ton kanabis janë kapur vetëm këtë vit në Itali. Dhjetëra tonë vitin e kaluar. Po 900 tonët e drogës që kryeministri thotë se prodhoheshin në Lazarat, përse nuk u kapën nga partnerët?

Kryeministri është i vetëdijshëm se kanabisi është shndërruar në gangrenë për të dhe qeverinë e tij. Sa herë është dëgjuar duke iu vërsulur opozitës dhe medias e duke përsëritur plot ironi fjalët “drogë, drogë, drogë, krim, krim, krim”? “Po t’i hiqni fjalorit tuaj drogën dhe krimin s’keni ç’flisni më”, i tha opozitës herën e kaluar në parlament.

Kur i kërkohej të hidhte sytë nga policia që lejonte hashashin, e mohonte ekzistencën e drogës kategorikisht.

Kur droga zbulohej, ministri i tij i Brendshëm dilte para kamerave si hero në krah të policëve të pajisur me mjete bujqësore duke prerë qindra mijëra rrënjë.

Por nuk kishte asnjë masë për drejtuesit e policisë që kishin lejuar drogën.

Tani flet për masa radikale, a thua se nuk ka qenë ai në qeveri kur droga përfshiu vendin.

Rama: “Dhe unë i përshëndes dhe inkurajoj masat radikale. Nëse sot policia zbulon parcela me kanabis në Rinas, i gjithë zinxhiri aty duhet shkarkuar. Kjo është e qartë, i gjithë zinxhiri!”

 A nuk u zbuluan 6 hektarë drogë në Rinas në vitin 2016? Kush u shkarkua nga detyra? A nuk u zbuluan qindra parcela me drogë në Vlorë? A u shkarkua ndonjë drejtues apo efektiv i policisë?

A nuk u kryen operacionet më të suksesshme kundër drogës nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila veproi thuajse në të gjitha rastet në fshehtësi të policisë lokale, nga frika e dekonspirimit të operacioneve? A nuk veproi kështu Prokuroria e Krimeve të Rënda edhe kur gjeti këtë javë 4 ton drogë në baznë e Habilajve, kushërinjve të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, që lëviznin me makinën e tij në Shqipëri e jashtë, në vendet ku trafikonin drogë?

Habilajt ishin denoncuar publikisht nga shefi i antidrogës së Vlorës, por policia nuk u vu asnjëherë në ndjekje të tyre. A ka kryeministri një përgjigje për këto fakte?

Duke u bërë bisht këtyre pyetjeve që i drejtohen vazhdimisht, sot më shumë se kurrë pasi një ministër i qeverisë së tij akuzohet si anëtar i një grupi të strukturuar kriminal në fushën e narkotikëve, kryeministri u shpreh i sigurt se sot nuk ka kriminel apo bos droge që nuk është kapur në Shqipëri. Shihni çfarë u tha drejtuesve të policisë.

Rama: “Vetëm një gjë duhet thënë, jo për të justifikuar çfarëdoqoftë, por për të vënë gishtin në plagë. Policia ka dhënë një dëshmi të qartë. Në këtë territor nuk ka frymë të gjallë që nuk kapet. Nuk ekziston një bos, një kapo apo një tërësi elementësh kriminalë që nuk kapet. Por nuk ekziston akoma një drejtësi që i lë prapa hekurave. Po të ishte dëgjesë me publikun, do t’i kërkohej çdo burri e gruaje që ka eksperiencë në fushën e betejës dhe secili do të mbante një fjalim të gjatë sa raste policia i ka nxjerrë nga dera e gjykatës dhe gjykata i ka nxjerrë nga dera tjetër”.

Po a ka ndonjë bos droge që është kapur në këto 4 vjet? A u arrestuan personat e denoncuar nga opozita me emër e mbiemër se mbillnin drogë në Vlorë, Gjirokastër, Durrës, Krujë, Dibër, Korçë, Elbasan etj apo ata që i përdorën paratë e drogës fillimisht në zgjedhjet lokale në Dibër, e më pas në shumë qytete të tjerë?

A ka ndonjë emër të njohur në trafikun e drogës të kapur në Shqipëri në këto 4 vjet?

Përse nuk u kap Klement Balili? Përse policia nuk i shkoi në derë sapo i doli emri në Greqi si kreu i një rrjeti narkotrafikantësh? Përse i la kohë disa ditë sa të përgatiste i patrazuar largimin?

Përse Habilajt u goditën nga Italia dhe jo në Shqipëri, ku gjithashtu ishin denoncuar si një klan i fortë mafioz i trafikut të drogës?

Të gjitha këto pyetje, që do të duhej t’u ishte përgjigjur kryeministri sot më shumë se kurrë, e bëjnë të çalë mbrojtjen që ai u bën dështimeve të qeverisë së tij në luftën kundër krimit dhe drogës.

Sepse, siç u shpreh edhe ai vetë, që ua kishte thënë edhe të huajve: “shqiptarin më të pashkollë nuk ka shkencëtar që e bën dot për budalla. Kush përpiqet të bëjë budallenj, ka paguar gjithmonë”. 

Këtë fabul e dinë edhe policët që e dëgjuan për 1 orë. Ata e dinë edhe se si qëndron e vërteta me krimin dhe drogën, shumë e ndryshme nga ajo që u imponohet. /Lapsi.al



4 Comments

  1. Kazani mediatik i rrenave pro-Qeveri me ne krye ate qe der dje Rama i thoshte ” Te fala Sandrit”, punon me kapacitet te plote. Por Rama eshte i pa ngopur. Kerkon qe 100% e Mediave te lehin per qeverine. Dhe ankohet per Kazanin. Se ashtu e ka konceptin e politikes Rama. TIMON, KAZAN, TEPSI…Keto jane konceptet e tij politike…dhe eksporti i droges ne praktike, patjeter!

  2. O Edo mos i pirdh fare keta plehrat mashtruese qe na bejne te qeshim me idiotesite e tyre. Me kete lloj bllofi mashtrues qe u be nga shqup + fronti dhe mediat qe ju lepijne bythen atyre ,eshte e sigurt fitorja e ps ne 2019 dhe 2021.

  3. Rama i ka bere budallenj shqiptaret si me shkolle e pa shkolle. Te gjitha kunderargumentat e Lapsit qendrojne. Po kujt t’i thuash, Rames? Vencin dore nderkombetaret qe sic ndihmuan ne renien e komunizmit, te ndihmojne edhe ne renien e ketij narkoregjimi te kriminalizuar deri ne palce.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *