• |
ide | kryesore

Lulzim Basha refuzon ftesën e Presidentit për 28 Nëntor, e lë Metën vetëm me Ramën

Lajme, Të fundit



Lulzim Basha mungoi sot në pritjen që Presidenti Ilir Meta mbajti në Pallatin e Brigadave me rastin e festave të Nëntorit. Ai vendosi të vizitojë Shkodrën për të marrë pjesë në koncertin e organizuar me rastin e 105-vjetorit të pavarësisë. Në postimin në Facebook, Basha e quan këtë mbrëmje speciale.

Por a është ky koncert i organizuar në Shkodër arsyeja pse kreu i Partisë Demokratike mungoi në pritjen që organizoi Meta në Tiranë?

Përpos aludimeve se Basha mund t’a ketë zgjedhur Shkodrën si pasojë e këshillave të PR-ve, apo se mbrëmjet festive i kalon gjithnjë mirë atje, një tjetër arsye duket se do t’a shtynte kryedemokratin të mos pozonte krah Metës sot.

Fotoja më poshtë është shkrepur sot paradite. Monika Kryemadhi, aleatja e Bashës në ‘Frontin opozitar kundër krimit të organizuar’, ishte në Elbasan krah kryebashkiakut aq të sulmuar nga Basha dhe PD-ja, Qazim Sejdini.

Sipas PD-së, Qazim Sejdini është i lidhur me trafikun e drogës, vjedjen e votave dhe ka mbrojtur kriminelët. Por, kjo nuk e pengoi Kryemadhin, që në dukje i ka dhënë besën Lulzim Bashës për të luftuar qeverinë e krimit dhe instalacionet e saj në gjithë vendin, të pozojë dhe të festojë ditën e pavarësisë së vendit krah një krimineli të supozuar nga aleati i saj.

Ky veprim i Kryemadhit duket se nuk e ka peguar as vetë Bashën të zgjedhë të pozojë në Shkodër për këtë ditë feste, dhe jo pranë bashkëshortit të aleatës së tij në opozitë, Ilir Metës.

©LAPSI.AL 

Basha në Facebook:

“Në Shkodër shkoj gjithnjë me gëzim, por sonte në Festën e Flamurit gjithçka ishte speciale në qytetin tim shumë të dashur. Bashkia e Shkodrës, me elitën artistike shkodrane dhe bandën muzikore të qytetit, organizoi një koncert të mrekullueshëm, të denjë për skenat prestigjioze europiane. Ishin 2 orët më speciale të 105 vjetorit të Ditës së Pavarësisë! Faleminderit Shkodra! Gëzuar 28 Nëntorin!” 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *