• |
ide | kryesore

Plan apo rastësi? Çfarë ndodh me Tahirin kur vijnë ministrat italianë

Kryesore



Për Saimir Tahirin duken të largëta ditët kur nga Italia i vinin bizhuteri të shtrenjta, si dhurata për familjarët. Ka disa muaj që çfarë shfaqet në horizont përtej Adriatikut, ish ministrit i vjen si mynxyrë. Mund të jetë rastësi, por sa herë ka një kontakt me autoritetet italiane, pozitat e Tahirit rëndohen. Koinçidencat po bëhen gjithnjë e më të shpeshta duke forcuar idenë se italianët kërkojnë ndëshkimin e ish ministrit dhe hetimin e plotë të dosjes Habilaj. Faktikisht, nëse në anën tjetër të kufirit nuk do të kishte pasur shqetësim për kanabisin, këtej do të ishim duke parë ende spektaklin e policisë që duam dhe të “bravo çunave”.
Nga Italia, Tahirit i erdhi lajmi i arrestimit të Habilajve, kushërinjve që i shiti makinën, me kusht që të mos e deklaronte në shtet dhe që ta përdorte vetë herë pas here.
Nga Italia i erdhi dosja me përgjimet e trafikantëve, ku Habilajt e përshkruanin si njeriu që merrte një pjesë nga fitimet e biznesit të drogës dhe për ish ministrin u bë gati qelia e burgut. Nëse nuk do ta kishte shpëtuar partia, sot për të do të flitej ndryshe. Por akoma më domethënëse janë ngjarjet që pasuan.
Nuk kaloi shumë dhe nisën për vizitë Ministrin e Brendshëm, Marko Minitin. Pikërisht atë ditë, në datën 3 Nëntor doli lajmi i arrestimit të Orest Sotës, të cilit iu gjetën në makinë 863 mijë euro dhe dy patentat detare të ish ministrit.
Nga 3 Nëntori, Saimir Tahiri i dha fund daljeve publike. Nuk flet më për pafajësinë, nuk sulmon prokurorët, nuk i përgjigjet opozitës dhe as nuk jep shpjegime për ç’ka e lidh me Orest Sotën.
Një tjetër “koinçidencë” ishte vizita këtë të martë e Ministrit të Drejtësisë, Andrea Orlando, ditën kur Tahiri mori një goditje tjetër; bllokimin e pasaportës dhe kartës së identitetit.
Është e qartë se italianët janë të pakënaqur për ecurinë e hetimeve të dosjes Habilaj.
Bilanci i arrestimeve nga pala shqiptare është katastrofë.
Florion Habilaj, që mbante kontaktet me “shefin e madh” është i lirë, tre ish policët Jaeld Çela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode janë në arrati. Edhe disa prej ish shefave të policisë, për të cilët u sollën prova se janë implikuar në kultivim dhe trafik të kanabisit, janë larguar jashtë vendit. I vetmi që ka mbetur në mëshirën e fatit është Saimir Tahiri. Ndoshta për të parë ndonjë arrestim, duhet pritur vizita e radhës nga Italia.©Përgatiti për Lapsi.al, Dorian Kodra



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *