• |
ide | kryesore

E Plotë/ Përplasje të forta në Kuvend mes PS dhe PD

Kryesore, Lajme



Seanca e sotme plenare filloi më kërkesën deputeti të PS-së Erion Braçe, i cili kërkoi një interpelancë me ministrin e Bujqësisë Niko Peleshi. Braçe paraqiti dy kontrata të firmosura nga Edmond Panariti ish-ministri i Bujqësisë, me të afërm të Klemend Balilit, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge kishin përfituar tokë bujqësore dhe para nga shteti. Ishte deputeti Braçe dhe deputeti Taulant Balla të cilët e konsideruan LSI-në, si partia e Balilajve duke kërkuar përgjigje nga Edmond Panariti.

Ndërsa LSI heshti përballë këtyre akuzave, në foltoren e kuvendit ka folur Edmond Spaho dhe ai ka mbrojtur LSI-në duke e hedhur poshtë akuzat e socialistëve për ish-aleatët e tyre. Sipas Spahos, Balili është mbrojtur nga socialistët. Spaho akuzoi vetë Ramën si njeriun që e bëri drejtor të Ministrisë së Transporteve, Klemend Balilin duke e fajësuar për mosarrestimin e tij. Sigurisht nuk mund të mungonte edhe Berisha këtë të enjte, i cili ka sulmuar vetëlavdërimet dhe mburrjet e ministrave mbi situatën e përmbytjeve. Ish-kryeministri kërkoi të mos bëhet politikë dhe marketing me situatën e vështirë që kaluan qindra familje të përmbytura.

“Olta ndejti 48 orë pa gjumë, sikur të jemi ne këtu monitori i gjumit të Oltës, ç’i keni këto, mos i sillni në parlament këto, diskutojini atje në kabinetin e qeverisë, mos na i sillni këtu” – tha Berisha. Nderkohë, kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të Berishës dhe opozitës për përmbytjet dhe dëmshpërblimet për të përmbyturit. Rama i ka kujtuar opozitës sërish rezervat e shtetit të lëna bosh, një akuzë e thënë edhe më parë nga maxhoranca kur sapo pati marrë pushtetin. “Vini flisni këtu për ndihma ju ikët nga pushteti pasi hëngrët të gjitha groshët dhe orizin e rezervave të shtetit e bëtë pilaf për vete. Morët dhe çizmet. Po çizmet çi deshët? Rezervat e shtetit trokë tani thoni çne këto ndihma.” – tha Rama nga foltorja e Kuvendit.

Në një moment Rama i është drejtuar me epitetin “llazore” Berishës dhe kaq ka mjaftuar që të ngrihet nga vendi i tij deputeti i PD-së, Flamur Noka, drejt foltores ku po fliste Rama. Për të ndaluar përplasjen mes Ramës dhe Nokës ka ndërhyrë garda, ndërkohë Ramës i ka humbur durimi dhe është shprehur “nga ka dalë ky mo, nga pylli? Sali, tërhiqeni në strofull këtë”. Pa mikrofon, Noka i ka kthyer përgjigje aty-për aty Ramës me frazën “Nga pylli i sat ëme”, si dhe dhe me epitetet “drogaxhi dhe “rrugaç”. Ishin pikërisht përdorimi i këtyre fjalëve të cilat përjashtuan deputetin Noka nga punimet e Kuvendit sot.

Pas përjashtimit të Nokës seanca plenare ka vazhduar me diskutimet dhe në foltore është ngritur sërish ish-kryeministri Berisha. Berisha në fjalën e tij i është rikthyer edhe njëherë debatit për Saimir Tahirin. Ai ka hedhur akuza të forta, pasi tha se Rama ka pasur dijeni për Tahirin. Po ashtu Berisha ka përmendur dhe Balilin dhe deklaroi se ai ka dërguar politikanëve video me orgji nga hoteli i tij.

A tha ky njeri që nuk kishte dijeni për Tahirin. SHIK-u, i ka dërguar raportorin me 180 policë të inkriminuar. A tha Saimir Tahiri, hapni videot e ditëlindjes dhe shikoni se si kërcen Sota si krushk i parë. Në makinë me Sotën ka qenë Saimir Tahiri. A e morët vesh që ka çuar Don Agacion për të nxjerr dokument të falsifikuar. Dilni flisni për Balilin. Ai u ka qëlluar me grushte të gjithëve, videon e Ogjive Balili ua ka dorëzuar të gjithëve”, – tha Berisha.

Nga ana tjetër, akuzave të Partisë Socialiste se PD përdori qindra mijëra euro nga parajsat fiskale për të lobuar në Shtetet e Bashkuara, Sali Berisha iu përgjigj në parlament me shembullin e Abi Bank, ku pjesë e bordit është Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit. Sipas Berishës, fitimet e Abi Bank nuk janë rastësi, ndërkohë që bankat e tjera po falimentojnë.
“Mund ta coje ti gruan atje? Si mund ta çoje ti gruan atje? Nuk mund ta çoje ti gruan anëtare të bordit të bankës, se është banka jote, bankë e regjistruar në offshore. Në offshore, banka që ka miliarda. Duhet bërë transparenca plotësisht për një kontratë, por me atë ti përpiqesh ta mbulosh bankën, ku je aq i zhytur, sa asgjë nuk të mbron dot” – u shpreh Berisha.
Në replikë, kryeministri zgjodhi t’i shmanget debatit me Berishën, duke bërë moral për mospërmendjen e familjarëve në debatin politik.

Po ashtu, një çështje tjetër e nxehtë u bë edhe paratë e Lobingut të PD-së në SHBA. Ndonëse Partia Demokratike njoftoi se Lulzim Basha ndodhet në Londër me ftesë të Partisë Konservatore Britanike të Kryeministres Theresa May. Sipas PD-së, deputeti i PS-së Taulant Balla hodhi dyshime se Lulzim Basha ka devijuar për në Edinburg në Skoci.
“Basha është në Edinburg, në vendin ku është bërë pagesa e 675 mijë dollarëve. Në Edinburg, në vendin ku kompania që pagoi 675 mijë euro për lobim në SHBA, ka rezidencën e vet. Pse iku Lulzimi në Edinburg? KQZ thotë që këto pagesa nuk rezultojnë të paguara. Ku është lulzimi? PD ka paguar në total 875 dollarë lobingun, se lobing kanë bërë të gjithë ku 20 ku 10 mijë, por 875 mijë nga të cilat 675 janë paguar nga një kompani guackë në Edinburg, atje ku është Basha sot. I rrëshqiti Berisha sot, por përmendi offshore. PD duhet të bëjë transparencë për këtë transaksion që ka nissur hetimet edhe në SHBA” – tha Taulant Balla.

Deklaratave të Ballës iu përgjigj menjëherë Edi Paloka, i cili u shpreh se janë përgënjeshtruar ato që thotë Balla.
“Kam këtu ftesën e partive konservatore. Basha është në konferencën e partive konservatore në Londër. Jo se nuk e dini sa ordiner është zotëria, por përpiqen të hedhin shashka dhe bomba tymuese për të mbuluar 20 milion eurot e Habilajve” – tha deputeti i PD-së.

Kështu edhe këtë të enjte, seanca plenare ka qenë një luftë akuzash mes opozitës dhe mazhorancës, qysh nga çështja e përmbytjeve apo Balili, deri tek çështjet si ajo e Tahirit dhe parave të lobigun të PD-së në SHBA. Ndërkohë që në tryezë është edhe çështja e zgjedhjes së kryeprokuorit të përkohshëm, duket se opozita dhe mazhoranca janë më larg se kurrë për të arritur në konsensus. ©Lapsi.al



1 Comment

  1. E njejta sken si tash 27 vjet. Eshte koha me i vene fshesen kesaj klase politike te degjeneruar dhe shume hajdude!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *