• |
ide | kryesore

Analiza e “Eurosport”/ Të shtunën 6 shqiptarë në ndeshjet e Seria A, por më i miri…

Kryesore, Sport



Seria A luajti këtë të shtunë një pjesë të madhe të ndeshjeve të javës së 20-të. Nuk munguan rezultatet surprizë përveç kreut ku Napoli vazhdon “të blindojë” vendin e parë. Kryesuesit fituan 2-0 ndaj Veronës. Në fushë për 90 minuta ka qenë edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare Elseid Hysaj.

“Eurosport” që ka bërë vlerësimet e të gjithë lojtarëve pas ndeshjes i jep shkodranit notën 6 duke shkruar: “Në pjesën e pasme të fushës ka pak probleme dhe kaloi një pasdite të qetë. Bën një kros të bukur në zonë për Allan, por nuk e mbështeti shumë pjesën sulmuese”.

Një fitore surprizë ka qenë ajo e Atalantës 2-1 në fushën e Romës. Në portë për bergamaskët ka qëndruar si gjithmonë Etrit Berisha. Edhe për të “Eurosport” jep notën 6 duke cituar: “Bën ndonjë dalje bosh në nisje të ndeshjes, por më pas sistemon çdo gjë me ndonjë pritje thelbësore”.

Një tjetër portier shqiptar po shijon suksesin në Itali. Tomas Strakosha dhe Lazio e tij fituan 5-2 në fushën e SPAL-it. Sërish “Eurosport” i jep shqiptarit notën 6.5. “Përgjigjet i gatshëm te goditja e Felipe duke bërë një mrekulli. I pafajshëm në golat e pësuar”.

Nota të mira kanë marrë edhe dy shqiptarët që luajnë te Benevento. Skuadra e vendit të fundit arriti të fitojë 3-2 ndaj Sampdorias. Berat Gjimshiti është vlerësuar nga “Eurosport” me notën 6.5. Portali shkruan për shqiptarin: “Në fazën mbrojtëse me 3 lojtarë gjendet shumë më mirë. Është në rolin e tij sidomos në parakalimin e kundërshtarëve”.

Edhe për mesfushorin shqiptar Ledian Memushaj nota është 6.5. “Paraqitje e rëdësishme dhe me kualitet në të njëjtën kohë. Shpesh herë përdor të majtën për të gjetur krosin në qendër”.

Me humbje ka dalë nga fusha këtë të shtunë vetëm Arlind Ajeti. Crotone e tij u mund minimalisht 1-0 nga Milani në “San Siro”. Nota për shqiptarin nga “Eurosport është 6 duke shkruar: “I detyruar të përdorë mënyra të ashpra për të ndalur një “spec djegës” si Cutrone. Shpesh ai e kaloi, por i lejohet”. ©përgatiti LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *