• |
ide | kryesore

Si qeverisin elitat e Ballkanit duke prodhuar skandale

Lajme, Të fundit



Furia në Serbi në lidhje me intervistën e Bakir Izetbegoviqit është një shembull klasik i mënyrës sesi qeveritë e Ballkanit përdorin mediat «mike» për të shpërqendruar vëmendjen e publikut nga skandalet e korrupsionit.

Nga Jasmin Mujanoviç
Ka dy lloje skandalesh politike në Ballkanin Perëndimor.

Të parat zbulohen nga gazetarët të mençur, të cilët, duke rrezikuar jetën e tyre, hedhin dritë mbi vjedhjen dhe elitat që kanë dominuar postet më të larta të rajonit për dekada të tëra. Skandalet e dyta prodhohen nga këto regjime të njëjta dhe nga daljet e tyre në shtypin bulevardesk dhe përdoren për ta shpërqendruar publikun nga e para.

Le të marrim si shembull një rast të fundit. Më 8 nëntor, rrjeti i gazetarisë investigative të Serbisë, KRIK, zbuloi se Nenad Popoviq, një zyrtar i lartë në Partinë Progresive Serbe (SNS) dhe ministër pa portofol përgjegjës për «inovacionin», kishte fshehur miliona të tëra në llogari offshore në Bahamas. Pasuria e Popoviqit u zbulua të jetë e tillë, saqë ai mund të jetë politikani më i pasur në të gjithë ish-Jugosllavinë.

Ky ishte skandali i dytë i tillë që nga shtatori që tronditi qeverinë serbe. Javë më parë, KRIK raportoi se Ministri i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, me sa duket, kishte marrë më shumë 240 mijë euro nga «tezja e gruas së tij në Kanada» që nga viti 2011. Përpjekjet e mëvonshme të Vulinit për të shpjeguar origjinën e parave janë bërë thjesht më qesharake çdo orë që kalon. Duke lënë mënjanë absurditetin, të dyja historitë përgënjeshtrojnë pretendimin e presidentit Aleksandër Vuçiç se Serbia ka një qeveri kombëtare të rinovuar, në frymën e pastrimit të establishmentit politik dhe administrativ nga mollët e kalbura dhe duke e përcaktuar vendin si një pretendent të padiskutueshëm rajonal për anëtarësimin në BE.

Në të vërtetë, siç tregojnë këto raporte dhe të tjera, qeveria e Beogradit është e mbushur me korrupsion dhe nepotizëm, tepër autoritare dhe ende e zhytur në ekstremizmin e viteve 1990. Pas javësh të tëra me tituj gazetash që sa vinin e përkeqësoheshin, Vuçiq dhe aparatçikët e tij, me sa duket, vendosën se ishte koha për ta zhvendosur vëmendjen e publikut larg fakteve në rritje të sundimit të tyre hajdut.

Në vend që ta deklaronte qeverinë e tij përgjegjëse në lidhje me kriminalitetin e dukshëm brenda radhëve të saj, shtypi proqeveritar u kap pas një interviste të Bakir Izetbegoviqit, anëtar boshnjak i presidencës trepalëshe të Bosnjës, në të cilën ai deklaroi dëshirën e tij personale që Bosnja të njohë zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

Brenda pak orësh, intervista e Izetbegoviqit me «Deutsche Welle» ishte lajmi kryesor në çdo tabloid të madh në Serbi, ndërsa një valë gjysmë të vërtetash, keqinterpretimesh dhe lajmesh të fabrikuara e larguan të gjithë vëmendjen nga Popoviqi, Vulini dhe milionat e tyre të zhdukura.

I vetmi lajm i rëndësishëm ishte shovinizmi i Izetbegoviqit, i turmave të myslimanëve në portat e Novi Pazarit, i turqve që thurin komplote, i amerikanëve komplotues, i britanikëve mashtrues dhe i të gjithë atyre që konspiruan për «të vjedhur» Kosovën e shenjtë nga gjiri i popullit serb.

Ekzagjerimi këtu është i qëllimshëm, por çuditërisht i ngjashëm me atë që në fakt zuri faqet e «Informer», «Kurir» dhe «Telegraf», disa nga gazetat më të lexuara të vendit. Brenda një dite, vetë Vuçiq ishte në pozitë për t’u shpjeguar. Ai sqaroi se komentet e Izetbegoviqit ishin jo vetëm një skandal diplomatik, por edhe një tradhti e bujarisë së Serbisë ndaj Bosnjës, duke përkujtuar se Serbia ishte «garantuese» e Marrëveshjes së Paqes të Daytonit të vitit 1995.

Dhe këtu u plotësua e gjithë performanca. Vuçiq dhe bashkëpunëtorët e tij e kishin ridrejtuar stuhinë e polemikave publike nga kritikat ndaj tyre drejt një skandali të sajuar që kombinonte shumë mirë ankesat politike me trillimin e pastër politik.

Cirku i medias në Beograd, natyrisht, injoroi faktin që vërejtjet e Izetbegoviqit i bënin jehonë atyre të anëtarit kroat të presidencës së Bosnjës, Dragan Qoviq, thuajse fjalë për fjalë. Vetëm pak ditë më vonë, Qoviq kishte thënë se për atë, njohja e Kosovës nga Bosnja «as që bëhej fjalë. Ishte thjesht çështje e një arritjeje konsensusi në lidhje me këtë.» Megjithatë, ajo intervistë nuk u transmetua në Serbi, edhe pse qëndrimet e të dy burrave në lidhje me këtë çështje janë përcaktuar prej vitesh – njësoj si ka qenë kundërshtimi i palëkundur ndaj njohjes së Kosovës nga palët serbe etnike të Bosnjës. Prandaj, siç sugjeroi Qoviq, e gjithë çështja ishte e diskutueshme: pa marrëveshje trepalëshe, nuk mund të ndodhte asnjë njohje.

Për sa i takon idesë së Serbisë si «garantuese» e Marrëveshjes së Daytonit: siç e di mirë Vuçiq, Serbia nuk është një garantuese, por nënshkruese e Marrëveshjes së Paqes së Daytonit.

Në vend që të jetë një arbitër neutral dhe i jashtëm, nënshkrimi i Serbisë në marrëveshje është provë mbi rolin e Beogradit si një nga tre palët luftuese në luftën e Bosnjës së viteve 1992-1995. Si rezultat, teksti i Daytonit përcakton qartë se Serbia e ka për detyrim të respektojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjës. Ajo s’ka të drejtë të ndërhyjë, siç e bën shpesh qeveria e Vuçiqit, në çështjet e brendshme të Bosnjës.

Megjithatë, në shtator dhe tetor, Vuçiq qëndroi krah për krah me Milorad Dodikun, presidentin separatist të entitetit serb të Bosnjës, Republika Srpska, pasi kjo e fundit shprehu dëshirën e qeverisë së saj «të jetë një» me Serbinë, duke konspiruar në mënyrë aktive edhe me qeverinë në Beograd për të shkelur kontrollin e Bosnjës mbi kufirin e saj lindor.

Në të vërtetë, nëse dikush do të rishikonte të gjithë indeksin e mbështetjes së nënkuptuar dhe të qartë të Vuçiqit për sulmet dhe retorikën e Dodikut, ose akoma më keq, të sponsorizimit të Beogradit për qeverinë e Dodikut që shkon deri në kohën e administratës së Boris Tadiqit, do të humbej shumë kohë e çmuar për të kujtuar një kronikë hipokrizie. Nëse një hipokrizi dhe dezinformim i tillë s’do të ishin rutinë, mund të ishte e neveritshme. Duke qenë se janë, familjariteti dhe transparenca cinike duhet të na bëjnë konfuz.

Sigurisht që Izetbegoviq s’është i pafajshëm në këtë gjë. Anëtari i presidencës boshnjake jo vetëm duhet të dijë më mirë sesa të ushqejë trollet politike të Serbisë, ai vetë nuk është i huaj për një manipulim të tillë. Si kreu i Partisë për Veprim Demokratik, SDA, padyshim sipërmarrja më e korruptuar dhe kriminale politike në vend, Izetbegoviq ka debatuar shpesh publikisht me Dodikun, Qoviqin dhe me Vuçiqin që të shpërqendrojë publikun në Bosnjë nga skandalet e panumërta të partisë së tij: qoftë ky arrestimi i zyrtarëve të rangut të lartë të SDA-së për shpërdorim detyre apo keqmenaxhimi i spitalit të përgjithshëm të Sarajevës nga gruaja e tij.

Pra, cili është skandali i vërtetë këtu? Vuçiq dhe Izetbegoviq me qëllim ose jo kanë nisur një debat gjysmë artificial në lidhje me zgjidhjen postjugosllave – nga Kosova te Marrëveshja e Daytonit – dhe konsumuan të gjithë oksigjenin në dhomë gjatë këtij procesi.

Ndërkohë, Popoviq dhe Vulin po numërojnë milionat e tyre, drita e zbehtë dhe pulsuese e demokracisë e Serbisë zbehet nga dita në ditë, ndërkohë që në të gjithë Sarajevën e udhëhequr nga SDA-ja, rrjeti i ujësjellësit është ende në gjendje të keqe, shërbimi shëndetësor i hairit është privilegj i pak njerëzve dhe punësimi mbetet një çështje ku duhet të paguash për të filluar punë.

Megjithatë, vetëm një grup i këtyre çështjeve do të ketë pasoja reale për qytetarët e Serbisë dhe Bosnjës. Vetëm në rast se këto do të arrinin të ishin të titujt kryesor të gazetave.

Dr. Jasmin Mujanoviq është një studiues politik i specializuar në politikën e Europës juglindore dhe në politikën e demokratizimit postautoritar dhe postkonflikt më gjerësisht. Libri i tij i parë «Uri dhe Zemërim: Kriza e Demokracisë në Ballkan» do të publikohet në vitin 2017. (Botuar fillimisht nga BIRN)



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *