• |
ide | kryesore

Kasëm Trebeshina na përbuz edhe pas vdekjes

1, 2, Ide



Kasëm Trebeshina i përket asaj kategorie intelektualësh- të pakët fatkeqësisht në botën shqiptare,- që, kur kuptoi natyrën e regjimit për të cilin kishte luftuar, u tërhoq dhe iu kundërvu atij. I kishte të gjitha mundësitë të bënte atë që bëri shumica: të konformohej duke u vënë në shërbim të atij regjimi. Por një cilësi e karakterit dhe pasioni për letërsinë e vërtetë nuk e la ta bënte këtë zgjedhje. Ndoqi zërin e ndërgjegjes së tij, vazhdoi të shikojë yjet edhe pse i detyruar të jetojë në batak, me pasojat që dihen: burgun e gjatë dhe izolimin nga shoqëria.

Si i tillë, pas viteve ’90, ai do të duhej të kishte qenë ndër njerëzit e respektuar më së shumti, sepse, siç e thashë, këta janë të rrallë- dhe për të tillë njerëz ka aq shumë nevojë çdo shoqëri, por më së shumti shoqëria shqiptare. Por kjo nuk ndodhi pasi kultura jonë mbizotëruese solli edhe një herë në pushtet ata njerëz që nuk kishin bërë zgjedhjen e Kasëmit në kohën e diktaturës, por zgjedhjen e vënies në shërbim për përfitime dhe karrierë. Figura e tij shqetësonte shumë ndërgjegje të asaj elite; ishte një pasqyrë që konvenonte më mirë të thyhej. Ja pse Kasëmi u izolua dhe u vetizolua, edhe njëherë, duke vazhduar të ndjekë zërin e ndërgjegjes së tij e të shikojë yjet, larg nga bataku. Mund të kritikohet se përse nuk luftoi? Ndoshta. Por edhe me tërheqjen e tij nga shëmtimi i ri që po ndërtojmë, flet shumë për ata që duan të shikojnë e të dëgjojnë.

Kujtimi i tij duhet të ruhet si model, nëse duam të sfidojmë atë kulturë mbizotëruese tek ne, që na bën të respektojmë mujsharin dhe jo të diturin, hileqarin dhe jo të ndershmin, servilin dhe jo krenarin, gënjeshtarin dhe jo të sinqertin. Po qe se ia arrijmë, atëhere ky kujtim do të rritet me kohën. Po qe se vazhdojmë të mbetemi në batak, Kasëmi do të vazhdojë të na përbuzë nga lartësia e yjeve ku e ngriti vendosmëria për të mos e shkitur shikimin prej tyre.



5 Comments

  1. Pervec letersise te shkelqyeshme Trebeshina, vepren qe permbledh krijmtarine e tij kishte jeten e tij, karakterin qe nuk bente kompromis me te shtremberin per hir te lehtesimit. Guximin dhe dinjitetin krenar ne heshtje. Njeri i rralle per keto kohe. Vdekja e Trebeshines ndonese e natyrshme, nuk solli lehtesim te atyre qe e sulmuan gjithe jeten dhe me zi prisnin te largohej. Sote me shume se kurre ndihen me te hutuar e te shushatur nga argumenti final i Trebeshines.

  2. Victor Hygo:

    Një mijë në qëndrofshin, do qëndroj dhe vetë.
    Po dhe njëqind në mbetshnin, nuk tundem kurrsesi.
    I dhjeti do jem, nëse mbeten dhjetë.
    E në mbettë veç një- unë do jem ai!

  3. Me pelqeu permbajtja e shkrimit. Nuk jam ne gjendje te vlersoj vepren letrare te Kasem Trebeshines, por karakterin e tij njerzor qe s’bente kopromise me te keqen e admiroj ne pafundesi. Nje vlere e fuqishme mobilizuese e races sone problematike.

  4. Jam nje lexues i vjeter dhe kam lexuar nja dy vepra te Trebeshines, si shkrimtar me duket teper i erret, ose siç thuhet “modern”,. Mendoj se nje veper arti eshte me vlere kur vleresohet nga te gjithe ata qe ju intereson arti, ne kete rast nga lexuesit! Po te kemi parasysh qe kur ishte partizan ka vrare nje shokun e tije ( me uredher te komandes) pabesisht, me nje plumb pas koke, e kjo nuk duhet harruar! Une per vete nuk ndjehem i perbuzur nga nje shkrimtar vrases!

  5. Jam nje lexues i vjeter dhe kam lexuar nja dy vepra te Trebeshines, si shkrimtar me duket teper i erret, ose siç thuhet “modern”,. Mendoj se nje veper arti eshte me vlere kur vleresohet nga te gjithe ata qe ju intereson arti, ne kete rast nga lexuesit! Po te kemi parasysh qe kur ishte partizan ka vrare nje shokun e tije ( me uredher te komandes) pabesisht, me nje plumb pas koke, e kjo nuk duhet harruar! Une per vete nuk ndjehem i perbuzur nga nje shkrimtar vrases! Nese ndjehet zoti Lubonja, me vjen keq!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *