• |
ide | kryesore

Banka Botërore: Rritja ekonomike do ngadalësohet, investimet e huaja po shterojnë

Lajme, Të fundit



Banka Botërore ka prezantuar gjatë ditës së sotme Raportin e rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, ku për Shqipërinë banka ka paralajmëruar një ngadalësim të rritjes ekonomike, si rrjedhojë e përfundimit të investimeve të mëdha të huaja dhe rritjes më të ngadaltë sesa pritej të partnerëve tregtarë. Ekspertja e Bankës Botërore, Ilda Shijaku tha se rritja ekonomike do të jetë më e ulët pas përfundimit të të projekteve të mëdha të TAP dhe Devoll dhe mosplanifikimit të projekteve të mëdha.

Në tabelat e Bankës Botërore, parashikohet që rritja e vendit të jetë 3.8% në vitin 2017, për t’u ngadalësuar më pas në 3.6% në vitin 2018 dhe 3.5% në vitin 2019. Kjo është në linjë me pritshmëritë e FMN-së, që në raportin e tetorit uli me 0.4 pikë përqindje parashikimin për zgjerimin ekonomik të vendit vitin e ardhshëm, nga 4.1% në 3.7%, duke përmendur gjithashtu shqetësimin për rënien e investimeve bruto dhe kërkesës së brendshme.

Raporti i sotëm i Bankës Botërore thekson se rritja më e ngadaltë sesa pritej në partnerët tregtarë mund të zvogëlojë eksportet e Shqipërisë dhe flukset hyrëse të IHD-ve, të cilat do të transmetoheshin në nivele më të ulëta të të ardhurave nga tatimet dhe investimeve publike dhe rritje më të ngadaltë të prodhimit.

Forcimi ekonomik, paralajmëroi banka, varet nga stabiliteti ekonomik dhe përmirësimi në klimën e biznesit për të rritur efikasitetin e gjykatave, menaxhimin e investimeve publike, aftësitë e punës dhe reformën në sektorin e energjisë. Periudha paszgjedhore do të ofrojë një mundësi për të avancuar në këto axhenda, të cilat duhet të informohen nga përpjekjet për të siguruar vazhdimin e reduktimit të varfërisë, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Ballkani Perëndimor po rimëkëmbet

Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të kenë rritje ekonomike në 2017. Ndërkohë parashikohet që ritmi rritjes rajonale të përshpejtohet në 33.3 për qind në 2016-n dhe 3.6 për qind në 2019. Investimet nxitën Investimet nxitën rritje të fortë ekonomike në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, ndërkohë konsumi çoi në një rritje të qëndrueshme në Bosnje dhe Hercegovinë. Kriza më e hershme politike në IRJ të Maqedonisë, si dhe dimri i ashpër në Serbi, shkaktuan tkurrje të rritjes ekonomike në dy vende.

“Është inkurajuese të vërejmë se afro një dekadë pas krizës financiare globale, punësimi më në fund po rimëkëmbet në nivelet e para-krizës në pjesën më të madhe të rajonit”, u shpreh Linda Van Gelder, Drejtoresha Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.  “Tani është më e domosdoshme se kurrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të ruajnë tempin e reformave, me qëllim krijimin e mundësive dhe përmirësimin e standardeve të jetesës për të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor”.

Rritja ekonomike, e shoqëruar me krijimin e vendeve të reja të punës, kontribuoi edhe uljen e varfërisë në rajon. Norma e Varfërisë për vitin 2017 parashikohet që të jetë 23.6 për qind, që përbën një rënie me një pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Kjo do të thotë se rreth 124 mijë njerëz kanë dalë nga varfëria gjatë kësaj periudhe. Ndërsa perspektiva e rritjes ekonomike mbetet pozitive për vendet e Ballkanit Perëndimor, ato vijojnë të jenë ende të ekspozuara ndaj risqeve. Pasiguritë e politikave ose ndryshimi i kahut të tyre, mund të ngadalësojë investimet dhe rritjen ekonomike./ Monitor



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *