• |
ide | kryesore

Përplasja e Presidencës me Lapsi.al/ Si qëndron e vërteta

Kryesore



Presidenca ka shpërndarë një komunikatë për shtyp ku përgënjeshtron një shkrim të Lapsi.al lidhur me votimin e Shqipërisë në OKB. Në artikullin: “Vota në OKB/ Si gënjeu Ilir Meta në letrën për Donald Trump” (shiko poshtë), ne pretendonim se presidenca ishte vënë në djeni që më herët për qëndrimin që do të mbahej ndaj njohjes nga ShBA të Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit.

Pra, konkluzioni ishte se presidenca ishte e njohur me vijësjelljen që do të mbante qeveria në votimin “Anti amerikan”, ndryshe nga sa pretendoi Ilir Meta në letrën që i dërgoi Donald Trump.

Por, në përgënjeshtrimin e zyrës së kreut të shtetit mohohet kjo gjë dhe thuhet se Meta “u njoh me qëndrimin e Shqipërisë në OKB vetëm përmes mediave online, ashtu si gjithë qytetarët e vendit”.

Pa rënë në grackën e teorive konspirave që vijnë nga zyra Ilir Metës, ku pretendohet se njihet edhe “prapavija qëllimkeqe dhe dizinformuese të këtij lajmi”, ne kemi vënë re se përgënjeshtrimi i Presidencës reduktohet vetëm në një fragment kohe: Në momentin e votimit në OKB.
Por, analiza e Lapsit.al e ka parë këtë dosje në dinamikën e saj. Që në pjesëmarrjen në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik në Stamboll (për fjalimin që do mbante aty ambasadori i Shqipërisë presidenca është njoftuar), që në referimin disa herë që ministri i jashtëm Bushati i bëri qëndrimeve të BE-së dhe votimeve të mëparshëm të Shqipërisë në OKB, jo vetëm nga diplomatët, por edhe nga publiku i gjerë u pa qartë se Shqipëria nuk do të kishte të njëjtin qëndrim politik me atë të presidentit Trump.

Po le të pranojmë për një moment akuzat dhe të imaginojmë se Lapsi.al nuk i ka parë emailet që i janë dërguar këshilltarit dipomatik të presidentit, Valter Ibrahimi. Pra po të mendojmë vërtet se presidenca është lënë në errësirë nga qeveria, sërish dalin disa pyetje që mbeten pa përgjigje.

Kur u duk qartaz se Shqipëria po pozicionohej kundër Trump, kur u pa samiti i Stambollit dhe deklaratat e Bushatit në parlament, a nuk duhej që presidenca të shqetësohej? A i ka dërguar ajo një kërkesë për informim Ministrisë së jashtme? Për një çështje kaq të madhe si po trajtohet sot (si prerja në besë e aleatit tonë strategjik, ShBA), edhe vetë presidenti Ilir Meta mund të dilte në publik dhe të demaskonte lojën që po luhej në kulisa duke e mbajtur në terr informativ atë.

Por, askush nuk e vuri ujin në zjarr derisa çështja erdhi e u bë një problem i politikës lokale.

Pikërisht kjo logjikë e ftohtë na bën të besojmë, me po aq forcë sa korrespondenca që kemi parë, se në rastin më të mirë zyra e presidentit është treguar indiferente për të lexuar jo vetëm korespondencën që kishte në tryezë, por edhe sinjalet që lëshoheshin në publik. Ndërsa, në rastin më të keq, ajo ka qëndruar pasive qëllimisht, për të ngritur më pas fabulën e Ramës që tradhëton Amerikën.

Dhe për sa i përket mesazhe private të dala në publik, kur përmenden edhe emrat e familjarëve, ato nuk kanë kurrfarë vlere në marrëdhënien institucionale. Prandaj ato ngjajnë më shumë si ushqim për teoritë konspirative të atyre që pas një lajmi shohin “një keqinformim tërësisht të qëllimtë, jo profesional dhe manipulues për opionin publik, brenda dhe jashtë Shqipërisë”.

©Lapsi.al



8 Comments

  1. meta eshte nje lolo i rames,i sales i e kuj ti levertise.ke don te mashtroj ai me deklaraten qe nuk e dija si do votonte veshgjati.i kujtoj se sala nje dite me pare kishte deklaruar se si do votohej.po ky ka qene ne gjume gjithe diten.sa drite shkurter.

  2. Thjesht jemi nje republike bananesh! Sa poshte ka rene ky vend?! Eshte bere per te qeshur! Dhe tallemi pastaj me sllavet e me greket!

  3. Lapsi.al
    Kesaj radhe Jeni kapur ne gabim!
    Arsyetimet,supozimet,rrjedhojat logjike sipas logjikes tuaj nuk jane fakte!
    Dridhe,ta dredhim nuk eshte as gazetari,as drejtesi…
    Pavaresisht se Meta ben te paditurin,vete Bushati (Min.i Jashtem),pranon moskonsultimin me kerkend.
    Lereni egoizmin.
    TJeter gje çfare do deshironit Ju,tjeter e verteta…
    Abuzim i paster me lirine e shtypit.

  4. Kjo eshte politika e partise qe fshehurazi imponon Bushati. Sipas Bushatit “Ai qe vodhi nuk ka faj”.

    Meta duhet te ishte ne burg per 21 Janarin e te tjera.

    Por edhe nese kishte dijeni sipas “dokumenteve” te Bushatit , ne asnje rast ai nuk eshte konsultuar ose nuk i eshte kerkuar mendim, sikurse duhet te kishte ndodhur sipas tagrit ligjor.

    Ne vend qe te merremi me problemin Bushati propozon te merremi me lajmesin. Turp.

  5. Bushati gjykon mbi hamendesime. Institucioni i presidentit nuk eshte konsultuar asnjehere me ministrine e jashtme, per faj dhe arrogance te kesaj te fundit. Meta edhe çdo shqiptare me dy pare mend e dinte se sorosiani Rama do votonte kundra Trumpit ne OKB. Mirepo te fajesosh presidentin kur proçeduren e shkel ministria e jashtme, eshte me se paku dezinformim. Sigurisht Bushati dhe çdo soj sorrollopi sorosiani tjeter, ne kete rast do kritikonte cilindo shqiptar qe do ishte kundra votes sorosiane te Rames ne OKB (njekohesisht edhe kundra interesave mbare-shqiptare). Besoj i keni pare sorosianet shqiptare si jane hedhur ne sulm kush ta mbroje me teper voten e Rames ne Okb, nga Andi Bushati, tek Muç Nano, Ilva Tare, Nazarkot, Afrim Krasniqi, Ben Andoni, Arjan Vasjari etj etj. Njezerazi kjo tufe e peshtire sorosiane perdor te njejtat argumenta bajate qe s’ja ble askush. Dhe me e bukura eshte se nuk thone asnje gjysem llafi per pasojat e ketij votimi. Nderkohe qe po perjetojme nje situate te rende ekonomike, ku jemi rrethuar nga te katra anet me shtete ujqer sllavo-greke te gatshem per te na shqyer, edhe perplasjen me Ameriken kishim mangut! Faleminderit Naltgjatesi dhe ju o Sorosian qe e mbroni ate..

  6. Nuk mund tju besojne lexuesit e Lapsit, nese ju “editorialistet{” e tij, pas cdo fakti demaskues te politikave seprapthi te Edi Rames, beni si beni e i hidhni nje tymese opozites. Eshte tjeter gje historia se si e nga kush u zgjodh Meta presiden, por per rastin ne fjale, gazeta Lapsi e mediat e tjera duhet ta pershendesnin ate qe me detyren e presidentit, qe legalisht ne gjithe boten perfaqeson popullin e nje vendi, e zhvleresoi deridiku marrezine e daljes kunder te qeverise shqiptare ndaj administrates amerikane. Kam edhe une si qytetar shqiptar ndonje rezerve ndaj metodave “dridhe Like” te politikanit Ilir Meta. Por mbi te gjitha drite-hijet e politikes shqiptare, gjesti i tij si president ne mbrojtje te interesave te shtetit e kombit shqiptar, duhej pershendetur nga gjitha mediat si nje sinjal optimist ne frenimin e marrezise sorroiste te se “majtes” shqiptare, ne dem te interesave te Shqiperise. Cfare nuk i komentohet presidentit Trump qe prej nje viti qe eshte zgjedhur, ne mediat e majta sorrosiane te botes. Cdo fraze apo fjale te tij, i behet ne menyre fare te hapur e permanente interpretimi keqdashes. Eshte e vertete qe stili komunikues i z. Trump, nuk e njeh hipokrizine “dipllomatike”. Ai i thote gjerat troc ashtu sic jane, e jo sic do tju pelqente sorroisteve mediatike. E ka thene cope qe ne fushaten elektorale dhe po e mban ate linje, se ai konsideron te “paren” Ameriken, shtetin te cilit i doli per zot. E ka thene cope e llogjikshem se SHBA nuk mund te ndihmoje “te tjeret”, pa rregulluar shtepine e vet. Propocionalisht, bazuar ne buxhetet kombetare, te gjithe shtetet antare te OKB,duhet te japin nje kontribut te njellojte per mbajtjen e ketij institucioni nderkombetar. Perse duheshka qe nga taksat e taksapaguesve amerikane, OKB ti jepen 250 milione dollare me shume se sa i takon ? Nderkaq pjesa me e madhe e te 128 shteteve qe i dolen kunder, nuk paguajne as gjysmen e kontributit qe ju takon per OKB. Eshte pafytyresi me duket qe ta akuzosh ambasadoren e SHBA ne OKB, se ajo po kercenokerka shtetet kundershtare te vendit qe perfaqeson, vetem se ajo ka kerkuar qe te gjithe shtetet antare te OKB duhet te shlyejne njelloj detyrimet qe kane per kete organizate.
    E thote plotesisht me te drejte ketu nje komentues, se pse duheshka te investoje shteti amerikan per “reformen ne drejtesi” nje qeveri qe i del kunder drejtesise amerikane ?

  7. Lapsi,jeni ne gabim ,dy here:E para,kur dhate lajmin se Meta ishte i informuar (pra ose ju keni qene te keqinformuar,ne rastin me te mire,ose ju shkruan me qellim,per te keqinformuar opinionin),dhe e dyta,Jo vetem nuk pranoni gabimin e pare (veprim ky civil qe duhet te karakterizoje nje shtyp te lire),perkundrazi,insistoni qe presidenca na paska faj se nuk paska nderhyre e te tjera,e te tjera.Lajmi,duhet dhene ashtu sic eshte ,i paster nga skorjet propagandes,ndersa analiza duhet bere vetem mbi bazen e fakteve (ato jane kokeforta) dhe jo te hamendesimeve,e supozimeve.Te dyja,si lajmin,ashtu edhe analizen,media duhet ta beje korrekte dhe profesionale.Llafet e tjera,jane fukarallek.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *