• |
ide | kryesore

Emergjencat Civile: Në 5 qytete po rëndohet situata, rrezik nga prurjet ekstreme të lumenjve

Lajme, Të fundit



Situata e përmbytjeve vazhdon të rëndohet në qarqet e jugut të vendit si në Gjirokastër, Korçë, Vlorë, Fier dhe Berat. Forcat në terren po vijojnë evakuimin e qytetarëve nga zonat e rrezikuara. Në raste të veçanta është kërkuar edhe përdorimi i forcës për të bindur qytetarë të caktuar që ende nuk arrijnë të kuptojnë shkallën e rrezikut. Evakuim është kryer dhe vijon të kryhet në Berat, Fier dhe Vlorë.

Gjendja më e vështirë vijon të mbetet nga prurjet ekstreme e lumenjve Vjosë, Osum, Seman dhe Shkumbin. Vjosa ka dalë nga shtrati në afërsi të urës së Mifolit, Selenicës dhe në Memaliaj. Ekziston rreziku qe edhe Devolli të dalë nga shtrati duke krijuar probleme për fushën e Maliqit.

Pas ndërhyrjeve të OSHEE, numri i abonentëve pa energji është ulur në rreth 20 mijë nga mbi 100 mijë që ishte në mesditë. Përkeqësim ka njohur gjendja e ujëmbledhësit të Bovillës për shkak të turbullimit të ujit. Masat për zgjidhjen e kësaj situate do të shoqërohen me kufizime të furnizmit me ujë të Tiranës në ditët në vijim.

Po ashtu, me probleme është stacioni që furnizon me ujë të pijshëm Fushë Krujën, Maminasin, Shijakun dhe pjesërisht Prezën. Situata, sipas parashikimeve profesionale, do të vijojë të rëndohet dhe për këtë arsye kërkohet mirëkuptim dhe bashkëpunim i gjerë dhe solidaritet.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *