• |
ide | kryesore

Rrëfimi rrënqethës i të moshuarës për torturat e grabitësve që i hynë natën në shtëpi

Lajme, Të fundit



Rrëfimi i një gruaje të moshuar, të grabitur në shtëpinë e saj në Shkallnuer të Durrësit, i ngjan një skene filmash. Nga spitali, 69 vjeçarja Shahe Elezi tregoi për Gazeta Shqiptare si është lidhur dhe rrahur bashkë me të shoqin për 1 milion lekë të vjetra.
“Ishte ora 12-12:30 e natës kur dëgjuam zhurmë. Dola bashkë me bashkëshortin të shikonim se çfarë po ndodhte, kur pamë tre grabitësit e maskuar. Njëri ishte jashtë, ndërsa dy të tjerët ishin futur brenda në shtëpi. Na kapën për fyti mua dhe burrin. Tim shoq e shtrinë përtokë. Ata qëlluan bashkëshortin, ndërsa mua më thanë t’u tregoja se ku i kishim paratë. Ua tregova vendin ku ndodheshin lekët (1 milion lekë të vjetra), por ata donin më shumë. Ne më shumë nuk kishim. Na bënë copash”.
77-vjeçari Maliq Elezi ndodhet në Spitalin e Tramës në Tiranë, në gjendje kritike për jetën.
“Ata na lidhën me skoç dhe plastmase, ndërsa e goditën burrin me grushte, leva hekuri dhe mjete të forta, ndërsa i thoshin nxirr paratë. Unë u tmerrova, ndaj iu përgjërova që ta linin të qetë burrin. Por, grabitësit vazhdonin ta godisnin tim shoq, ndaj unë u detyrova t’u tregoja vendin ku ishin paratë. U jam lutur duke u thënë: ‘Mos e qëlloni bashkëshortin se është plak dhe do iu ngelë ndër duar’, por nuk më dëgjonin. Më kanë goditur edhe mua. Shtëpinë e kthyen përmbys. Njëri më kërcënonte mua, tjetri godiste bashkëshortin, ndërsa i treti e ktheu shtëpinë përmbys për paratë. Na thoshin: ‘I keni fëmijët në Greqi e në Itali, tregoni ku i keni paratë. Na i jepmi me të mirë se në të kundërt do t’ju vrasim të dyve’. Grabitësit e lanë burrin tim në gjak. E godisnin nga koka dhe e ai i shkreti humbi ndjenjat”, tha 69-vjeçarja. Të moshuarit janë torturuar për dy orë dhe në orën 5 të mëngjesit, policia i dërgoi në urgjencën e spitalit të Durrësit. Maliq Elezi kishte hemorragji në tru, ndaj dhe u dërgua për mjekim më të specializuar në Tiranë. Policia nuk ka asnjë të dhënë që mund të çojë në identifikimin e grabitësve.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *