• |
ide | kryesore

Tërmeti mes Iranit dhe Irakut, shkon në 530 numri i të vdekurve

Planet



Të paktën 530 persona e kanë humbur jetën, ndërsa rreth 7.500 janë plagosur në tërmetin e fuqishëm që e goditi kufirin mes Iranit dhe Irakut.

Epiqendra e tërmetit të së dielës me intensitet prej 7.3 ballë sipas shkallës së Rihterit, ka qenë në Irak, në afërsi të kufirit me Iranin, në rreth 50 kilometra nga qyteti iranian Sarpop e Zahab.

Janë regjistruar edhe dy tërmete dytësore, me fuqi prej 7.2 dhe 7.3 ballë sipas shkallës së Rihterit, në thellësi prej 19 dhe 25 kilometra nën sipërfaqen e tokës. Shërbimet sizmologjike njoftuan se tërmeti është ndjerë edhe në Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izrael.

Nga tërmeti, në Iran janë prekur shtatë provinca, ku ka dëme materiale në 1.650 qytete dhe fshatra. Janë shkatërruar tërësisht 12.000 shtëpi.

Presidenti iranian Hasan Rohani, i cili sot e vizitoi rajonin e goditur, deklaroi se më së shumti dëmtime kanë pësuar banesat të cilat i ka ndërtuar shteti dhe se dikush duhet të ndërmarrë përgjegjësi për këtë.

Televizioni shtetëror iranian kumtoi se dridhja ka shkaktuar dëm të madh, posaçërisht në pjesët rurale të provincave të goditura. Tërmeti ka shkaktuar edhe rrëshqitje të mëdha të tokës, që e kanë vështirësuar punën e ekipeve të shpëtimit.

Mijëra iranianë po flejnë jashtë prej dy netësh. Një pjesë e njerëzve të evakuuar janë vendosur në kampe, por ankohen se përveç ujit, nuk kanë marrë ndihmë humanitare.

Në Iran sot është shpallur Ditë zie kombëtare për viktimat nga tërmeti.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *