• |
ide | kryesore

Përse duhej arrestuar Saimir Tahiri/ Këto janë argumentat e opozitës

Arkiva, Lajme, Të fundit



Në raportin e paraqitur në parlament, opozita argumentoi se përse duhej dhënë autorizimi për arrestimin e ish -ministrit Saimir Tahiri, deputet i PS.

Sipas opozitës, kërkesa dhe relacioni i Prokurorisë për Krime të Rënda tregojnë qartë se ekzistojnë kushtet ligjore për arrestin dhe kontrollin personal e të banesës së deputetit Tahiri.

PD – LSI paraqitën këto argumenta:

a) Dyshimet e arsyeshme të bazuara në prova

Ndaj deputetit Saimir Tahiri ekzistojnë dyshime të arsyeshme për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve, të kryer në bashkëpunim në formën e posaҁme të grupit të strukturuar kriminal” të parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 333/a të K.Penal dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë” të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Një paraqitje e përmbledhur e fakteve penale në themel të këtyre veprave penale, sipas akteve të prokurorisë, jepet në rubrikën “III. Faktet” të këtij Raporti. Prokuroria, në faqet 3-4 të relacionit, tregon në mënyrë të qartë se këto dyshime të arsyeshme bazohen në një set provash si më poshtë:

  • – Provë materiale “3.5 ton lëndë narkotike e llojit cannabis sativa”, e sekuestruar nga autoritetet italiane, që dyshohet se është trafikuar nga grupi i strukturuar kriminal
  • – Provë materiale “3978 kg lëndë narkotike e llojit cannabis sativa”, e sekuestruar nga autoritetet shqiptare në datën 18.10.2017 në banesën e bashkëpunëtorit të grupit të strukturuar kriminal A.Koҁerri në Vlorë;
  • – Të dhëna të marra nën formën e përgjimeve (1800 fletë në total transkipte) nga ku rezulton përfshirja e deputetit Saimir Tahiri në kryerjen e veprave penale, duke përfshirë edhe marrjen e shpërblimeve të paligjshme, të përftuara nga përgjimet e komunikimeve telefonike dhe ambientale të të hetuarve Moisi Habilaj etj;
  • – Dokumentet e shitjes së automjetit me targa AA 003 GB nga deputeti Saimir Tahiri tek Artan Habilaj, një prej anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal, në datën 15.11.2013;
  • – Dokumentet për përdorimin e automjetit AA 003 GB nga deputeti Saimir Tahiri, pas shitjes së tij, si dhe për udhëtimin e deputetit Saimir Tahiri me këtë automjet me Artan Habilaj, një prej anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal.

b) Rreziku për procedimin

Prokuroria në kërkesën drejtuar Kuvendit, si dhe në përgjigje të pyetjeve përpara Këshillit për Imunitetin, treguan qartazi se në rastin konkret ekziston rreziku për prishjen e provave të procedimit penal nga deputeti Saimir Tahiri. Pozicioni i tij si deputet i mazhorancës, pas një përvoje prej më shumë se 3 vjet në detyrën e Ministrit të Brendshëm është një tregues i qartë i lidhjeve dhe aftësisë së tij për të ndikuar në cilësinë e provave të procedimit penal.

c) Papërshtatshmëria e masave të tjera

Prokuroria, në kërkesën e saj (shih faqe 5) dhe në përgjigjet e dhëna përpara Këshillit për Imunitetin, treguan qartë se ҁdo masë tjetër, veҁ asaj të arrestit, është e papërshtatshme për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore të veprave penale për të cilat po procedohet dhe për shkak të pozicionit të deputetit Saimir Tahiri. Në këtë drejtim, prokuroria evidenton se rasti konkret paraqet rrezikshmëri të shtuar, pasi ka cenuar drejtpërdrejt imazhin e institucioneve shqiptare në sytë e opinionit publik, por edhe imazhin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Së fundmi, duhet evidentuar se prokuroria, në kërkesën e saj ka treguar qartë se përmbushen edhe kushtet ligjore për të autorizuar kontrollin personal dhe atë të banesës së deputetit Saimir Tahiri. Siҁ ajo parashtron, në rastin konkret ka arsye të bazuara për të menduar se në banesën e deputetit Saimir Tahiri fshihen prova materiale të veprës penale ose sende që i përkasin veprës penale.

 Vlerësimi i kritereve për lënien ose mbajtjen e imunitetin (kriteret e Komisinit të Venecias):

Në vlerësimin në themel të çështjes për mbajtjen ose jo të imunitetit në këtë rast, duke u bazuar në rrethanat e faktit të përshkruara në matëerialet e paraqitura nga ana e prokurorisë, lehtësisht vërehen plotësimet e kritereve, në favor të dhënies së autorizimit (heqjes së imunitetit) duke arritur në konkluzionet për secilin kriter si më poshtë:

  • pretendimet e prokurorisë nuk janë as haptazi dhe as qartazi të pabazuara. Ajo ka shoqëruar kërkesën e vetë më relacionin përkatës dhe më një numër të lartë provash në kuptim të nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale.
  • Akuzat e ngritura nga ana e prokurorisë dhe kërkesa e saj për dhënie autorizimi (heqjen e imunitetit) nuk bazohen në ndonjë veprimtari poltike të deputetit.
  • Shkeljet penale që deputetit i atribuohen, në mënyrë të qartë nuk janë të bazuara në motive politiko-partiake dhe as kanë për qëllim shqetësimin apo intidimin e deputetit apo ndikimin e mandatit të tij. Nga vetë deputeti as nuk u pretendua një motiv i tillë politik.
  • Heqja e mandatit të deputetit, nuk e vë në rrezik serioz funksionin demokratik të parlamentit as edhe të drejtat themelore të vetë deputetit apo ndonjë grupi parlamentar.
  • Vetë kërkesa për dhenie autorizimi (heqje imuniteti) është përshkruar në aktet e prokuroisë se bazohet në shkaqë të drejta, të rëndësishme dhe të sinqerta. Ato kanë lidhje me procedimin penal, bëhen në funksion të tij, si nevoja të domosdoshme për t’u kryer.
  • Shkelja e pretenduar nga ana e prokurorisë (akuzat) janë veçanrisht të rënda
  • Shkelja që i atribuohet deputetit e për të cilat kërkohet heqj e imunitetit, nuk është pasojë e veprimtarisë së tij si parlamentar (ka qenë në funksion e ministrit)
  • Dhënia e autorizimit (heqja e imunitetit) është një barrierë e vërtetë e cila nëse nuk realizohet, atëherë verifikohet një pengim real i drejtësisë
  • Mosdhënia e autorizimit, është një akt i cili kompromenton tërësisht autoritetin dhe legjitimitetin e parlamentit në sytë e publikut dhe në marëdhëniet institucionale me organet e tjera.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *