• |
ide | kryesore

Pse biznesmeni Pacolli e dëmton shtetin e Kosovës

Blog



1.

Në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, fëmijët serbë në qytete kishin përpjesëtimisht më shumë biçikleta dhe më shumë njohuri të shprehjeve urbane në gjuhën e tyre amtare, dhe kur fëmija shqiptar ia kërkonte tjetrit biçikletën për të bërë një xhiro i thoshte “ama ta bëj një krug”. Me këtë fëmija shqiptar jo vetëm manifestonte dëshirën e sapozbuluar për të bërë një xhiro me biçikletë të huazuar (dhe fshehtas ëndrrën për të pasur një të veten), por edhe faktin se “krugat” (xhirot) dhe konceptin e huazimit të biçikletës për një xhiro i kishin parë fillimisht te fëmijët serbë.(“Xhiroja” do të importohej shumë më vonë nga Shqipëria).

Ky kontekst sociolinguistik më zgjoi sërish asociacionin dje me Bexhet Pacollin. Në analogjinë e fëmijëve me biçikleta e paramendoj se si ka ardhur në Kosovë pas aventurave të veta nëpër Rusi, Stana (shtete të Azisë Qendrore që mbarojnë me -stan) e kudo ta ketë çuar jeta, ka parë se si çdo njëri, ama bash çdo njëri, e kërkon dhe e merr biçikletën qeverisëse për një “krug”- bëhen presidentë, kryeministra e ministra, ambasadorë e zyrtarë të lartë-dhe e cyt veten me pyetje: “përse nuk e marr edhe unë një krug”.

2.

Do të ketë nevojë për më shumë hapësirë e mendime për të shpjeguar tërë historinë e “krugave” të biçikletës kosovare – se si qe e mundur që niveli më i ulët i mundshëm intelektual e politik të mbërrinte sa më parë në sedilen e saj. Do të ketë po ashtu nevojë për më shumë hapësirë për të rrëfyer tërë aventurat e Bexhet Pacollit në ulësen e biçikletës. Por për këtë shkrim mjaftojnë tri deklarime të Bexhet Pacollit që do të tregojnë se me çfarë lehtësie “një krug qeverisës” është i dëmshëm për interesat themelore të këtij shteti.

Deklarimi i parë i Bexhet Pacollit qe në prag të zgjedhjeve të vitit 2007, kur e kërkonte biçikletën për “një krug”. Atëbotë e kritikoi procesin negociator të Ahtisaarit, duke thënë se në vend se të bisedohet me Serbinë në Vjenë e Bruksel, me të duhej biseduar në Krushevc, bile pa kurrfarë ndërmjetësimi ndërkombëtar.

Deklarimin e dytë Pacolli e pati para disa javësh në Washington, kur homologun e tij nga Serbia, Ivica Daçiq, e ftoi që Kosova dhe Serbia bashkërisht ta shpallin Mitrovicën zonë të lirë ekonomike.

Dhe të tretin e pati në intervistën me Deutsche Welle kur, i pyetur për marrëdhëniet e Kosovës me Rusinë, tha: “Ne nuk zgjedhim blloqe në Lindje apo Perëndim. Kemi nevojë për një horizont të hapur. Ne jemi vend modern dhe duam të jetojmë në një botë moderne. Nuk kemi asgjë kundër Rusisë, është shtet që ne e vlerësojmë dhe do të sigurojmë se kemi marrëdhënie të mira më këtë vend”.

3.

Gjatë këtyre 10 vjetëve të deklaratave të Pacollit nuk mund t’i mohohet një karakteristikë, se është konsistent. Ai është konsistent në të qenit gabim, gjegjësisht në deklarimin që është drejtpërsëdrejti në dëm të interesave të shtetit të Kosovës.

Në deklaratën e parë, të Krushevcit, Pacolli përsëriti me fjalë atë që kishte bërë me vepër më 1998, kur u përpoq të organizonte takim mes Rugovës e Milosheviqit në Beograd, pa ndërmjetësim ndërkombëtar, gjë që ishte një prej “vijave të kuqe” të Kosovës prej vitit 1990. Të deklarosh se Kosova duhej larguar prej procesit Ahtisaari (që në fund çoi në shpallje të Pavarësisë) për të biseduar me Serbinë në Krushevc mund të quhet naivitet në tërë paletën e budallallëkut, por në thelb është dëmtim i interesit shtetëror të vendit.

Në deklaratën e dytë, të shpalljes së përbashkët të Kosovës e Serbisë si një zonë ekonomike në Mitrovicë, është pranim se pas Marrëveshjes së Brukselit, Kosova ka ende potencial për ta ftuar Serbinë që të bashkëqeverisë në Kosovë. Që këtë ta thotë ministri i Jashtëm i Kosovës në mes të Washingtonit është deri më tani e padëgjuar, dhe jam pothuajse i sigurt, e papërsëritshme në të ardhmen.

Dhe, në të tretën, Bexhet Pacolli është personaliteti i parë politik kosovar që kam dëgjuar, prej rënies së komunizmit e këtej, të ketë thënë se Kosova dëshiron të jetë vend i painkuadruar, as me Lindjen e as me Perëndimin, dhe si i tillë e vlerëson Rusinë. Në fakt, është krejt e kundërta: përjashto Pacollin (dhe ndoshta Listën Serbe) ekziston një konsensus se Kosova i përket botës perëndimore, se dëshiron të jetë pjesë e BE-së dhe anëtare fuqiplotë e NATO-s, pra do të jetë pjesë e “bllokut të Perëndimit”. Dhe, jo, Kosova nuk e çmon Rusinë. Rusia është vend i cili në formë aktive e të pandërprerë punon kundër ekzistencës së shtetit të Kosovës. Për më tepër, Kosova nuk është e vetme: vendet kryesore të “bllokut perëndimor” pranojnë se Rusia është duke bërë përpjekje aktive për të dëmtuar demokracitë liberale në Evropë dhe Amerikë.

4.

Aventurat e Bexhet Pacollit në kontrata të naftës nigeriane, vallëzimet e vajzave dhe grave kosovare në tendën e Moamer el Gadafit tre muaj para se të rrëzohej nga pushteti, dhe mungesa e përhershme e vijës ndarëse mes funksionit të tij publik dhe interesit të tij privat, janë material i mirë për skenarë filmash dhe letërsi post-koloniale. Në politikën shtetërore, megjithatë, janë dëme evidente që i bëhen Kosovës, dëme që qenë paralojë derisa në “krugun” e fundit me biçikletë, Bexhet Pacolli na tregoi se Rusia e ka të hapur derën në vendin tonë.

Dhe janë dëme që duhen urgjentisht ta vendosin Pacollin në një distancë higjienike larg pushtetit.

Koha Ditore



1 Comment

  1. pse ky bastard titist nuk permend si u pasurua vet.ter parat qe dha perendimi per ngritjen e televizioneve publike,po ashtu sorrosi i pervetsoj vet.nje her ishte dhe bagjo me pisin fatos nano qe solli qelbesiren rama nga parisi.sorrosi me i thekur.tash ja pasuri 50 miljon dollareshe,te gjitha te vjedhura.divorcoi gruan per nji 18 vjeqare kur kishte 45 vite.monster si rama esht ky surroi komunist titoje,sa per dijeni gjermanet i vran axhat sezai dhe regjai surroi.ah sikur gjermanet te kishin vrar enverin .babai ju mbyt si ambasador jugosllav ne spanj.ky esht qelbi stalinist titist vetoni shok i batak hagjiut.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *