• |
ide | kryesore

Xhafaj takon ministrin e Brendshëm të Italisë. A diskutoi për çështjen Tahiri dhe drogën?

Arkiva, Lajme, Të fundit



Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj takoi në Itali homologun e tij Marco Minniti. Zyra e shtypit në MB thotë se dy zyrtarët biseduan për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh e rajonal në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, si dhe masat kundër migracionit të paligjshëm.

Thuhet më tej në deklaratën zyrtare të ministrisë shqiptare se zoti Minniti “e përgëzoi homologun shqiptar, duke shprehur konsideratën e lartë për rezultatet në luftën kundër kultivimit të kanabisit”.

Vizita vjen teksa në Shqipëri, Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit gjenden në syrin e një cikloni të ardhur nga antimafia italiane.

Ish -kreu i këtij dikasteri kërkohet nga prokuroria për t’u arrestuar, si pjesë e një grupi të narkotrafikut, të drejtuar nga vëllezërit Habilaj. 7 pjesëtarë të tij janë kapur në Itali.

Nuk bëhet e ditur nëse në këtë takim është përmendur kjo çështje. Drejtues të opozitës, që në nisje të vizitës, e kanë quajtur atë si përpjekje të Edi Ramës për të devijuar çështjen, duke dërguar në Itali Fatmir Xhafajn.

Takimi i dy ministrave vjen në një tjetër moment të rëndësishëm.

Kreu i Antimafias Italiane, Franco Roberti, u shpreh dy ditë më parë se droga shqiptare po e mbyt Italinë. Kjo qe arsyeja që ai u kërkoi autoriteteve ta legalizojnë atë, si mënyrë për të luftuar bandat shqiptare të narkotrafikut.

Një tjetër moment i parapriu takimit. Në Shqipëri, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, deklaroi dje se kanabisi nga Shqipëria është trafikuar në drejtim të Italisë me ndihmën e atyre që kanë detyrë ligjore për ta luftuar atë. /Lapsi.alë



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *