• |
ide | kryesore

Pse të gjithë po e braktisin Top Channel?

Arkiva, Kryesore



Dikur të punoje në televizionin Top Channel ishte arritja më e madhe në karrierë për një gazetar të ri apo edhe për ata me përvojë në këtë profesion. Kjo ambicje ishte padyshim e kuptueshme pasi Top Channel ishte një media gjigante në mbarë hapësirën shqiptare.

Sot nuk ndodh më kështu. Televizioni që dikur lakmohej nga të gjithë po braktiset dita-ditës nga emra të njohur për publikun, gazetarë profesionistë apo moderatorë që kanë mbajtur një peshë të rëndësishme në programacionin e tij. E fundit në serinë e largimeve nga Top Channel është gazetarja e politikës Elona Meço. Për vite me radhë ajo ka raportuar zhvillimet nga selia blu, në të cilën do të nisë një punë të re si drejtoreshë e zyrës së shtypit në PD.

Katër ditë më parë u mësuan dy largime të tjera. Është fjala për gazetaren Lira Burgija, e cila nisi punë si këshilltare për marrëdhëniet me publikun në një kompani private. Idro Seferi, korrespondenti i njohur i Top Channel nga Beogradi, braktisi televizionin ku punonte për gati 10 vjet, duke mos dashur të komentonte arsyet e dorëheqjes së tij.

Pa u shuar ende jehona e lajmit të largimit të tij, Seferi u shfaq si gazetar në televizionin Klan, rivalin direkt të Top Channel. Dy javë më parë i bujshëm ishte edhe largimi i moderatores Jonida Shehu. Ajo e mori vendimin për të lënë Top Channel, pas një gjobe prej 1500 eurosh që televizioni i ngarkoi të paguante. Shkak i përplasjes ishte një emision me Rezarta Shkurtën, përgjatë të cilit Jonida Shehu kishte përfshirë edhe një kronikë për biznesin privat të saj, çka u konsiderua publicitet prej drejtuesve të televizionit.

Nëse shkojmë pak më tej në kohë, në prag të nisjes së këtij sezoni të ri televiziv, sjellim në vëmendje një tjetër largim nga Top Channel. Adi Krasta i rikthyer në Top Channel vitin e shkuar, pasi gëlltiti gjithçka kishte thënë kundër drejtuesve të këtij televizioni në kohën që punonte për Agon Channel, nuk do të shfaqet më këtë sezon në ekran. Ai hoqi dorë nga programi ‘E Diell’ i konceptuar për të konkurruar Tv Klanin me ‘E Diela Shqiptare’.

U përfol se Krasta do të qëndronte në Top Channel duke sjellë për publikun një program të ri, por kjo nuk ndodhi. Ai nuk është më pjesë e televizionit të cilin e braktisi disa herë, por dhe u kthye disa herë. Një vit më parë i bujshëm ishte edhe largimi i Mentor Kikisë nga Top Channel. Ndonëse ai kishte mbi një dekadë në këtë televizion, u shkarkua pas përplasjeve me drejtorin e ri të informacionit, Sokol Balla. Këtij sezoni të ri televiziv, Top Channel-it do t’i mungojë edhe një prej motrave Vjollca. Marina e cila shfaqej cdo të hënë te ‘Procesi Sportiv’ tashmë po nis një aventurë të re në Tv Klan.

Seria e largimeve përgjatë 4 viteve të fundit nga televizioni që dikur e kishin të gjithë ëndërr të punonin është e gjatë dhe në media janë raportuar të gjitha lëvizjet me radhë. Ato largime nuk shpjegohen me normalitetin që ka çdo sektor tjetër, ku njerëzit ndryshojnë punë nga një kompani në tjetrën natyrshëm, për një pagë më të mirë apo për t’u rritur në karrierë.

Ikjet nga Top Channel lidhen së shumti me turravrapin e Vjollca Hoxhës për të vënë totalisht nën kontroll pasurinë që i la trashëgimi i shoqi dhe influencën gjithnjë në rritje të fëmijëve të saj tek televizioni, përshi këtu natyrisht edhe dhëndërin, Ledion Liço. Në këtë përpjekje Vjollca Hoxha detyroi të iknin edhe shumë prej drejtuesve kryesorë të televizionit, tek të cilët ajo mendonte se kryeministri Rama kishte pushtet dhe ndikim direkt, duke anashkaluar në këtë mënyrë autoritetin e saj në krye të Top Medias.

Ky spastrim nga ‘garda e vjetër’ i dha më shumë pushtet Vjollca Hoxhës, e cila me shpejtësi emëroi në pozicionet vakante njerëzit e saj besnikë, duke e nisur me vajzat, dhëndërin e deri tek shoferi personal. Por e gjithë kjo ‘furtunë’ brenda medias më të madhe në vend, solli demotivim, kulisa dhe mëri brenda stafit.

Po të shtosh këtu edhe audiencën në pikiatë të shumë prej programeve dhe edicioneve informative, Top Channel nuk mund të shihej më prej gazetarëve si media e lakmuar për të punuar. Prandaj largimet janë të njëpasnjëshme dhe ndoshta nuk do të ndalen akoma.

© LAPSI.al 



11 Comments

  1. Top-Channelit I marshi te keqen. Ai eshte zeri 60 vjecarëve qe duan dvd e ardhura nga Lali Pleri. Eshte zeri i analisteve me te mire si puna Minxhozit qe kurre nuk e permend Gerdecin (se kishte vellain ne kete afere) etj etj. Po eshte edhe ai molja, Gaz Paja

  2. 5 komentet e mesiperme vertet nuk i kuptoj. Shume ironi, nenkuptime e ku di une. Artikulli nuk ka shume vlera, keshtu qe nuk i bej me faj komentuesit. Megjithate, mund te shkruhet per dicka me me rendesi. (Une jam i pari ne liste qe po shkruaj kot, por une e justifikoj veten sepse nuk jetoj ne Shqiperi dhe se di situaten ne Top-Channel).

    P.S.
    Sandrino – te fala dhe ty gjithashtu. Puthe nusen per mua.

  3. top channel eshte nje televizjon shqiptar si gjithe te tjeret:
    – i themeluar nga trafikante droge apo ku e di une se cfare tjeter kane bere per gjithe ato para.
    – biznes me inteligjence te ulet dhe i ndikuar nga politika 100% per dizinformim.
    – emisjonet jane me keq sesa “mediokre”.
    e kush TV tjeter ne shqiperi nuk eshte keshtu?

  4. Ai qe e ka shkruajtur kete koment jargavitet prej kohesh qe te kete fatin te hyje ne top channel. Fatmiresisht nuk shkon me larg se Berti i traut.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *