• |
ide | kryesore

Vendimi për rritjen e çmimit të ujit shtyhet për në nëntor

Arkiva, Lajme, Të fundit



Enti Rregullator i Ujit pritet të marrë një vendim për çmimin e ujit në Tiranë në muajin nëntor. Burime pranë këtij komisioni pohuan për Monitor se tashmë janë kaluar të gjitha hallkat që shoqërojnë një procedurë standard. Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e çështjes, mendimin nga palët e interesit si dhe dokumentacionin voluminoz të paraqitur, duket se çështja është shtyrë përtej shtatorit që ishte afati i parë i vendimmarrjes që u deklarua nga ERRU në një deklaratë për mediat.
Të njëjtat burime konfirmuan se janë zhvilluar edhe seancat dëgjimore sikurse parashikohet në kuadrin ligjor dhe dosja e plotë bashkë me vlerësimet teknike dhe ekonomike i ka kaluar tashmë Komisionit Kombëtar i cili ka edhe tagrin për të dhënë vendimin.
Në mes të këtij viti Ujësjellës Kanalizime Tiranë aplikoi pranë Entit Rregullator të Ujit për një rritje të çmimit të ujit duke e argumentuar këtë me paratë që do t’i duheshin për të zbatuar një plan ambicioz investimesh.
Në korrik kjo kërkesë kaloi edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës i cili miratoi rritjen e çmimit të ujit në kryeqytet me 20 lekë për m3 duke e çuar nga 45 lekë në 65 lekë/m3 për familjet dhe nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3 për bizneset.
Kjo rritje sipas Bashkisë së Tiranës e cila ka edhe kompetenca të plota mbi ndërmarrjen Ujësjellës-Kanalizime, bëhet për të kryer investime në rrjet që në 5 vitet e ardhshme do të garantojnë furnizimin 24 orë me ujë të kryeqytetit.
UKT nga ana tjetër ka regjistruar një ecuri pozitive tek bilanci financiar i vitit 2016 kur regjistroi një fitim 5 milionë euro.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *