• |
ide | kryesore

Qeveria tërhiqet pjesërisht nga TVSH-ja për biznesin e vogël

Arkiva, Lajme, Të fundit



Qeveria është tërhequr pjesërisht nga shtrirja e TVSH-së tek i gjithë biznesi i vogël. Sipas Ahmetajt bizneset me xhiro deri në 2 milionë lekë nuk do futen në skemën e TVSH por do qëndrojnë kështu si janë.

“Kjo do të thotë që përjashtohen ambulantët, tregjet e bashkive, zejtarët dhe nëse sot janë gati 70 mijë biznese që janë jashtë skemës së deklarimit të TVSH-së, gjithsej brenda skemës do të hyjnë vetëm 9 mijë. 61 mijë do të ngele sërish të përjashtuar për shkak të nivelit të tyre të ulët të xhiros nën 2 milionë”, tha Ahmetaj.

Qeveria ka bërë publike për herë të parë edhe të shumëpërfolurën taksë për pronën.
Sipas dispozitës së re ligjore, një familje, e cila ka një apartament me vlerë tregu 100 mijë euro, vitin e ardhshëm do të paguajë 50 euro taksë prone.

“Duke ndryshuar metodologjinë e llogaritjes së kësaj takse nga një taksë fikse që bazohet në sipërfaqet e ndërtesës eshprehur në metër katrorë, në taksë në përqindje që aplikohet mbi vlerën e tregut të ndërtesës”, tha ministri Ahmetaj.

Taksa e pronës për familjet do të jetë 0.05 për qind e vlerës së pronës. Fillimisht ajo do të zbatohet vetëm mbi ndërtesat, më vonë do të shtrihet edhe tek trualli dhe toka bujqësore. Për ndërtesat e biznesit taksa do të jetë tre here me shume

“Këtu sipërmarrja përfiton një lloj ulje të ngarkesës krahasimisht me atë që ka qënë taksë fikse, 400 lekë/m2”, tha më tej ai.

Pas taksës së pronës ndryshimi i dytë është ai që prek sektorin e turizmit, përkatësisht hotelet e reja me 5 yje

“TVSH 6 për qind për të gjitha hotelet që ndërtohen rishtaz me 5 yje që janë brand name, për të gjitha shërbimet brenda mureve të tyre”, bëri të ditur ministri.
Këtë lehtësi e përfitojnë vetëm markat e hoteleve të listuara si brand name nga OKB. Paralelisht hotelet luksoze përfitojnë përjashtim nga tatim fitimi. “Për dhjetë vjet përjashtohen nga tatim fitimi”, tha ministri. /TCh



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *