• |
ide | kryesore

Investigimi / Si po shfaroset krapi nga liqeni i Shkodrës

Lapsi Leaks



Disa zgjedhin rrugën e lehtë në Liqenin e Shkodrës, duke vendosur elektroda në ujë për të vrarë krapin dhe ngjalat me 110 volt të siguruar nga një transformator të lidhur me një bateri makine. Ndërsa peshqit e trullosur pluskojnë në sipërfaqe, ata i kapin për t’i hedhur në varkë.

Të tjerë hedhin rrjeta dhe i kapin në tabanin me baltë. Piketat e drurit ku mbahen rrjetat shihen në brigjet përgjatë kufirit jugor të Malit të Zi me Shqipërinë.

Por për një prej peshkatarëve malazezë në liqenin më të madh në Ballkan, mënyrat e vjetra janë më të mira. Ajo që dikur bëhej me fenerë, tani bëhet me elektrik dore.

Në varkën me fund të sheshtë ndërsa ka rënë nata, ai hedh dritë në ujërat e cekëta ku krapi ka folenë mes kallamishteve. Ai rrallë herë del huq dhe është në gjendje të kapë më shumë se 100 copë në natë.

“Nëse nuk vras dot një apo dy peshq, më duket sikur duhet të vras dikë,” tha peshkatari ilegal për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative duke buzëqeshur.

Duke refuzuar të identifikohet, 45 vjeçari baba i tre fëmijëve shpjegoi se si familja e tij ka peshkuar për gjenerata të tëra në rajonin e Zetës buzë liqenit, në jug të Podgoricës.

Shtizat janë të ndaluara rreptësisht në Liqenin e Shkodrës. Po kështu edhe peshkimi me elektricitet me pushkë uji apo dinamit. Dhe të gjitha llojet e peshkimit, përfshirë grepat apo rrjetat janë të ndaluara gjatë sezonit të shumimit nga mesi i marsit në mesin e majit.

Kjo nuk i pengon shumë peshkatarët e paligjshëm.

Vendësit që jetojnë në parkun kombëtar në anën malazeze të liqenit tallen kur thonë se natën zona bëhet praktikisht një Las Vegas nga dritat e shumta që shfaqen mbi ujë.

Ndërsa peshkatarët e paligjshëm rrezikojnë gjoba deri 20 mijë euro dhe deri tri vite burg, shumë pak prej tyre përndiqen me të vërtetë.

Peshkatari i paligjshëm nga Zeta thotë se rojet e kanë kapur atë shumë herë dhe e kanë falur.

“Ata janë më së shumti njerëz nga kjo zonë,” tha ai. “Në disa raste, disa prej tyre më bashkohen.”

Konservacionistët paralajmërojnë për katastrofë ekologjike në një nga parqet e fundit natyrore me ujë të ëmbël në Europë për shkak se peshkatarët e paligjshëm trullosin apo gjuajnë me shtiza peshk me vlerë miliona euro çdo vit dhe veprojnë pa u ndëshkuar pothuajse asnjëherë.

Shumica e peshkut të kapur shitet në tregjet aty pranë në Podgoricë dhe në qytetin anësh liqenit të Shkodrës në Shqipëri, ku krapi i Liqenit të Shkodrës vlerësohet si delikatesë.

“Shumica e njerëzve kanë mendimin se Liqeni i Shkodrës është një automat gjigant parash në të cilin, në vend që të vendosësh kodin PIN, mund të vjedhësh aq peshk sa mundesh,” thotë Danilo Mrdak, një ihtiolog dhe profesor i biologjisë në Universitetin e Malit të Zi në Podgoricë.

Në një rajon të njohur si një rrugë e rëndësishme trafikimi gjatë shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë në vitet 1990, ata thonë se kriminelët me një dell për teknologjinë kanë zbuluar se fitohen më shumë para duke kapur peshk se sa duke u marrë me trafik armësh apo droge. Është gjithashtu më e lehtë t’i shpëtosh ndëshkimit.Ndërsa peshkatarët vendës e kanë parë prej kohësh liqenin si një e drejtë nga lindja e tyre për t’u shfrytëzuar, mjedisorët thonë se kërcënimi më i madh ndaj stokut të peshkut është natyra gjithnjë e më e organizuar e peshkimit të paligjshëm dhe korrupsioni që lejon lulëzimin e këtij peshkimi.

“Është më e vështirë të kapësh një peshkatar të paligjshëm në Liqenin e Shkodrës se sa të arrestosh një trafikant droge,” thotë Drazen Ivanovic, kryeroja që ka detyrën të policojë anën malazeze të liqenit, e cila është edhe një park kombëtar i mbrojtur.

“Me teknologjinë e sotme, çdokush është i lidhur dhe informacioni përhapet nëpër liqen me shpejtësinë e dritës. Ka marrë formën e krimit të organizuara. Për fat të keq ne nuk jemi në gjendje të kontrollojmë të gjithë sipërfaqen sepse kemi burime të pakta në njerëz dhe pajisje”

“Duhet të armatosemi’

Parimet e konservimit janë të ngulitura në kushtetutën e Malit të Zi dhe – së paku në letër – vendi ka ligje të forta për mbrojtjen e mjedisit, rregullimin e peshkimit dhe menaxhimin e parqeve kombëtare.

Edhe dy traktate ndërkombëtare e mbrojnë Liqenin e Shkodrës: Konventa Ramsar mbi ruajtjen e ligatinave dhe Konventa e Bernës e Këshillit të Europës mbi konservimin e natyrës.

Ana malazeze e liqenit – dy të tretat e ujit – menaxhohet nga Sipërmarrja Publike Parqet Kombëtare të Malit të Zi, NPCG, e krijuar në vitin 1993 në bazë të Ligjit mbi Parqet Kombëtare dhe Ligjit mbi Mbrojtjen e Natyrës.

Por detyra e ndalimit të gjuetisë së paligjshme bie mbi vetëm 13 roje që punojnë në Departamentin e Shërbimit të Mbrojtjes së Parkut Kombëtar në NPCG, nën drejtimin e Ivanovic.

Në çdo kohë, vetëm katër roje gjende në punë për të mbrojtur 600 kilometra katrore liqen.

“Ka rreth 10 grupe Viber [aplikim për mesazhe celulare] të krijuara për të monitoruar dhe raportuar çdo veprim që ndërmarrim.” tha Ivanovic, duke u ankuar se skuadra e tij ka varka dhe pajisje të vjetruara.

“Kemi nevojë për dylbi nate. Mbi të gjitha, kemi nevojë të armatosemi.”

Ivanovic vlerëson se peshkatarët e paligjshëm grabisin mes shtatë dhe nëntë milionë euro peshk nga liqeni çdo vit në Malin e Zi.

“Nuk jam i lumtur me numrin e raporteve të dorëzuara për kallëzime penale apo sasinë e pajisjeve të gjuetisë së paligjshme të konfiskuara,” tha ai. “Por duke pasur parasysh se sa pak njerëz ne kemi, nuk mund të ankohem.”

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2017, autoritetet ngritën akuza kundër 17 njerëzve pasi rojet konfiskuan pajisjet e tyre, përfshirë një transformator, një armë gjahu, dy varka dhe tri elektroda,” tha NPCG.

Kompania publike nisi gjithashtu procedura për shkelje kundër 20 njerëzve pasi i konfiskoi 42 rrjeta, tri shtiza dhe një numër llambash me gaz.

Veprime të tilla nuk i ngushëllojnë i konservacionistët e shqetësuar për pakësimin e stokut të peshkut.

Një raport i publikuar në tetor nga agjencia gjermane për zhvillim ndërkombëtar, GIZ, vuri në dukje një numër kërcënimesh ndaj peshqve të mbrojtur nga ligjet kombëtare dhe europiane të konservimit.

“Speciet me vlerë ekonomike të tilla si krapi apo gjuca shfrytëzohen në mënyrë të egër, në disa raste në mënyrë ilegale me shumë pak ose aspak njohuri mbi statusin e stokut dhe rendimentit maksimal të qëndrueshëm,” shkruhet në raport.

Mrdak, ihtiologu nga Fakulteti i Shkencave Natyrore dhe Matematikës në Universitetin e Malit të Zi, vlerëson se gjuetia e paligjshme përbën 60 për qind të të gjithë peshkimit në Liqenin e Shkodrës.

Sipas mendimit të tij, gjuetia me energji elektrike është armiku më i madh për më shumë se 30 lloje indigjene dhe një dyzinë llojesh joindigjene të peshqve që jetojnë aty.

Më 2013, ai udhëhoqi një studim që zbuloi se popullata e gjucave në liqen ka rënë me 90 për qind për shkak të mbipeshkimit.

Ai propozoi një ndalim njëvjeçar të peshkimit të këtij peshku të vogël të argjendtë me synimin që stoku të lejohej të rimëkëmbej. Vitin e kaluar, NPCG miratoi një moratorium në gjuetinë e gjucave, megjithëse ihtiologët duhet të presin dimrin e ardhshëm për të parë nëse moratoriumi ka funksionuar.

Ndërkohë, Mrdak kërkon edhe një ndalim njëvjeçar për krapin.

“Përgjatë viteve të fundit, kemi vënë re se specimenet e krapit të madh janë bërë jashtëzakonisht të rrallë, edhe për peshkatarët profesionistë, gjë që sugjeron se kjo specie është nën presion të madh dhe për rrjedhojë ka pak gjasa që peshku të mbijetojë mjaftueshëm gjatë që të rritet para se të kapet,” tha ai.

“Një provë indirekte e kësaj është çmimi i lartë që kërkohet për krapët e mëdhenj.”

Ihtiologu malazez Danilo Mrdak. Foto: Mladen Ivanovic

Treg i lulëzuar

Vendësit thonë se shija e mirë e krapit të Liqenit të Shkodrës vjen nga pastërtia e ujërave që rrjedhin në liqen nga malet veriore të Malit të Zi përmes lumit Moraça.

Jashtë tregut më të madh të mbyllur të Podgoricës, BIRN pa shitës që shisnin ilegalisht krap nga karroceritë e kamionëve në kulmin e sezonit të shumimit.

Ende gjallë në qese plastike, disa me plagë shtizash, peshku kushton rreth pesë euro për kilogram, së paku dy herë më shumë se sa çmimi në periudha të tjera të vitit kur peshkimi është i ligjshëm. Krapi i madh mund të kushtojë deri 100 euro.

Gjuetarët e paligjshëm nga bashkësitë e lidhura ngushtë në rajonin e Zetës përshkruan tregtinë e lulëzuar që mbështetet në ndërmjetës të besuar për të bërë rrugën 20 minutëshe nga liqeni për në Podgoricë ndërkohë që peshqit janë ende gjallë.

Njëri tha se një peshkatar i paligjshëm dhe i aftë mund të fitojë 1 mijë euro në muaj përmes peshkimit me elektricitet. Paga mesatare mujore në Malin e Zi është rreth 500 euro.

“Unë kam përdorur të njëjtin tregtar të sigurt për dhjetë vjet,” tha ai. “Ai ka gjasa shet në restorante dhe në treg. Ai paguan mirë.”

Inspektoriati i Peshkimit dhe Bujqësisë, pjesë e Ministrisë së Bujqësisë, i tha BIRN në korrik se kryen monitorime të tregjeve dhe restoranteve për tregti të peshkut të kapur në mënyrë të paligjshme. Por tha se nuk ka marrë raporte për aktivitet kriminal.

Në liqenin e Shkodrës, kishte prova të bollshme për shkeljen e ligjit.

Një natë të ftohtë në maj, gjatë sezonit të shumimit, dy roje po patrullonin pranë grykëderdhjes së lumit Moraça, duke nxjerrë rrjetat ilegale nga uji.

Disa rrjeta ishin mbi 100 metra të gjata dhe përplot me krap. Një rrjetë u ngatërrua te motori i varkës; u desh një orë për ta çliruar me bisturi.

Ata thanë se kishte pak shpresë për të kapur peshkatarët e paligjshëm në vendngjarje për shkak se kriminelët zakonisht fshihen përmes kallamishteve në ujë të cekët, i cili është i paarritshëm për varkat më të mëdha që përdorin rojet, sapo dëgjojnë zhurmën e motorit.

Në disa raste rojet thjeshtë ndjekin me sy peshkatarët e paligjshëm, të cilët tallen me ta vetëm pak metra larg me varkat e tyre me fibra xhami dhe me fund të sheshtë.

Edhe nëse i kapim, shpesh nuk kemi çfarë t’i bëjmë.

“Ata mbajnë kokore minatorësh me elektrikë dhe maska në mënyrë që ne të mos i njohim, dhe nuk mbajnë kurrë dokumente personale me vete kështu që ne nuk i verifikojmë dot identitetet e tyre,” thotë Radonja Maras, një roje fjalëshumë që ka disa muaj në këtë punë.

Në një udhëtim gjatë ditës me një varkë të marrë me qira, BIRN pa peshkatarë që haptazi sfidonin ndalimin e peshkimit përreth  ishullit të Gërmozurit, vendi ku dikur gjendej një burg në pjesën veriore të liqenit pranë qytezës së Virpazarit.

Në vendin e rrënojave të burgut të shekullit të 19, të cilit i kanë vënë nofkën Alkatrazi i Malit të Zi, ata po vendosnin rrjeta dhe po ngulnin shkopinj.

Në lumin Gostilj aty pranë, peshkatarët e paligjshëm po hidhnin elektroda në ujërat e mbushura me kallamishte dhe po kapnin peshqit njëri pas tjetrit.

Kur një varkë rojesh u shfaq në distancë, i gjithë aktiviteti ndaloi.

Një gjuetar i paligjshëm në muzg në Liqenin e Shkodrës. Foto: Darko Vuckovic

Akuza për korrupsion

Shfaqja e rojeve nuk është gjithmonë pengesë. Sipas aktivistëve dhe peshkatarëve vendës të intervistuar nga BIRN, rojet e Liqenit të Shkodrës janë në disa raste pjesë e problemit.

“Rojet janë pjesërisht përgjegjës për shkallën e lartë të peshkimit të paligjshëm,” thotë Zeljko Radenovic, një peshkatar sportiv dhe aktivist te Skuadra për Mbrojtjen e Krapit, një organizatë jofitimprurëse që kërkon të mbrojë stokun e peshkut në Liqenin e Shkodrës.

“Zakonisht shërbimi i rojës bazohet në nepotizëm, marrje ryshfeti e me raste vetë rojet janë peshkatarë të paligjshëm.”

Radenovici dhe peshkatarët e tjerë te Skuadra për Mbrojtjen e Krapit vrojtojnë liqenin dhe njoftojnë autoritetet sa herë që vërejnë gjueti me elektricitet.

Një peshkatar i paligjshëm i vjetër në zanat i tha BIRN se ai ka dëgjuar se peshkatarët e paligjshëm paguajnë ryshfet te rojet apo i japin atyre një përqindje mbi shitjet – megjithëse vetë pretendoi se nuk e ka bërë kurrë vetë diçka të tillë sepse njeh shumicën e rojeve personalisht.

“Një herë ata morën një shtizë dhe disa rrjeta nga babai im, por i kthyen vetë që të gjitha,” tha ai. “Është e rrezikshme vetëm kur vjen një roje e re. Por ata humbasin dëshirën për ta bërë punën shumë mirë sapo marrin rrogën e parë.”

Rojet thonë se paguhen 200 deri në 300 euro në muaj.

Më 2013, Departamenti i Shërbimit të Mbrojtjes së Parkut Kombëtar doli në gazeta pasi u zbulua se një roje kishte dorëzuar një raport të brendshëm ku ankohej se tri kolegë të tij e patën ndaluar nga konfiskimi i një gjeneratori të përdorur për peshkim.

Sipas memos së parë nga BIRN, arsyeja që dhanë rojet ishte se përdoruesit e gjeneratorit po punonin për një biznesmen të fuqishëm të zonës.

Asnjë prej të tri rojeve nuk e humbi vendin e punës dhe as nuk u pezulluan, megjithëse njëri mori 20 për qind ulje page si ndëshkim, sipas NPCG-së.

Ivanoviçi, i cili mori drejtimin e departamentit më 2016, është një nga të paktët roje që nuk banon në zonë. Ai vjen nga rajoni i Kucit pranë kufirit me Shqipërinë në veri të Podgoricës dhe aktualisht jeton në kryeqytet.

Pyetur mbi aludimet për korrupsion mes rojeve, ai as nuk i konfirmoi dhe as nuk i mohoi akuzat por tha se kishte nevojë për staf më të ri nga jashtë rajonit, të cilët duhet të kenë më shumë njohuri mbi çështjet ekologjike.

“Niveli im i besimit është i tillë që mua më duhet të përdor të njëjtët dy ose tre njerëz për të mbuluar të gjithë zonën e mbrojtur, gjë që do të thotë se ata duhet të punojnë edhe jashtë orarit,” tha ai.

Ivanoviçi kritikoi zyrtarët e NPCG-së se nuk e kuptonin sfidën me të cilën përballej departamenti i tij dhe tha se nevojiteshin së paku 30 roje të mirëstërvitura për të siguruar mbrojtje 24 orëshe të liqenit.

NPCG tha se ndonëse ajo nuk ka marrë raporte mbi korrupsion mes rojeve, ajo pranonte nevojën për më shumë roje dhe do të punësonte dy të tjerë së shpejti.

Ajo ka gjithashtu në plan të përditësojë pajisjet e rojeve, përfshirë varkat, pajisjet GPS, dylbitë dhe kamerat, tha zyra e komunikimit të NPCG-së me email.

Në fillim të nëntorit, policia arrestoi një të dyshuar për peshkim të paligjshëm pas një sinjalizimi. Ata thanë se kapën 34 vjeçarin Milorad Maras me një transformator, bateri, elektrodë dhe një sasi peshku në varkën e tij. E akuzuan për peshkim të paligjshëm, akuzë që ai e mohon.

Rezultoi se i arrestuari ishte djali i Milenko Maras, i cili prej kohësh punon si roje dhe që pati qenë në patrullim në të njëjtën pjesë të liqenit pak para arrestimit të tij.

Maras tha se ai nuk kishte parë asnjë aktivitet ilegal dhe se djalit të tij duhet t’i “jetë ngritur kurth”, por nuk tha se nga kush.

NPCG tha se do të hapë hetime.

Një varkë tradicionale në Liqenin e Shkodrës e fotografuar në brigjet në anën shqiptare të liqenit. Foto: Mladen Ivanovic

‘Paradigma e shoqërisë’

Përtej kufirit në Shqipëri, liqeni i Shkodrës menaxhohet nga Organizata për Menaxhimin e Peshkimit në Liqenin e Shkodrës, OMP.

Skandali ka përndjekur kompaninë publike që kur BIRN raportoi në vitin 2014 akuzat se OMP po menaxhonte nje skeme gjobash për mbrojtjen e peshkimit të paligjshëm të cilët peshkojnë me energji elektrike.

Arjan Cinari, kreu i OMP i ka mohuar gjithmonë akuzat.

Duke folur jashtë zyrës së tij në Shkodër, me pamjen panoramike të liqenit pas vetes, ai përsëriti dhe ai dhe burrat e tij nuk kanë fare të bëjnë me peshkimin e paligjshëm apo me marrjen e ryshfetit.

“Kjo nuk ka ndodhur kurrë,” tha ai. “Është njësoj sikur unë të lë hajdutin të hyjë lirshëm në shtëpinë tonë.”

Cinari tha se ka qenë një betejë e vështirë për të ndryshuar përqasjen ndaj gjuetisë së paligjshme mes banorëve vendës kur ai mori këtë punë një dekadë më parë, por tashmë shumica e peshkimit të paligjshëm zhvillohet në anën malazeze të kufirit.

“Kam zbuluar se në Malin e Zi ata përdorin energji elektrike për peshkim dhe transformatorë që mund të lëshojnë 800 deri në 1 mijë volt,” tha ai.

Ai shtoi se rojet e tij shpesh shihnin drita dhe prova të peshkimit me elektricitet pranë Pothumit, një fshat malazez në pjesën verilindore të liqenit.

Denik Ulqini, një biolog në Universitetin e Shkodrës, tha se peshkimi i paligjshëm gjendet në të dyja anët e liqenit njësoj.

“Mendoj se ne duhet të realizojmë një vlerësim të popullsisë së peshkut për të gjithë liqenin dhe ta shtyjmë shtetin [shqiptar] të marrë përsipër mbrojtjen e liqenit,” tha Ulqini.

Edhe kreu i rojeve malazeze Ivanovic vuri në diskutim pretendimin e Cinarit se ana shqiptare ka më pak probleme.

“Ne vijojmë të shohim peshkim gjatë natës, peshkim të paligjshëm, drita, gjeneratorë, të gjitha nga ana e tyre,” tha ai. “Shumë shpesh peshkatarët e tyre të paligjshëm kalojnë ilegalisht në ujërat tona dhe ata më së shumti peshkojnë këtu, në anën tonë.”

NPCG dhe OMP nuk kanë marrëveshje për menaxhim të përbashkët të liqenit të Shkodrës, dhe të dyja organizatat janë takuar vetëm dy herë që kur qeveria shqiptare ia kaloi kontrollin e liqenit OMP-së në vitin 2014.

Si Shqipëria ashtu edhe Mali i Zi janë kandidatë për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe konservacionistët shpresojnë se çështjet mjedisore do të marrin një vëmendje më të madhe gjatë bisedimeve për anëtarësim.

Në Malin e Zi, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po punon në amendimin e ligjeve mbi ujërat e ëmbla dhe peshkimin para bisedimeve mbi Kapitullin 27, pjesë e bisedimeve me BE-në që trajton çështjet mjedisore.

“Legjislacioni i ri do të përmirësojë kuadrin ligjor aktual, do të zgjerojë fuqitë e rojeve për të mbrojtur peshkun, do të reformojë politikën penale dhe do të vendosë teknologji moderne sa i përket çështjes së dhënies së lejeve dhe mbledhjes e procesimit të të dhënave për peshkimin në ujërat e ëmbla” tha Deniz Frljukcic, një këshilltar në Drejtorinë e Peshkimit në këtë ministri.

Jovana Janjusevic, anëtare e një grupi mjedisorësh të njohur si Koalicioni 27, përshkroi peshkimin e paligjshëm si “një çështje që djeg në fushën e mbrojtjes së mjedisit ku ne nuk kemi parë asnjë lloj progresi sistematik me rëndësi”.

“Shërbimi i rojës ka nevojë të pajiset në mënyrë të përshtatshme dhe inspektimi duhet të fuqizohet në njerëz dhe fuqi parandaluese,” tha ajo.

Për ihtiologun Mrdak, e gjitha varet nga vullneti politik në një vend të mbërthyer nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin.

Kjo është paradigma e shoqërisë sonë në tërësi,” tha ai. “Nuk mund të presësh që kjo të jetë një përjashtim në një shoqëri që ka kaq shumë gjëra keq.”

Ai tha se shumë njerëz zhysin kokat në rërë kur vjen puna për mbrojtjen e njërës prej perlave të Ballkanit. Duke vëzhguar liqenin, ai bëri me shenjë nga uji dhe shtoi me sarkazmë.

“Nëse sheh përreth, mund të shohësh me sytë e tu delfinët që po fluturojnë dhe çdo gjë është e përsosur,” tha ai. “Ka më shumë peshk që noton në liqen nga sa mund të imagjinosh.”

Ivan Cadjenovic/ BIRN
 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *