• |
ide | kryesore

Renditen bashkitë më të mira sipas performancës financiare, Kamza në vend të parë

Lajme, Të fundit



Ministria e Financave ka vlerësuar Bashkitë në vend për vitin e kaluar në lidhje me menaxhimin financiar, i cili u bazua në 15 kritere që masin këtë performancë, ku çdo kriter ka 30 pikë.

Kriteret e vlerësimit ishin: Dërgimi në kohë i faturave për pagesë në degën e thesarit; Numri i kontratave të anuluara gjatë vitit buxhetor; Numri i urdhër-shpenzimeve të refuzuara nga Thesari; Dorëzimi në kohë i kontratave në Thesar; Urdhër-prokurimet e paautorizuara; Mjedisi i kontrollit; Menaxhimi i Riskut; Aktivitetet e kontrollit; Informimi dhe komunikimi; Monitorimi; Përgatitja e audituesve të brendshëm; Raportimi në kohë i Audituesve; Monitorimi i pyetësorit të vetëvlerësimit të audituesve të brendshëm; Cilësia e raportimit të audituesve të brendshëm: Pozicione aktuale të auditimit të brendshëm të paplotësuara.

Raporti përmbledhës i Financave tregon se nga një vlerësim 0-450 pikë, Bashkia e Kamzës mori vlerësimin më të lartë me 440 pikë. “Në bazë të analizës së indikatorëve, Bashkia e Kamzës është vlerësuar me 440 pikë nga 450 pikë maksimale të mundshme, duke treguar për një performancë të shkëlqyer të kësaj bashkie dhe e renditur në vendin e pare”, thuhet në raportin e financave.

E dyta është Bashkia e Shkodrës (430 pikë), e ndjekur nga ajo e Patosit (425), e Vorës (415), më pas vijnë Durrësi (405 pikë), Elbasani (400 pikë), Memaliaj (395 pikë).

Bashkia e Tiranës, më e madhja në vend, u rendit e teta në radhën e bashkive për sa i përket pikësimit për treguesit e performances, me 391 pikë. Bashkia e kryeqytetit e ka vlerësimin më të ulët në treguesin e menaxhimit të riskut, me 10 pikë, nga 30 që është vlerësimi maksimal dhe aktivitetet e kontrollit me 20 pikë (shiko tabelën në vijim për vlerësimin e të gjithë kritereve të Bashkisë së kryeqytetit), ndërsa në treguesit e tjerë ka marrë përgjithësisht vlerësimin maksimal me 30 pikë.

Financat theksojnë se gjendja e sistemeve të kontrollit të brendshëm të Bashkisë Tiranë paraqitet në nivele të kënaqshme, duke theksuar gjithashtu dhe nevojën për marrjen e masave, kryesisht, në kuadër të përmirësimit të komponentit të Menaxhimit të riskut, i cili ka marrë vlerësim shumë të ulët në krahasim me të tjerët.

Në renditjen që kanë bërë financat vetëm për Bashkitë e mëdha kryeson Shkodra, e ndjekur nga Durrësi, Korça, Elbasani dhe më pas renditet Tirana. Pas kryeqytetit vijnë Berati, Fieri, Vlora, Gjirokastra.

Bashkitë e mëdha që janë edhe qendra të prefekturave, si ajo e Durrësit, Tiranës, Vlorës, Gjirokastrës dhe Kukësit kanë pësuar ulje të performancës më 2016 në raport me 2015, thekson raporti.  Bashkitë që kanë arritur përmirësim janë Shkodra, Korça, Elbasani, Fieri dhe Berati.

Bashkia e Shijakut dhe ajo e Tropojës morën vlerësimin më të ulët të performancës.

Vlerësimi i përgjithshëm për gjithë bashkitë

Ministria e Financave analizon se, treguesi “Dërgimi i faturave për pagesë në Thesar” për vitin 2016 nga bashkitë mesatarisht është vlerësuar me 21.1 pikë nga 30 pikë të mundshme ose ka një realizim prej 70.3%. Këto vlerësime tregojnë për një performancë të kënaqshme të këtij treguesi, ku pjesa më e madhe e bashkive janë vlerësuar me 25 dhe 30 pikë dhe vetëm një bashki është vlerësuar me 0 pikë. Pra, mund të konkludojmë që bashkitë nuk kanë problematika të mëdha në dërgimin në kohë të faturave në thesar.

Vlerësimet më të mira, Bashkitë i kanë arritur në treguesin “Anulimi i kontratave gjatë një viti”, i cili ka një shkallë të lartë realizimi prej 92%, ku pikët mesatare të vlerësuara të këtij treguesi janë 27.6 pikë. Shumica e bashkive (51 prej tyre) kanë vlerësim maksimal të këtij indikatori dhe asnjë bashki nuk është vlerësuar me 0 apo 5 pikë. Në përgjithësi, mund të themi që situata e këtij indikatori në njësitë e qeverisjes vendore paraqitet në nivele shumë të kënaqshme.

Indikatori tjetër i analizuar është “Urdhër-shpenzimet e refuzuara nga ana e Thesarit”. Pikët mesatare të marra nga bashkitë për këtë indikator janë 27.4 pikë, duke evidentuar një realizim prej 91.3%. Nga të gjitha institucionet vendore, shumica prej tyre (45) është vlerësuar maksimalisht me 30 pikë dhe asnjë bashki nuk është vlerësuar me 0, 5 ose 10 pikë. Pra, situata e këtij indikatori paraqitet në nivele shumë të kënaqshme.

 “Dorëzimi në kohë i kontratave në Thesar” është një tjetër indikator i gjeneruar nga Drejtoria e Thesarit. Bashkitë, mesatarisht, janë vlerësuar me 19.2 pikë, ku kemi 10 bashki të cilat janë vlerësuar me 0 dhe 5 pikë. Realizimi i këtij treguesi është 64%, duke evidencuar faktin që institucionet vendore, në shumicën e rasteve, arrijnë të dorëzojnë kontratat në thesar brenda afatit 3-ditor të caktuar./ Monitor



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *