• |
ide | kryesore

Facebook i 2018, më pak lajme, por më shumë miq dhe të afërm

Lapsi Leaks



Facebook ka vendosur të rivlerësojë përmbajtjet në faqen e tij. Në të ardhmen do të kenë prioritet postimet e miqve dhe jo lajmet. Eksperti Martin Giesler shpjegon efektet e këtij hapi të Facebookut.

Si duhet t’i kuptojmë ndryshimet e deklaruara nga themeluesi i Facebookut, Mark Zuckerberg?

Facebook është ndeshur vitin e kaluar me një stuhi të paparë ndonjëherë dhe u bë përgjegjës për shumë gjëra. Rol të rëndësishëm ka luajtur edhe debati për hapësirat që i japin jehonë në facebook vetëm pikëpamjeve të tua duke të futur në një filtër që nuk të lejon të dëgjosh më mendimin e të tjerëve. Madje Facebook u bë përgjegjës edhe për gjendjen shëndetësore të përdoruesve. Për shkak se debati ka të bëjë me Newsfeed, pra vendin ku shpërndahen lajmet, FB duhet të reagonte në këtë pikë.

“Rregulli i Facebookut: Përdoruesi nuk duhet t’i dijë të gjitha”

Çfarë roli luan algoritmi që është në bazë të këtij Newsfeed?

Duhet thënë se si i jashtëm nuk mund ta kuptosh tërësisht, se mbi cilën bazë i shpërndan ky algoritëm përmbajtjet dhe informacionet. Ai është një lloj „blackbox”, sekreti nr 1 i biznesit të Facebookut, asnjë nga jashtë nuk duhet të dijë diçka. Por kjo ka ndikime të jashtëzakonshme për përdoruesit, sepse Facebooku nuk i tregon të gjitha përmbajtjet, por vetëm një pjesë të tyre. Kjo përzgjedhje mund të jetë e mirë e ta orientojë përdouresin në xhunglën digjitale, por ajo mund të jetë edhe problematike, sepse ajo është një përzgjedhje në bazë të rregullave të Facebookut. E këto të thonë se përdoruesi nuk duhet të dijë gjithçka, por në radhë të parë të ndjehet mirë tek kjo platformë dhe të kalojë maksimalisht shumë kohë aty.

Çfarë do të thotë kjo për modelin e biznesit të Faceboout, personalizim i reklamës?

Newsfeed-i ku bashkohen përmbajtjet e një përdoruesi është i kufizuar. Kjo i rrit çmimet, që do të thotë, se duhet të paguash më shumë, që të mbërrish tek lexuesi si firmë mediatike. Por ky nuk është modeli parësor i Facebookut. Vëmendja përqëndrohet tek plotësimi i dëshirave të 2 miliardë përdoruesve dhe motivimi i tyre për përdorimin më të shpeshtë të FB. Me gjurmët që lenë përdoruesit, me dëshirat e tyre, me reagimet, me kohën kur ata reagojnë –me këto arrin FB të fitojë shumë para, këto të dhëna janë ari i zi.

“Ëndrrat e dëshirat tona – lënda e parë për Facebook

Kohët e fundit përdoruesit e kanë përdorur pasivisht FB, atyre iu janë servirur të dhëna, kanë klikuar apo parë një video, por nuk kanë dhënë shumë të dhëna personale. Të bëjnë të ditur, se çfarë i preokupon, çfarë ëndrrash e dëshirash kanë, – pikërisht kjo është lëndë e parë ku do të ketë zotërim Facebooku.

Facebook kërkon të forcojë tani kontaktin mes përdoruesve e reagimet mes tyre. A mundet që këto reforma të rrisin urrejtjen në internet?

Facebooku ka një interes të madh t’i ofrojë përdoruesit atë që atij i pëlqen, apo çfarë nuk e bezdis apo sfidon, kjo është pjesë e strategjisë së përftimit të të ardhurave. Sigurisht algoritmi i Facebookut do të synojë që përdoruesit të ndërveprojnë më shumë me miqtë e të njohurit. Kjo mund të krijojë ndarje të reja, por të ketë edhe efektin që fake news apo përmbajtje me polarizim të madh të mos luajnë ndonjë rol për përdoruesit. Mund të ndodhë që ata të mos nxiten nga të tjerët, por t’i kërkojnë vetë lajmet e tyre.

A është paniku aktual i mediave i justifikuar?

Ai është i justifikuar në kuptimin që mediat duhet të shohin njëherë nga vetja. A nuk e kanë bërë veten shumë të varur nga rregullat e lojës të Facebookut? E kanë humbur shansin të orientohen tek një publik besnik, në vend që të rendin pas klikimeve apo likes. Tani ata detyrohen nga Facebooku të bindin përdoruesin që oferta e programit të tyre është e nderuar dhe se ia vlen të hedhësh një sy tek ta, pavarësisht Facebookut. E kuptoj, se tani mediat janë trembur, sepse qarkullimi i tyre do të bjerë fillimisht. Por në plan afatmesëm e shoh se Facebooku u jep mediave një shans për të gjetur vërtet publikun besnik.

Martin Giesler është ekspert për rrjetet sociale dhe drejton platformën „”Social Media Watchblogs”.

Intervistën e zhvilloi Maximiliane Koschyk.(dw)



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *