• |
ide | kryesore

U kap me 800 mijë euro dhe patentat e Tahirit/ Çfarë do të ndodhë me pronat e Orest Sotës

Lajme, Të fundit



25-vjeçari Orest Sota, që u kap me 863 mijë euro dhe me dy patenta lundrimi të Saimir Tahirit disa ditë më parë në makinë, do të duhet të justifikojë para drejtësisë këtë shumë.

E gjithë pasuria e tij pritet të kalojë në sitën e prokurorisë.

Sota ka deklaruar se paratë i kishte për të paguar një paradhënie në kompaninë Kurum për të blerë hekur për një firmë ndërtimi të babait të tij. Por, ky version nuk e ka bindur Prokurorinë e Elbasanit dhe as gjykatën që e la në burg.

Prokuroria dyshon se kjo shumë mund të ketë ardhur nga aktivitete të paligjshme ose nuk është deklaruar për t’iu fshehur tatimeve. Nisur nga këto dyshime, dosja mund të kalojë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Tv Klan mëson se në sitën e hetuesve mund të kalojë kompania “Eko Konstruksion” e Sotës apo firma e ndërtimit e babait të tij. I ati i Sotës mësohet se është shprehur se paratë ishin kursime të tij ndër vite dhe ishin të destinuara për blerjen e hekurit te kompania Kurum.

Burime nga grupi hetimor thonë se pritet që të merren deklarime në formë proceduriale nga drejtuesit dhe menaxherët e kompanisë turke, në Elbasan.

Ata pritet të japin deklarime nëse kishin porosi për hekur nga biznesmeni Sota dhe nëse kishin ndonjë pagesë për të marrë me paratë që mbante me 25-vjeçari.

Edhe pse dosja mund të kaloje te Krimet e Rënda, burime nga grupi hetimor sqarojnë se deri tani nuk ka ndonjë të dhënë për ta bashkuar dosjen e biznesmenit me hetimin e nisur për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, si të përfshirë në grupin e trafikut të drogës, të drejtuar nga vëllezërit Habilaj.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *